Rubio: Ukraina pranon propozimin amerikan për armëpushim 30 ditor
Pas nëntë orë bisedimesh, dy delegacionet lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën thuhet se Kievi ka shprehur gatishmërinë të pranojë propozimin amerikan për një armëpushim 30 ditor në luftën me forcat ruse.
Shtetet e Bashkuara ndërkaq hoqën menjëherë masën për pezullimin e shkëmbimit të informacioneve të zbulimit me Ukrainën, që u vendos ndaj Kievit pas një debati të ashpër mes Presidenti Donald Trump dhe udhëheqësit ukrainas, Volodomyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar.
Pas takimit, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare Mike Waltz thanë para gazetarëve se Kievi ka ndërmarrë hapa konkretë pozitiv drejt paqes. Ata thanë se tani topi është në anën e Rusisë.
Zoti Rubio dhe zoti Waltz thanë se propozimin për armëpushim do t’ia dërgojnë zyrtarëve rusë.
“Ukraina është pajtuar që të ndalojë luftimet dhe të fillojë bisedimet dhe shpresojmë se të njejtën gjë do ta bëj edhe Moska”, tha Sekretari Rubio duke përmendur qëllimin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës tre vjeçare në Ukrainë sa më shpejtë që është e mundur.
Megjithatë të dy zyrtarët amerikanë nuk përmenden një afat kohor se deri kur do të presin një përgjigje nga pala ruse.
Palët gjithashtu janë kanë rënë dakord të përfundojnë marrëveshje për qasjen amerikane tek mineralet e rralla ukrainase, por ajo nuk u nënshkrua sot. Sekretari Rubio tha se tani me këtë marrëveshje do të merren përfaqësuesit e dy presidentëve dhe se ajo nuk ishte çështja kryesore e takimit.