40 institucione akademike italiane, veprimtari në Tiranë
Në datat 28 shkurt dhe 1 mars 2025, 40 institucione akademike italiane, përfshirë Universitete, Akademi të arteve të bukura dhe Konservatorë do të jenë të pranishëm në Tiranë.
Veprimtaria synon të promovojë dhe mbështesë bashkëpunimin mes sistemeve akademike italiane dhe shqiptare, si dhe t’u prezantojë studentëve mundësi të shumta studimi në Itali. Në fakt, është pikërisht Italia që shumë të rinj shqiptarë e shohin me interes për studimet e tyre universitare, një vend që vazhdon të jetë tërheqës për shkak të cilësisë së ofertave akademike, afërsisë gjeografike dhe lidhjeve të ngushta historike, ekonomike e kulturore.
Personeli i Ambasadës Italiane i cili do të jetë gjithashtu i pranishëm në Panair, do të japë informacion të dobishëm për procedurat e regjistrimit dhe kërkesës për viza studimi. Kujtojmë se në vendin tonë ka tre shkolla të mesme dygjuhëshe, të cilat lëshojnë tituj studimi të lartë të njohur nga Ministria e Arsimit Italian dhe se në rreth 300 shkolla, falë projektit ILLIRIA të mbështetur nga MAECI, gjuha italiane studiohet si gjuhë e huaj e parë ose e dytë.
Ditën e premte, më 28 shkurt, nga ora 18:00-21:00, në sallën Apollonia, Hotel Rogner Tirana, do të organizohet një takim me përfaqësues të universiteteve kryesore shqiptare, me qëllim krijimin e kontakteve për bashkëpunimet e ardhshme ndëruniversitare.
Gjatë gjithë ditës së shtunë 1 mars, institucionet akademike italiane do t’i përkushtohen takimeve të drejtpërdrejta dhe të personalizuara me studentë të interesuar për të ndjekur studimet në Itali. Nga ora 10.00 deri në orën 17.00, çdo institucion do të ketë në dispozicion një stendë ku do të mund të japë informacione dhe të mbledhë shprehjet e interesit.