Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Trump i drejtohet Kongresit: Amerika është rikthyer!

Presidenti Donald Trump foli të martën në mbrëmje para një sesioni të përbashkët të Kongresit, duke vlerësuar hapat e ndërmarrë nga administrata e tij drejt shkurtimit të burokracisë, vendosjen e tarifave të larta ndaj partnerëve më të afërt tregtarë të Amerikës dhe trysninë ndaj Ukrainës për të ndaluar luftën kundër agresionit rus.

 “Forca e Amerikës është kthyer. Shpirti i saj është kthyer. Na është kthyer krenaria dhe besimi. Dhe Ëndrra Amerikane është më madhështore dhe e shkëlqyer se kurrë më parë”.

Fjalimi i Presidentit Trump vjen gjashtë javë pas ardhjes së dytë në Shtëpinë e Bardhë e cila është shoqëruar nga tensionet me aleatët amerikanë, ndryshimet në politikën e jashtme dhe reformat në qeverinë amerikane.

Fjalimi u shoqërua me brohoritje nga ligjvënësit republikanë.

Fjalimi i presidentit vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 25% për eksportet nga Kanadaja dhe Meksika, dy partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë. Uashingtoni dyfishoi po ashtu një tarifë të mëparshme prej 10% për importet kineze. Kina renditet e treta për shkëmbimet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara shënuan rënie të konsiderueshme, ndërsa të tre vendet kanë thënë se do të hakmerren, duke ngritur shqetësime për një luftë më të gjerë tregtare.

“Do të ketë një farë luhatjeje, por do të jemi në rregull. Nuk do të zgjasë shumë”, tha ai.

Presidenti Donald Trump mbrojti tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara dhe u zotua për shtimin e tyre.

“Vendet e tjera kanë përdorur tarifa kundër nesh për dekada, dhe tani është radha jonë”, tha Presidenti Trump në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve amerikanë që nga marrja e mandatit të dytë.

Presidenti Trump tha se duke filluar nga 2 prilli, Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të vendosin tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve me të cilat zhvillon tregti.

“Çfarëdo lloj tarife që na vënë ne, ne do t’u vëmë tarifë atyre. Nëse ata na taksojnë, ne do t’i taksojmë”, tha Presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan tha gjithashtu se do të vendosë një tarifë prej 25% për importet e aluminit, bakrit, lëndës drusore dhe çelikut.

“Gjashtë javë më parë, nën kupolën e Kapitolit deklarova agimin e ‘Epokës së Artë të Amerikës’. Që nga ai moment, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një aksion i shpejtë dhe i pandërprerë për të sjellë epokën më të begatshme dhe më të suksesshme në historinë e vendit tonë”, tha Presidenti Trump.

Udhëheqësi amerikan tha se administrata e tij “ka arritur gjatë 43 ditëve më shumë se shumica e administratave të tjera në katër ose tetë vjet dhe sapo kemi filluar”, siç u shpreh ai. Deri më sot, Presidenti Trump ka nënshkruar afro 80 urdhra ekzekutivë, disa prej të cilave po sfidohen në gjykatë.

Presidenti mbrojti shpalljen e gjendjes së emergjencës kombëtare në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës si dhe vendosjen e ushtrisë amerikane dhe organeve të rendit në kufi për të “zmbrapsur pushtimin e vendit”, siç u shpreh ai.

Ai tha se administrata e tij ka nisur “goditjen më gjithëpërfshirëse ndaj imigracionit të paligjshëm dhe kalimeve në kufi në historinë e Amerikës”. Zoti Trump përsëriti pretendimin se 21 milionë njerëz u futën ilegalisht në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të Presidentit Biden, çka është hedhur poshtë nga administrata e mëparshme.

Në fjalimin e tij, presidenti vuri theksin tek një urdhër ekzekutiv, që nënshkroi kohët e fundit, i cili ndalon gratë transgjinore nga sportet e femrave.

Sa i përket tkurrjes së qeverisë, Presidenti Trump ka dhënë urdhër për ngrirjen e punësimit në qeverinë federale. Ai vlerësoi punën e Departamentit të Efikasitetit në Qeveri, DOGE, që udhëhiqet nga sipërmarrësi i njohur Elon Musk dhe ka çuar në pushimin nga puna të dhjetëra mijëra punonjësve federalë.

Presidenti Trump tha se administrata e tij “do të rimarrë pushtetin nga burokracia e papërgjegjshme dhe do të rivendosë demokracinë e vërtetë në Amerikë”. Ai shtoi se çdo punonjës i qeverisë që “i reziston këtij ndryshimi” do të “pushohet menjëherë nga detyra”.

“Çdo burokrat federal që i reziston këtij ndryshimi do të pushohet menjëherë nga puna, sepse ne po luftojmë korrupsionin”, tha Presidenti Trump.

