Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: DEKALOGU I NJË IDIOTI MODERN

1 nga 10

Nuk ke nevojë të besosh askënd. Ke vetëm një zot – veten! Mendja jote është si sfungjeri dhe fut ujë nga të gjitha anët.

2 nga 10

Mos kërko lavazh dhe mos paguaj për t’i kthyer trurit shkëlqimin, sepse asnjë idhull nuk të bën të mençur.

3 nga 10

Puno gjithë jetën me mendjen e të tjerëve dhe kurseje tënden për në botën tjetër.

4 nga 10

Nëse nga e hëna në të shtunë kërkove pleshtin në jorgan, të dielave digj jorganin që flesh i qetë.

5 nga 10

Ndero prindërit e tu. Falë tyre lumturia jote e përditshme është sëmundje e pashërueshme, por edhe e parrezikshme për jetën.

6 nga 10

Mos vrit, por nëse duhet të vrasësh patjetër dikë, vrit kohën, jo derrin. Derri nuk është armiku yt. Prej tij mësove se fitohet vetëm me durim dhe se si durimi kthehet në dhjamë.

7 nga 10

Mos shkel kurorën. Të jesh gjithë jetën i dashuruar me një grua do të thotë të mos kesh frikë të dështosh, por të kesh frikë të mendosh.

8 nga 10

Mos vidh. Dhe mos e ki zili hajdutin. Në kohën e sotme hajdutëria është idiotësi, të dish të mashtrosh është zotësi.

9 nga 10

Mos jep dëshmi të rreme. Në jetë gënjeshtra e të tjerëve nuk vlen pa duartrokitjen tënde.

10 nga 10

Mos lakmo Halloween Day-n. Vazhdo të besosh se të gjithat buzëqeshjet janë të sinqerta, pasi do vijë dita që do vlerësohesh si kungulli, do kesh edhe ti festën tënde.

Nga libri në proces “33 x 333 dhe ushtrime të tjera për idiotë”.