Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Ruzhdi Gole

PËRMENDJE

Drurët roje janë, s’janë roje,
degët dashje padashje
era i merr në duar,

degët përhapën krahët
sa u përmenda shiun
mbrojnë çka
ne duam.

Nuk i fshihet erës asnjëherë
droja, ngrohur më shpejt
nga gjithë ledhatimet,

sa përmenda erën
më shumë nisa
të rroja
shi i ngazëllyer
plot farëra vetëtime…

GRUA, SI THUA?

Të shenjta ikonat
pafund shenjtëritë
nderohen siç nderohen zonjat
zonjat lozonjare afreske romantikë.

Shenjtëritë pafund, ikonat të shenjta
lehtë dalin nga lutjet rrudh e flakë,
lehtë dalin nga ëndrrat
ato nuk kanë prona

shëmbëllejnë
me zonjat

zonja janë gratë.

SI THUA, GRUA?

Fshehtas gruas
jo fshehtas
dëshiroj dikë tjetër,
të re të moçme
të zgjuar
sa fëmijtë që lindëm
e i rilindim kur duam
të qeshur sa mua
ndoshta më pak
më tepër.

Në ecje dukem
ndihem më i madh
nga një dëshirë tek tjetra,

Kodra
dashuria ime cak pa cak
poetesha më e gjelbër
përhera afër meje

afër me të gjitha perëndeshat.

THIRRNAJA

Çast për t’u bashkuar
sa më shpejt linjat

njera nga Thethi
thëllim nër duar
tjetra
nga cikmat
e thinjura.

Çast për ta parë
më shpejt linjën e këputur

nga spitali fatkeq
në malin
pa stolira
tek rrëpirat e Kurbneshit
me thembra ngjethur
njeriun e zhdukur.

Çast për t’i shpeshtuar
më qartë sinjalet

nga thirrnaja e borës
tek Oroshi i rrudhur
rrëzëmali i Kthjellës
tek rrëza e ngjarjeve.

Andej nga kam ikur ende qënkam
me brenga të kthjellëta
vështrime të vëngërta.

SPIRANCË

Në mal gjeta një spirancë…
Maja të ketë zbritur qëmoti në breg
dallga në mal ka hipur zbritur vrap?

Spiranca fjetur shpejt
këtu më kahershmi,
dallga kur u ngjit
e mbuloi natë
u mpak mali
kërcyer
epërmi?

Tek kyçi i tim eti e pashë
herët duke lundruar
para se ta gjeja
det malit
këtë spirancë,

shpejt ngjitur qëmoti
zbritur ndërkaq.

Një spirancë të hershme
kërkoj
jo në det,
matanë malit e maleve
pandehmave e faljeve
në Rekë…

SHAKA E VOGËL

Nuk po i them asgjë gruas,

me një varkë të epërme
sonte vetëm po shkoj
për të peshkuar,

nuk ka mbetur më askush
sa mua thinj në moshë
me gjarpër shtëpie
ndër këmbë
endje
brumbujsh në kokë.

Gjarpëri i shtëpisë nuk është
helmues as fati kaq shpejt
s’është stërkëmbësh,

sonte po iki ca çaste grua
jo me varkë t’epërme
por në një ëndërr.

RREZMË

Drurët i gjenden
pranë njëri – tjetrit
në cikmë
afrojnë gishtat
i puqin të ngrohen
ujërat e tepërta
thithin
në përmbytje
rrezet
ia shpërndajnë
njëri-tjetrit njësoj

asnjëherë nuk grinden
për foletë e pëllumbave.