Biseda mes Borges dhe Mario Vargas Llosa, në shqip nga Bajram Karabolli
SHTETI ËSHTË NJË NGA LLOJET E SË KEQES
(Fragment nga një bisedë midis Borges dhe M. V. Llosa)
Mario Vargas Llosa: Cili është regjimi politik ideal për ju, Borhes? Çfarë do të dëshironit për vendin tuaj dhe për Amerikën Latine? Ç’regjim do t’ju dukej më i përshtatshëm për ne?
Borges: Unë jam një anarkist i vjetër spencerian dhe besoj se Shteti është një e keqe, por për momentin është një e keqe e nevojshme. Nëse do të isha diktator, do të hiqja dorë nga posti im dhe do të kthehesha te letërsia ime shumë modeste, sepse nuk kam zgjidhje tjetër për të ofruar. Unë jam një person i hutuar, i dekurajuar, si të gjithë bashkatdhetarët e mi.
Mario Vargas Llosa: Por ju e konsideroni veten një anarkist, në thelb një njeri që mbron sovranitetin individual kundër Shtetit.
Borges: Po. Megjithatë, nuk e di nëse jam i denjë. Gjithsesi, nuk besoj se ky vend është i denjë për demokraci apo anarki. Ndoshta në vende të tjera mund të bëhet, në Japoni ose në vendet skandinave. Këtu, padyshim, zgjedhjet, si përherë, janë të këqija dhe do të na sillnin një Frondizi* tjetër.
Mario Vargas Llosa: Ky skepticizëm sikur bie ndesh me disa prej deklaratave tuaja optimiste që bëni për paqen, pikërisht kundër luftës, së fundmi, kundër torturave dhe të gjitha formave të shtypjes.
Borges: Po, e di. Por nuk e di nëse kjo mund të jetë e dobishme. Unë i kam bërë ato deklarata për arsye etike, por nuk mendoj se janë të dobishme, nuk mendoj se mund t’i ndihmojnë ndokujt. Ata mund të më ndihmojnë të qetësoj ndërgjegjen time, asgjë më shumë. Por nëse unë do të isha një qeveri, nuk e di se çfarë do të bëja, ne jemi në një rrugë qorre.
Mario Vargas Llosa: Unë, pothuajse, një çerek shekulli më parë, ju kam bërë një intervistë në Paris dhe një nga gjërat që ju pyeta…
Borges: Një çerek shekulli… Prit. Është tejet e trishtuar, nëse do të flasim për një çerek shekulli përpara…
Mario Vargas Llosa: …një gjë që ju pyeta ishte se ç’mendonit për politikën, dhe a e dini se si m’u përgjigjët? «Është një nga format e mërzisë».
Borges: Oh, mirë, në rregull.
Mario Vargas Llosa: Ishte një përgjigje e bukur, por nuk e di, nëse do t’jua përsëritja tani: vazhdoni të mendoni se është një nga format e mërzisë?
Borges: Hëm, do të thosha se fjala mërzi është pak e butë. Gjithsesi, le të themi e neveritshme.
——————————–
*Arturo Frondizi – president i Argjentinës (1958 – 1962), një tip diktatori që u rrëzua nga froni me grusht shteti.
Në shqip: Bajram Karabolli