Kujtim Nuro: Tradita e Skraparit në prodhimin e rakisë
Një nga traditat më të lashta të traditës dhe kulturës shqiptare në shekuj të krahinave tona shqiptare është edhe prodhimi artizanal i rakisë. Rakia është një nga pijet kryesore që shqiptarët e kanë përdorur dhe e përdorin edhe sot për gëzimet e tyre familjare, ceremonitë e dasmave, mikëpritjen e miqëve, etj. Vjeshta ka qënë edhe stina më e zënë e inspektorëve të bashkive në periudhën e administratës së Ahmet Zogut, të cilët shkonin në çdo fshat për të kontrolluar kazanët dhe vulosjen e mbylljes së tyre përpara proçesit të nxjerjes së rakisë. Mbas inspektorëve, shkonin tagrambledhësit për marrjen e taksës sipas sasisë që fshatarët kishin prodhuar. Dhe një nga krahinat shqiptare, që është dalluar dhe dallohet për prodhimin dhe cilësinë e lartë të saj, është Skrapari. Rakia, e prodhuar nga fshatrat e kësaj zone është njohur dhe njihet jo vetëm në Shqiperi, por edhe në Ballkan, Europë dhe më gjerë. Sipas një dokumenti, i cili ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, datë 22 Dhjetor, 1929,79 fshatrat e Skraparit kanë prodhuar gjithsej 21 872 kg raki, duke paguar si taksë: 4374 franga ari. Vendin e parë në prodhimin e saj, ndërmjet këtyre fshatrave, e zë fshati i Potomit me 2720 kg, taksa e të cilit ka qënë gjithsej: 544 franga ari. Më poshtë, prej listës së dokumentit të lartëpërmendur, po japim prodhimin e rakisë në 10 prej këtyre fshatrave të nënprefekturës së Skraparit. Renditjen e fshatrave e kemi dhënë sipas sasisë së prodhimit të rakisë.
Nr. Fshati Sasia e rakisë Taksa e paguar
- Potom 2720 kg. 544 franga ari
- Vendreshë 1454 kg. 309 franga ari
- Prishtë 810 kg. 169 franga ari
- Sevran 795 kg 159 franga ari
- Kuç 790 kg. 158 franga ari
- Nishicë 789 kg 157 franga ari
- Zabërzan 768 kg. 153 franga ari
- Gjerbës 699 kg 139 franga ari
- Visockë 684 kg. 136 franga ari
- Muzhakë 649 kg. 129 franga ari
Burimi: Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH).