Milazim Krasniqi: E vërteta e gjykimit në Hagë të drejtuesve të UÇK-së
A i di ndokush shkakun e vërtetë pse Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi janë në bangën e të akuzuarve në Gjykatën Speciale? (…) Bindja ime e thellë është se ka një shkak të vetëm: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, me gjasë edhe Rexhep Selimi me ta, kanë qenë personat kyç që e kanë prishë projektin për riintegrimin e Kosovës në Jugosllavi, ashtu siç ka qenë akordi në marrëveshjen e Ahtisarit e Çernomyrdinit me Millosheviqin dhe siç është inkorporuar edhe në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kjo ka qenë linja absolute. Kjo është tentuar të imponohej edhe në terren me UNMIK-un dhe KFOR-in në vitet e para. Disa nga njerëzit që kanë paraqitë pengesë ndaj këtij projekti, ose janë eliminuar politikisht, ose janë ndjekur nga drejtësia e UNMIK-ut, ose kanë vdekur. Ata që kanë mbijetuar politikisht, që nuk i ka arritë drejtësia e UNMIK-ut dhe nuk kanë vdekur, janë pikërisht Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi. Dy të parët (Hashim Thaçi si kryeministër dhe Jakup Krasniqi si kryetar i Kuvendit) kanë pasur rol vendimtar në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Këtu shtrohet një pyetje shumë e vështirë: pse edhe amerikanët e kanë shtyrë përpara dhe e kanë imponuar me presion themelimin e Gjykatës Speciale? Ka vetëm një shpjegim të logjikshëm: për të dalë të larë para rusëve, me arsyetimin se protagonistët e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt kanë përgjegjësinë e tyre indviduale. Pra, amerikanët nuk e kanë prishur marrëveshjen me rusët, po atë marrëveshje e kanë injoruar protagonistë vendas. Si rrjedhojë ata do të akuzohen në Gjykatën Speciale dhe do të nxirren nga skena politike, për të marrë rusët një satisfaksion. Të tjerat mandej janë teknikalitete. Pra, shkaku kryesor i akuzës ndaj tyre është shpallja prej tyre e pavarësisë së Kosovës në kundërshtim me akordin Ahtisari- Çernomyrdin-Millosheviq dhe me rezolutën 1244. Mbetet poashtu propozimi për pavarësinë e kushtëzuar në Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit, kur dihej se Ahtisari në vitin 1999 ishte haptas dhe qartësisht kundër pavarësisë së Kosovës. E logjikshme duket se edhe atij iu imponuar ndryshimi i qëndrimit në favor të pavarësisë nga këmbëngultësia e politikës indipendentiste në terren, të akterëve të tipit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, po edhe Ibrahim Rugova e Fatmir Sejdiu. Në pamundësi që të pengohej pavarësia e Kosovës me çdo kusht, u imponua si pavarësi e kushëzuar, por më vonë u penalizuan protagonistët kryesorë që e shpallen pavarësinë, përfshirë edhe ish president Fatmir Sejdiun.