Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Gjergj Fishta – “Homeri” i shqiptarëve


Gjergj Fishta mbetet në historinë tonë si një nga poetët më të mëdhenj të kohërave, arkitekti i gjuhës sonë të përbashkët, një nga zërat më të fuqishëm e më atdhetar.
I lindur në Zadrimë më 1871 dhe i formuar në traditën françeskane, besimi dhe përkushtimi i tij ndaj fesë, pasioni për letërsinë dhe atdhetashuria e pakushtëzuar e bënë një misionar të letrave shqipe dhe të identitetit e emancipimit të shqiptarëve në ato kohëra aq të vështira.
Në fillim të shekullit XX, kur kombi ynë përballej me rrezikun e asimilimit dhe nevojën për një vetëdije të përbashkët, Fishta u shfaq si figurë shumëdimensionale e me ndikim të jashtëzakonshëm.
Në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ai kryesoi komisionin që vendosi alfabetin e gjuhës shqipe. Ky vendim mbetet një nga gurët themeltarë të historisë moderne shqiptare dhe roli i Fishtës në këtë proces ishte vendimtar e vizionar për të ardhmen e kombit tonë.
Vepra e tij madhështore, “Lahuta e Malcis”, një nga veprat më unike të letërsisë sonë, me mbi shtatëmbëdhjetë mijë vargje, cilësohet si Iliada shqiptare.
Me gjuhë të pasur, ritëm epik dhe figuracion të fuqishëm, Fishta e vendosi letërsinë shqipe në rangun e epikës evropiane, dhe kjo vepër mbetet testament i identitetit shqiptar.
Por Fishta nuk ishte vetëm epik. Në “Anzat e Parnasit” ai përdori satirën si armë morale, duke goditur hipokrizinë e politikës dhe korrupsionin e elitave të kohës. Përmes ironisë dhe humorit, ai arriti të nxjerrë në pah e të godasë veset e shoqërisë, duke e bërë letërsinë një instrument të ndërgjegjësimit publik. Pikërisht kjo e bën atë jo vetëm poet kombëtar, por edhe kritik të pamëshirshëm të realitetit shoqëror.
Gjergj Fishta ishte gjithashtu i angazhuar në jetën publike. Ai mori pjesë në jetën politike dhe kulturore të kohës, si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, duke kontribuar në formësimin e institucioneve kombëtare.
Ky angazhim e bën Fishtën një personalitet kompleks, poet, satirist, udhëheqës kulturor dhe aktor politik.
Trashëgimia e tij është e shumëfishtë, pasi ai e vendosi letërsinë shqipe në një nivel të ri, duke e bërë të krahasueshme me traditat më të mëdha evropiane.
Dhe sot, kur e kujtojmë Fishtën, kujtojmë personalitetin e letrave shqipe, klerikun, politikanin, atdhetarin, e mbi të gjitha, “Homerin” e shqiptarëve!