Ligjvënësit demokratë, si dhe disa republikanë, i kanë kritikuar pushimet nga puna. Mbështetja e ligjvënësve republikanë ishte e dukshme gjatë fjalimit të Presidentit Trump. Ndërkohë, ligjvënësit demokratë shprehën protestën e tyre në mënyra të ndryshme.

Vetëm pak minuta pas fillimit të fjalimit. Presidenti Trump u ndërpre nga zhurma dhe thirrjet që vinin nga ligjvënësit demokratë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson dha urdhër për nxjerrjen nga salla të ligjvënësit demokrat Al Green, i cili përfaqëson Teksasin. Presidenti Trump e vazhdoi fjalimin pasi e larguan ligjvënësin Green nga salla.

Disa ligjvënëse demokrate kishin veshur rroba ngjyrë rozë në shenjë proteste ndaj politikave të zotit Trump, për të cilat thonë se i dëmton gratë. Disa ligjvënës demokratë nuk morën pjesë ndërsa të tjerë e braktisën sallën gjatë fjalimit.

Senatorja Elissa Slotkin foli në emër të demokratëve, si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të presidentit, siç është edhe tradita. Ajo bëri thirrje që votuesit të përfshihen më shumë në politikë.

“Është e lehtë të jesh i rraskapitur, por Amerika ka nevojë për ty tani më shumë se kurrë. Nëse gjeneratat e mëparshme nuk do të kishin luftuar për këtë demokraci, ku do të ishim ne sot”, tha senatorja e Miçiganit.

Ligjvënësja demokrate kritikoi gjithashtu edhe shkurtimet qeveritare.

“Doni të shkurtoni abuzimet? Jemi dakord. Por ndryshimi nuk duhet të jenë kaotike ose të na bëjë më pak të sigurt. Pushimi i pamenduar i njerëzve që mbrojnë armët tona bërthamore, që shmangin aksidentet ajrore dhe që përpiqen të gjejnë kurën për kancerin, vetëm për t’i ripunësuar dy ditë më vonë… çdo drejtues biznesi do të humbte punën nëse bënte veprime të tilla”, tha ajo.

Në frontin e politikës së jashtme, Presidenti Trump vuri në dukje se ai i kishte tërhequr përsëri Shtetet e Bashkuara nga disa organizata dhe marrëveshje ndërkombëtare. Ai tha gjithashtu se vendosi ngrirjen e menjëhershme të ndihmave për vendet e huaja dhe tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga ajo që ai e quajti Marrëveshja “e padrejtë” e Parisit për Klimën, Organizata “e korruptuar” Botërore e Shëndetësisë dhe këshilli “anti-amerikan” i OKB-së për të drejtat e njeriut.

Presidenti Trump tha se po punon për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila filloi më shumë se tre vjet më parë pas sulmit të Rusisë në shkallë të gjerë.

“Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Është koha për të ndalur vrasjet. Është koha për t’i dhënë fund luftës së pakuptimtë,” tha ai.

Komentet e presidentit vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara ndërprenë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe pak ditë pas një shkëmbimi të ashpër në Zyrën Ovale me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, i cili u largua nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar një marrëveshje.

Senatorja Elissa Slotkin nga Miçigani përmendi përplasjen mes presidentëve Trump dhe Zelenskyy.

“Ajo skenë në Zyrën Ovale nuk ishte thjesht një episod i keq televiziv. Ajo pasqyronte qasjen e Trump-it ndaj botës. Ai beson në marrëdhënie të mira me diktatorë si Vladimir Putini dhe në agresivitet ndaj miqve tanë, si kanadezët. Ai e sheh udhëheqjen amerikane thjesht si një sërë transaksionesh biznesi”, tha ajo.

Në fjalimin e tij, Presidenti Trump tha se kishte marrë një letër të martën nga zoti Zelenskyy ku thuhej se Kievi është “gati të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur”. “Unë e vlerësoj që ai dërgoi këtë letër”, tha zoti Trump.

Të ftuarit e zonjës së parë Melania Trump përfaqësonin përvoja jetësore që përforconin agjendën e bashkëshortit të saj, përfshirë një aktiviste kundër atletëve transgjinorë, si dhe familja e një gruaje të vrarë nga një emigrant pa dokumente.

Zoti Trump përsëriti thirrjet për të rimarrë Kanalin e Panamasë dhe për të marrë nën kontroll Groenlandën, por nuk përmendi propozimin për të dëbuar palestinezët nga Gaza.

Fjalimi i Presidentit Trump në Kongres zgjati 1 orë e 40 minuta, duke lënë në vend të dytë një fjalim të ish Presidenti Bill Clinton që zgjati 1 orë e 28 minuta. Ishte fjalimi më i gjatë presidencial në Kongres.

https://www.zeriamerikes.com/a/7998382.html

Please follow and like us: