Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Balzak, kur Evropa humbte një shpirt të madh!

Në fundin e viteve 80’ në Tiranë vazhdonte botimi në shqip i romaneve të tjera të Komedisë Njerëzore të Honoré de Balzak, i cili për ne, ashtu si dhe Hygo, Zola e të tjerë francezë të mëdhenj, ishte ndër autorët më të njohur. Tekstet e Balzakut studioheshin në gjimnaze e universitete. Botimi i romanit Shkëlqimi dhe Mjerimi i kurtizaneve, pas Iluzioneve të Humbura dhe Kryeveprës së panjohur, vazhdonin të zbulonin në përfytyrimet tona jo vetëm histori e ngjarje të asaj epoke dhe personazhe të tjerë të universit balzakian, por dhe shfaqje të tjera të universalitetit njerëzor. Kur zbarkova në Paris në vitin 1991, ajo që ishte kureshtare për francezët ishte njohja që kishin shqiptarët për letërsinë franceze. Personazhet balzakianë si Rastinjak, Grande, Votren, Lysien de Rubenpre, xha Gorio, etj, ishin ngulitur mirë në kujtesën dhe imagjinatën tonë. Por kur mësova rastësisht se pikërish jo larg ambasadës shqiptare në Rue de la Pompe, pranë Trocadero-së, ndodhej ”Muzeu i Balzakut” (“Maison de Balzac”), kureshtja e madhe për të njohur nga pranë jetën e autorit të madh më shtyu menjëherë drejt asaj shtëpie, e cila ndodhej në 19, Rue Basse de Passy, (sot 47, rrugën Raynoude), pikërisht në atë shtëpi ku Balzaku u fshihej huadhënësve të tij dhe vazhdonte shkrimin e kryeveprave të tij. Në atë shtëpi ishin ruajtur shumë objekte të shkrimtarit, tavolina e punës dhe shandanët e tij, shishja e bojës së shkrimit, penda, dorëshkrime, piktura e fotografi. Dhe papritur, fotografitë gjallëroheshin nga pamja e tyre statike dhe në imagjinatën time, rikrijohej figura e shkrimtarit, i cili në netët e vona, në heshtjen e plotë, pranë tasit të kafesë, vazhdonte të shkruante gjer në dritën e parë të agimit. Në 2504 personazhet e tij të Komedisë Njerëzore, Balzaku krijoi një nga afreskët më të mëdha të kohës, me personazhe ku shpesh është dhe një pjesë e vetes së tij, apo njerëz që ai i kishte njohur realisht. Parisi i të thuash ishte bërë laboratori i tij letrar, por njëkohësisht dhe thelbi i jetës së tij me histori dashurish, vuajtjesh, sallonesh letrare e skena dramatike, me shtëpi ku ai kaloi fëmijërinë, rininë apo vitet e famës së tij. Në Paris ekziston si të thuash një gjeografi e tërë vëndesh, një gjeografi njerëzore, ku shkrimtari i madh ka lënë gjurmë e tij, jo vetëm si njeri, por dhe si krijim. Parisi ishte bota ku do të vërtiteshin pjesa më e madhe e personazheve të tij. «Parisi është liria e inteligjencës, – shkruante ai, – atje është jeta: një jetë e çuditëshme e pjellore, një jetë komunikuese, një jetë e nxehtë, një jetë hardhuce dhe një jetë me diell, një jetë artisti dhe e këndëshme, një jetë kontrastesh.»

Vizita e fundit në shtëpinë ku kishte vdekur Balzaku, kishte qënë ajo e Viktor Hygosë. Ishte data 18 gusht 1850. Gruaja e tij kishte qënë paradite te Hanska, e cila i kishte thënë se Balzaku ishte në grahmat e fundit. Hygo shkruante në ditarin e tij: «I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Një shërbëtore me shandan në dorë, duke qarë, pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në salon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë: “Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit”… Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të pa rruar dhe me flokët gri, të prera. E pashë në profil. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e djelë. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: «Zotërinj, Evropa do të humbë një shpirt të madh!”

Balzaku vdiq pak kohë pasi u largua Hygo, i cili ishte vizitori i fundit në botën e të gjallëve. Në orën 23.30, ai dha shpirt. “E pashë në profil, i ngjante Perandorit”, kishte shkruar Hygo. Të nesërmen, arkivoli i tij u vendos në kishën Saint-Nicolas. Pastaj lumi i njerëzve që shoqëronte funeralin, kaloi përmes Parisit drejt varrezave të “Père Lachaise”. Piklonte shi. “Ishte një nga ato ditët kur të duket se dhe qielli derdh lotë”, – shkruante Hygo. Në varreza, përballë gropës së hapur dhe turmës njerëzore që nderonte autorin e Komedisë Njerëzore, Viktor Hygo u shfaq para tyre dhe foli: “Ky puntor i jashtëzakonshëm dhe asnjëherë i lodhur, ky filozof, ky poet, ky gjeni, ka jetuar midis nesh një jetë stuhish, luftrash, zënkash, betejash. Sot mës së fundi ai është në paqe: ai iku nga kundërshtitë dhe urrejtjet. Dhe në të njëjtën ditë ai hyn në lavdi dhe në varr”!…

Aventura letrare

Familja e Balzakut kishte zbarkuar në Paris një ditë të vitit 1814. Ata u vendosën në Marais, në 40, Rue du Temple, në atë lagje ku nuk kishte kanalizime dhe ujët e dimrit qëndronte nëpër rrugë një kohë të gjatë. Prandaj e quanin “Marais”, që do të të thoshte “Kënetë”. Adoleshent, Balzak ishte shumë i shëmtuar: me flokë të gjata, i deformuar dhe me dhëmbë të hapura. Cvajgu e përshkruan atë të veshur si “një fshatar apo proletar”. Pas një qëndrimi në një pension fetar, ai studioi në liceun «Charlemagne» dhe më pas arriti të bëhej një lloj noteri, duke bërë punë të vogla te disa avokatë, gjersa një ditë vendosi të merrej me letërsi. Kur familja e tij u largua disa kohë nga Parisi, ai u vendos në një mansardë diku nën çati, në një rrugë afër Bastijës, në Rue Lesdiguières. Në Bastijë ende qëndronte një elefant gjigand prej druri, që të kujtonte Kalin e drunjtë të Trojës, dhe që Viktor Hygo kishte vendosur në barkun e tij strehën e Gavroshit gjatë kohës së Revolucionit francez. Dhoma e Balzakut ishte e thjeshtë: një shtrat, një tavolinë, dy karrige. Dhe kjo vetëm për 3 grosh në ditë. I ftohti hynte nga të katër anët e çatisë dhe atij i duhej të mbështillte këmbët me batanije. Një moment ai ëndërroi të vendosë një piano, por s’ka para, kështu vendos vetëm një pasqyrë. Bleu letra, bojë shkrimi, lapsa dhe vaj për llampën dhe mendoi të shkruajë. Atëherë ekzistonin librarë që paguanin talentet e reja që të shkruanin romane për «dhomat e leximit». Ishin atelierë shkrimi dhe Balzaku fillimisht ushtrohet me këtë lloj profesioni për të fituar para. Botimet e para me aventura, ai i nënshkruan me pseudonime: Lord R’hoone, Horace de Saint-Aubin, etj. Por më pas mendon për romanin e parë. Po çfarë të shkruajë? Një histori dashurie? Jo! Ai vendos të shkruajë për historinë e heroit të Anglisë, Kromuellit. Romanet historikë ishin në modë atë kohë. «Përfundimisht mendoj të shkruaj mbi Cromwell, – shkruan ai, – pasi kjo është ngjarja më e bukur e historisë moderne». Balzaku ëndërronte të bëhej Walter Scott-i francez. Në moshën 23 vjeçare, ai do të shkruante: «Vetëm dy pasione kam në jetë: dashurinë dhe lavdinë dhe deri tani asnjëra prej tyre nuk më është plotësuar.» Atë kohë kur kishte shkruar mijra faqe, ai u njoh me një fisnik dhe ra në dashuri me vajzën e tij të ve, Laure de Berny, më e madhe në moshë se ai: 10 vjet jetë pasionante. Në vitin 1823, Balzaku u vendos në Rue Tournon dhe dy vjet më vonë njihet me dukeshën Abrantes, vejushën e gjeneralit Junot, apo ish të dashurën e mareshallit Marat, një nga femrat më të afërta të perandorit Napolon dhe familjes së tij. Ata takoheshin shpesh në shtëpinë e saj, në Pavillon de Versailles. Abrantes shkruante kujtimet dhe kishte nevojë për penën e një shkrimtari si ai.

Rue Cassini

Në këtë rrugë Balzaku u vendos në vitin 1828, atëherë kur fillonte aventura e vërtetë e një shkrimtari të ri që kërkonte të pushtonte botën letrare të Parisit. Mjerisht, shtëpia e dikurshme është shëmbur. Ajo nuk ekziston më, por rruga duket sikur i ruan ende kujtimet balzakiane. Aty, pranë Observatorit të Parisit, në atë rrugë të vogël ai kaloi nëntë vjet, ku veç dhomës së gjumit kishte dhe një dhomë ku punonte. Edhe pse nuk kishte para, duke menduar se shpejt do të fitonte, ai morri 60 mijë franga borxh dhe filloi të blente pajisje për shtëpinë dhe dhomën e punës. I pasionuar pas historisë, lexonte libra historikë, mbante shënime, rrëmonte nëpër biblioteka. Lexonte Rabelais dhe shkrimtarë të kohës; vishej bukur dhe frekuentonte sallonet letrare që gëlonin atëherë në Paris, ku zakonisht ishin zonja fisnikësh që i mbanin ato të gjalla, si zonja Hamelin, zonja Ancelot, etj. Zonja De Berny, e dashura e tij, dhe më pas dukesha Abrantes, me të cilën do të dashurohej gjatë disa vjetëve rradhazi, i tregonin anekdota e histori të ndryshme, të cilat ai i regjistronte në kujtesën e tij. Meqë ai nuk e kishte dorëzuar një dorëshkrim, për të cilin ishte parapaguar 200 franga, një ditë botuesi i trokiti në portë dhe si këmbim ai i dha një dorëshkrim tjetër që sapo e ka përfunduar, Code conjugal, (Kodi bashkëshortor). Botuesi e pranoi se e dinte që ato para që i kishte dhënë s’kishte për ti marrë ndonjëherë. Ndërkohë Abrantes e prezantoi në sallonin e zonjës Recamier, ku vinin artistët dhe shkrimtarët më në zë të asaj epoke. Aty njohu Viktor Hygonë, Lamartinin dhe të tjerë. Shkrimtari i ri ra në sy për pasionin dhe energjinë e tij, por njëkohësisht dhe për mënyrën e tij të vrazhdë dhe flokët gjithë yndyrë e të pakrehura. Po ato kohë ai botoi La phisionomie du mariage. Një letërsi që pëlqehet veçanërisht nga gratë dhe që autorit i sjellin para. Por borxhet mbeten gjithnjë pa paguar. Huadhënësit shpresojnë se autori i ri do të ecë përpara dhe do ti shpërblejë. Në vitet 1830-1831, fillon një periudhë e re në krijimtarinë e Balzakut. Ai shkruan artikuj gazete dhe ese në disa revista e gazeta, në Revue de Paris, Voleur, Silhuette, Caricature, Mode, etj. Shkruan mbi shoqërinë franceze, mbi gratë dhe martesën, Skena nga jeta private, e më vonë tregimin e famshëm Kryevepra e panjohur. Çdo ditë e mbush me besim. Siç i shkruante mikeshës së tij Zulma, “Jeta ime është një betejë ku më duhet të ndeshem çdo çast, për të njohur talentin tim, nëse ky talent ekziston”.

Balzaku shkruante vetëm natën. «Unë s’mund të shkruaj vetëm për një ose dy orë», – shënonte ai në fletoret e tij. Atij i duhej e gjithë nata. Punën e fillonte në mesnatë: përpara kishte lapsat, gërshërët, letrat dhe vetëm një pendë «korbi». Në orën tetë të mëngjesit, shërbyesi i tij Auguste i binte portës që ai të linte punën dhe të flinte. Jashtë qyteti kishte kohë që ishte zgjuar. “Kur punoj, harroj vuajtjet e mia, – shkruante atë kohë Balzak. – Eshtë pikërisht kjo që më shpëton”. Madje Balzaku ishte dhe superticioz. Në një nga gishtërinjtë mbante një unazë të trashë me mbishkrime orientale. Ai mendonte se ajo i silltel fat. Për një kohë të gjatë, pavarësisht nga marrëdhëniet me dukeshën Abrantes dhe zonjën de Berny, ai dashuronte dhe zonjushën Visconti, për të cilën thuhet se pati një djalë me Balzakun, e më pas ai iu dha markezes Castries. Ishte një fytyrë e ëmbël që e dehte. “Kjo dashuri mbeti një nga dhimbjet e mia më të mëdha”, do të shkruante më vonë Balzak.

Ka një rrugë pranë Odeonit në Paris: quhet Rue Visconti. Në kohën e Balzakut, kjo rrugë quhej Rue des Marais-Saint-Germain. Për mua është një rrugë shumë e njohur, pasi shpesh kam ardhur në veprimtaritë që zhvillon jo vetëm shoqata «Albania, por dhe miku ynë, fotografi Eduard, me shoqatën e tij “Calligraphes”. Sa herë që vija, do të ndeshesha gjithnjë me atë godinë kur dikur kishte qënë “Shtypshkronja Balzak” dhe shpesh imagjinoja shkrimtarin e madh tek nxitonte ato vite në këto kalldrëme, drejt shtypshkronjës së tij. Që para se ta ngrinte shtypshkronjën, që më 1824, Balzaku i kishte propozuar për botim botuesit Urbain Cahel një roman të tij, por botuesi i kishte dhënë një ide “gjeniale”: përse mos të kujdesej për disa botime lluksoze të veprave të La Fontaine, Molière, etj, çka mund të sillte fitime të mëdha. Kjo ide Balzakut i pëlqeu, por për këtë duheshin para që të mund të shtypeshin në shumë kopje. Balzaku filloi të përgatiste botimet e reja duke marrë borxhe, me shpresë se librat lluksozë do të shiteshin dhe ai do të mund të fitonte. Por botimet e reja u shitën shumë pak. Atëhere ai mendoi se po të kishte dhe një shtypshkronjë si dhe një fonderi shkronjash nën emrin e vet dhe të ortakut, atëherë suksesi do të ishte i sigurtë. Kështu, i ndihmuar me para nga zonja De Berny, ai u vendos në këtë rrugë, ku në katin e parë ishte shtypshkronja dhe në të dytën zyra e tij. Atje Balzaku punonte për pëgatitjen e librave dhe gjatë ditës priste mikeshat e tij, që nuk mungonin. Shtypshkronja e Balzakut shtypte jo vetëm librat por edhe reklama, katalogë, libra shkollorë, çdo gjë që të mund të fitonte para, madje dhe një libërth të titulluar Arti i lidhjes së kravatës. E pse jo?… Në mbrëmje vonë, kur kthehej në shtëpi, ai ulej në tavolinën e punës për të vazhduar romanet e tij.

Edhe pse puna e botuesit nuk eci, megjithatë Balzaku nuk u tërhoq. Ai rifilloi të shkruajë akoma më me ngulm. Ai e dinte se vetëm një punë titanike mund ti sillte para dhe të shpëtonte njëherë e mirë nga mjerimi ku kishte rënë. Por ky mjerim e shtynte çdo ditë drejt krijimit të monumentit të tij letrar: Komedia Njerëzore. Ai u bë një përshkrues i hollë i personazheve, tipave sociale, mjediseve. Kudo që shkonte ai i vëzhgonte me kujdes hotelet, pazaret, lagjet popullore, sallonet, antikuarët, huadhënësit, bankierët. Aty ishte bota e personazheve të tij, aty ai zbuloi kopracinë e plakut Gobsek, makiavelizmin e Rastinjak, dashurinë e jashtëzakonëshme të një xha Gorio (Père Goriot).

Në vitin 1935, ai shkruante: “Dua të jem në krye të botës intelektuale në Evropë. Edhe dy vjet dhe pastaj do të eci mbi kryet e atyre që donin të më lidhnin duart dhe të pengonin fluturimin tim. Persekutimet dhe padrejtësitë më japin një kurajo të forte prej bronxi”. Në arkivën e Balzakut ruhet ende dorëshkrimi i Xha Gorio, ku në faqen e parë të titulli, Balzaku kishte bërë llogaritë e borxheve që i duheshin për të larë. Ai jetonte me makthin e tyre. Në vitin 1836, për të fituar para, ai drejtoi një gazetë, La chronique de Paris, ku do të bashkëpunonte dhe Hygo, por meqë gazeta nuk kishte shumë abonentë, pas shumë numrash ai është i detyruar ta mbyllë, edhe pse faqet e gazetës i mbushte pothuajse vetëm ai. Ndërkohë botohen romanet Louis Lambert dhe Medecin du village, (Mjeku i fshatit,), i cili mirëpritet nga kritika. Më pas në duart e lexuesit do të jenë dhe romanet Kolonel Chaubert dhe Eugenie Grandet. Pikërisht në këtë kohë kur fshihej nga huadhënësit dhe ishte vendosur në fillim në një apartament të një të dashure, në Champs Elysées e më pas nën një emër të rremë në Rue Batailles, ku policia e kapi dhe e mbylli në «Hotel des Haricots», («Hoteli i Fasuleve»), që ishte një lloj burgu. Por kolegët e gazetës arritën që pas disa ditësh ai të lirohet. Madje në burg, një adhuruese e romaneve të tij i kishte dërguar dhe trëndafilë.

I përndjekuri Balzak

Në vitin 1838, kur emri i tij përmëndej kudo në sallonet letrare dhe kritikën e kohës, Balzaku mendoi se mund të bëheshin para edhe në mënyra të tjera. Iluzione të çuditëshme i u ngjallën: të blejë toka në periferi të Sevres, të kultivojë ananase e ti shesë, të bëjë afere imobiliare…Balzak donte kështu që të bëhej një lloj sipërmarrësi. E shikonte veten milioner. Madje pak kohë më parë ai kishte qënë në Itali dhe kishte zbuluar se dhe atje mund të bënte një afer të mirë: të shfrytëzonte ca miniera të vjetra ari. Tashmë kostumi i tij ishte lluksoz dhe me kopsa ari. Në opera, një lozhë ishte e abonuar në emër të tij. Atij i pëlqente të dëgjonte Bethoven. Mrekullohej me të, pasi e ndjente se ishin të ngjashëm: Bethoven në muzikë dhe ai në letërsi. A nuk thoshte ai se të barabartët e tij quheshin Molière, Walter Scot, Voltaire…. Ai rrëmonte nëpër antikuerë dhe bleu një shkop plot gurë të çmuar, për 700 franga, me të cilin shëtiste nëpër Paris; baronit Senagon i bleu një kalë dhe gruas së tij një një karrocë «cabriolet». Që nga romani Lëkura e Shagrenit, ai tashmë i nënshkruante romane Honoré de Balzac, duke i shtuar emrit të tij pjesëzën “de”, që ishte shprehje e një familje aristokratike. Ai mendonte se kështu do të bëhej më tërheqës në shoqërinë e lartë të Saint-Germain de Près.

Po, Balzaku donte ti jepte fund njëherë e mirë varfërisë dhe të shlyente borxhet që u kishte shumë huadhënësve që orë e çast i kërkonin paratë. Ndërkohë të tjerë huadhënës i japin para për aventurat e reja të tij. Në gjithë Parisin flitej për “çmëndurinë” e re të Balzakut.

Por pak kohë më vonë Balzaku e kuptoi se gjithçka ishte e kotë. Aferi i tij kishte qënë rrënues për të. Ndërkohë që ditën merrte e jepte me huadhënësit që i kërkonin paratë, natën kthehej fshehurazi në shtëpi dhe vazhdonte shkrimin e romaneve të tij. “Isha pa para. Binte shi me rrebesh dhe unë shkoja në këmbë gjer në Passy. Natën shkruaja. Nuk u çmënda por u sëmura”,- do të shkruante ain ë shënimet e tij. Në lagjen e Passy, ai ishte strehuar fshehurazi. Ishte një shtëpi me një shkallare të fshehtë, nga ku mund të largohej pa u pikasur nga të tjerët, në rast se i vinte policia. Ai shkruan në po atë tavolinë si dhe më parë. “Kjo tavolinë i di të gjitha hallet e mia. Ajo i ka njohur të gjitha projektet, i ka dëgjuar të gjitha mendimet e mia. Krahu im pothuaj e ka dërmuar nga që kur shkruaj, ai vërtitet sa andej-këndej”. Në të majtë të tavolinës, një tufë letrash të bardha, një shishe boje e trashëguar që nga koha studentore, ndërsa në të djathtë fletoret ku ka hedhur shënimet e romaneve të ardhëshme të tij. Pranë tij, si gjithnjë dhe një tas i madh porcelani, një “cafetière” ku ai bënte një lloj përzjerje të çditëshme me tre lloj kafesh: kafe “Bourbon”, “Martinique” dhe “Moka”. Kafen “Bourbon” dhe Martinique ai e blente në Rue des Vielles-Haudriettes, ndërsa “Moka”-n në Rue du Mont-Blanc. Kafeja të zbret në stomak, – shkruante Balzak, – dhe që nga ai moment gjithçka gjallërohet: idetë shkunden dhe marshojnë si batalionet e ushtrisë “La Grande Armée”.

Në orën 8 të mëngjesit Parisi zgjohej. Pas 3-4 orë gjumë, ai merrte një banjo me ujë të ngrohtë dhe priste puntorët e shtypshkronjës që i sillnin faqet e shtypura për të bërë korrektuarat e fundit. Ai u kërkoi shtypshkronjësve ti hidhnin «provat» në faqe të mëdha që të mund të bëjë korigjime të shumta, pasi ai i rishkruan përsëri faqet që i sjellin, aq sa ata janë të nervozuar me të. Tipografët nxehen me hieroglifet e tij që mezi i deshifrojnë. Nganjëherë një faqe ai e kthente shumë herë derisa më së fundi të ishte i kënaqur. Dhe kjo pûnë e përditëshme zgjaste 3-4 orë. Ishte «një lloj guzhine letrare» do të shkruante Cvajgu për dorëshkrimet e Balzakut. «Kur nuk shkruaj romanet që kam nëpër duar, mendoj për ato që do të shkruaj dhe kur nuk mendoj për planet e ardhëshme, atëherë merrem me korigjimet. Kjo është jeta ime», – shkruante Balzak.

“Forçats littéraire

Honoré de Balzak ishte një “forçats littéraire”, pra “një i dënuar me punë të detyruar letrare”. Ndërsa «forçats», ishin të dënuar që bënin punët më të rënda nëpër kampe të burgosurish, Balzak ishte po një lloj i dënuari për të shkruar që të mund të shlyente borxhet. Në historinë e letërsisë të pakët duhet të kenë qënë ata që kanë qënë “forçats” të tillë, por Balzaku ishte padyshim i dënuari më i jashtëzakonshëm në gjithë historinë e letërsisë botërore. Për të shlyer borxhet, atij i duhej të punonte, natën dhe ditën. Në 10 ditë ai arriti të shkruante dhe 6 mijë rreshta. Madje në këtë periudhë ai firmosi kontrata për 32 libra të ardhshëm. «Nëse do të punoj siç kam punuar këto tre vjet, jam i sigurt se do ti shlyej të gjitha borxhet e mia. Dhe kjo do të jetë fitorja më e bukur që një njeri do të arrijë!» Dhe më pas ai shtonte në ditarin e tij: «Dje kam punuar 19 orë ndërsa sot duhet të punoj 20 ose 22 orë. Por ajo që më lodh janë korrigjimet». Por kjo është një luftë e tmerrshme, e përditëshme. Dhe që ta mundë këtë stërlodhje ai filloi të hante në mënyrë të jashtzakonshme, ai pinte verë me shumicë, çka e rëndon dhe e dhjamos trupin e tij. Hemorragji, inflamacion cerebral, verdhëz, humbje e kujtesës…sëmundjet e trupit të tij fillojnë të ndjekin njëra pas tjetrës.

Hanska, dashuria e vërtetë

Historia e Hanska-s, e cila më vonë do të bëhej gruaja e Balzaku-t është një histori e rrallë në botën e dashurive më të njohura të shkrimtarëve të botës, diçka jo e zakontë. Balzaku ishte atëherë në kulmin e krijimtarisë së tij dhe kishte përjetuar shumë aventura dashurie në botën e salloneve letrare. Dashuri efemere por dhe të gjata që zgjasnin në vite. Dashuri që rizgjoheshin dhe binin përsëri në gjumë. Atë kohë ai merrte letra të shumta nga adhurueset e tij dhe një ditë, një adhuruese me pseudonimin “E huaja” i shkruante me një devocion të veçantë: “Gjenia juaj më duket sublime, por duhet që ajo të bëhet hyjnore”…Kush vallë ishte kjo?…”I bëj homazh shpirtit tënd dhe do të doja të isha motra juaj…për ju unë jam e «huaja» dhe do të jem kështu gjithë jetën. Ju s’do të më njihni kurrë!” I habitur dhe i intriguar nga kjo letër e këndëshme dhe dëshira për ta zbuluar, Balzaku i u përgjegj përmes një letre, të cilën e botoi në një nga gazetat pariziane, pasi nuk kishte asnjë adresë se ku mund ta dërgonte atë. Dhe përgjigja e së “huajës” nuk do të vononte. “Ju dua, o e Panjohur! Kjo gjë e çuditëshme është diçka e natyrshme për një jetë boshe e të mjerë. Nëse kjo aventurë duhej ti ndodhte dikujt, ai duhej të isha unë!” Një histori dashurie fillonte përmes letrash që do të vazhdojnë një periudhë të gjatë. Madje Balzaku përgjërohej: “Nëse m’a kërkoni, për ju që nesër e thyej penën time. Asnë femër tjetër s’do ta dëgjoj më zërin tim!”

Balzaku jetonte atëherë në ekstazë për dashurinë, edhe pse vazhdonte historitë me ish të dashurat e tij, dukeshën Abrantes, apo një tjetër adhuruese, Maria Fresnay, e cila një ditë i kishte shkruar: «Duam vetëm një vit dhe unë do të dua gjithë jetën». Po, ai e deshi për pak kohë. Balzaku do t’i përgjigjej. Për ca kohë, meqë zonja Hanska ishte larg, ai iu dha dëshirës pas zonjushës Fresnay. Një vit më vonë u lind një fëmijë: Marie. Askush nuk e dinte këtë ngjarje. Balzaku mundohej që këtë ta mbante të fshehtë, gjer në ditën e testamentit të tij, kur vajzës së tij, Marie, i la trashëgimi një pjesë të pasurisë. Fill pas kësaj aventure, Balzaku u nis në Neufchatel të Zvicrës për të takuar Hanska-n. Ishte takimi i tyre i parë. Cila ishte vërtetë kjo grua e hijshme, e martuar me një princ dhe që shkruante me kaq zjarr? Vite më vonë, princ Hanski ra në gjurmë të letrave të shkrimtarit që adhuronte, të cilat i drejtoheshin Hanska-s me një përgjërim të përcëlluar. Fisnik siç ishte, ai e mori thjesht si diçka idilike, por letërkëmbimi mes tyre do të vazhdonte. Më vonë Hanska do të vinte në Paris dhe sëbashku do të bridhnin nëpër Francë dhe në Europë. Çifti i dashuruar udhëtonte: Drezden, Bruksel, Roterdam, Berne, Gjenova… Ishte kohë ëndrash dhe përjetimesh. Megjithatë, kur Hanska u kthye në Poloni, ajo e kuptoi se nuk mund të martohet me Balzakun përsa kohë është e martuar. Kështu për disa kohë ajo u largua nga i dashuri i saj, edhe pse letrat ishin gjithnjë të përgjëruara “Çdo letër tëndja më çmend nga gëzimi, – i shkruante ajo. Ndërsa ai i përgjigjej: ”Ju jeni jeta ime, forca dhe drita ime”. Dhe vazhdimisht Balzaku e informonte për veprat e tij: «Xha Gorio është një vepër e bukur por tmerrësisht e trishtë».

Por Hanska nuk ishte ende e vendosur për tu hedhur përfundimisht në krahët e Balzakut. Në vitin 1848, përmes një letre ajo i kërkoi që ai ta shkatërronte gjithë korrespondencën e saj. Në 3 shtator të atij viti, para se të ikte ta takonte larg Francës, ai i dogji të gjitha letrat dhe i shkruajti : «Sapo bëra sakrificën më të madhe që mund të bëja. U ndava nga thesari im më i çmuar. Gjithçka u shkatërrua. Jam në ethe. Përgjatë një ore përjetova 15 vitet tona të përbashkëta. I hidhja letrat në zjarr duke vështruar datat e tyre”… Hanska ishte në Ukrainë. Aty familja e saj kishte një kështjellë. Më së fundi ajo pranoi që Bazaku të shkonte ta takonte. Tashmë ajo ishte e lirë. Burri i saj, konti Hanski ka vdekur. Eshtë shkurt, është koha e Revolucionit. Turmat e revoltuara kanë pushtuar sheshin e Concorde-s dhe vërshojnë në Champs Elysées, në Place de la Madeleine. Kështu, Balzaku zbriste në sheshet e revoltës popullore. Në rrugën Richelieu, disa që e njohin fillojnë të thërrasin në rrugë: “Rroftë Monsieur Balzac!» Një ditë më vonë, monarku Louis Philippe abdikoi. Dinastia e Orleanëve kishte marrë fund. Franca u bë sërrish me Republikë. «Kopshtet e Tuilleries u pushtuan, – shkruan Balzak. – Pashë bastisjet. Ç’spektakël? Të gjitha gjërat e bukura të Tuilleries dhe Palais Royale u bastisën, u thyen, u shkatërruan. Dhe ja rezultati: anarki ! S’ka më gazeta, botime, s’ka më të ardhura, letërsi, s’ka më librari.» Një moment, ai mendon të vendosë kandidaturën, por pastaj ndryshon mëndje. Atë kohë vdiq dhe shkrimtari Chateaubriand. Balzaku mendoi se mund të zinte vëndin e tij në Akademinë Franceze. Pse jo? Atëherë shkoi dhe takoi Hygonë, i cili i thotë: «Unë do të votoj për ty!»… Duke kujtuar Balzakun e kohës së Revolucionit, Hygo ka shkruar: «Ç’është Franca e vitit 1848 ? – pyet ai me përbuzje. Një vënd që interesohet vetëm për interesa materiale, pa patriotizëm, pa ndërgjegje, ku pushteti është pa forcë, ku zgjedhjet, frut i arbitrazhit të lirë, dhe liria politike janë veçse mediokritete, ku forca brutale u bë e nevojshme kundër dhunës popullore, ku paraja dominon të gjitha çështjet, dhe ku individualizmi, produkt i urryer i ndarjes së trashëgimisë që zhduk familjen do të shqyejë gjithçka, madje dhe kombin…» Dhe në fund Hygo përfundon, «Do apo s’do ky autor i një vepre gjigande, ai i përket asaj race të fortë të shkrimtarëve revolucionarë.»

Por Hanska tashmë i shkruan të niset shpejt. Në pranverë të vitit 1848 ai u nis. Më 2 mars të, në një kishë katolike të Berditcheff, Balzaku martohet me vejushën 46 vjeçare Evelyne Hanska. Ai është 50 vjeç, por tashmë mjaft I lodhur. «U martova me gruan që desha në këtë jetë», – do të shkruante i gëzuar ai.

Komedia Njerëzore

Për një kohë të gjatë, ideja e krijimit të një afresku gjigand, të një korpusi letrar si Komedia Hyjnore e Dantes, e kishte joshur imagjinatën e tij. Unë do të bëj Komedinë Njerëzore, kishte vendosur më së fundi ai, kur pena e tij kishte filluar të bëhej e njohur në botën letrare pariziane. Dhe kështu ai filloi projektimin e katedrales romaneske të tij dhe të vendoste gurët themeltarë të kësaj katedraleje me romanet e ardhëshme të tij: lista titujsh me personazhe dhe histori përkatëse, por që shtoheshin vazhdimisht në fletoret e shënimeve të tij. Skena nga jeta pariziane, Skena nga jeta private, etj.

Në themel të kësaj vepre madhore do të ishin gjithë ata personazhe që kishte vëzhguar syri i tij, bota njerëzore në kompleksitetin e vet, monarkia dhe feja, edhe pse ai nuk ishte as legjitimist, as revolucionar dhe as një borgjez i vërtetë. Por mbi të gjitha, në këtë vepër do të ishte paraja, ku Balzaku shikonte “Zotin modern” të kësaj bote. “Ari përfaqëson gjithë forcat njerëzore”, – thoshte Gobsek. Dhe Gobseku e donte paranë në gjëndjen e tij të pastërt, në metal!

“Nuk mund të shkruaj më…”

Romanet e Komedisë njerëzore vazhdojnë të botohen njëri pas tjetrit, por pagjumësia dhe puna e stërmundimshme, me hspresë që të shlyente përfundimisht borxhet do ta drobisin tmerrësisht trupin e tij. Në vitin 1846, katër vjet para vdekjes së tij, ai i shkruante Hanska-s së dashur: “Nuk mund të shkruaj më. Tani ngushëllohem vetëm me kujtimet. Gjithçka më është e mërzitshme dhe s’më pëlqen asgjë…” Megjithatë, herë-herë shkrimtari zgjohet nga kjo kapitje e madhe dhe rifillon të shkruaj. Përsëri natën. Përsëri me tasin e tij të kafesë që ta mbaje zgjuar deri në agim. “Do ti vihem të shkruaj romanin Kushërira Betty, i shkruante ai dhe nis të punojë si i çmëndur. “Mjeku më thotë se po punova kështu shëndeti im do përfundojë keq. Diçka fatale do të më ndodhë”. Edhe më vonë, kur kthehet nga udhëtimi me Hanska-n dhe martesa me të në Ukrainë, ai përsëri e ndjen se jeta e tij është në fundin e vet. Ideja e vdekjes së shpejtë nuk i ndahet. Ai mendon të shkruajë akoma dhe pesëdhjetë romane që të përfundojë gjithë skemën e romaneve që do të përbënin komedinë njerëzore, por kjo tashmë i duket e pamundur. Të gjitha ishin në mëndjen e tij. Por tani as mund të lexonte, as mund të shkruante. Sytë i digjnin Vizitat janë rralluar në hstëpinë e tij. Në Paris tashmë ka ardhur dhe Hanska. Ata banojnë së bashku. Dhjetra vjet i kishin ëndërruar këto çaste të një jete familjare, të përbashkët. Ai dhe ajo, vetëm ata të dy. Ajo shpresonte se ndoshta Balzaku do të përmirësohej dhe ata do ti përjetonin gjithë ëndrrat e tyre. Ndoshta…Madje Hanska mbeti shtatzënë, por mjerisht dështoi. “Nuk e besoja se do të doja kaq shumë një rifillim të ri të qënies, – shkruante ai. – Por ishe ti…Po të gjej mundësinë për të krijuar përsëri do ti vihesha punës gjer në vdekje”…Mjekët i kërkuan Balzakut të bënte pushim të plotë. Ai e imagjinonte veten në varreza, sikur kishte rënë në humbëtirën e vdekjes, të së panjohurës. “Jo, – shkruante ai, – nuk është nata, por drita, nuk është fundi, por fillimi. Nuk është hiçi por përjetësia. A nuk është e vërtetë se këta qivurë dëshmojnë pavdekësinë?” Ai tashmë nuk dilte më nga shtëpia. Madje filloi të shlyejë një pjesë të borxheve. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte në një kolltuk dhe ëndërronte. “Unë nuk përjetova as një rini të lumtur, as një pranverë të lulëzuar, por do të kem përpara një verë të shkëlqyer dhe vjeshtën më të ëmbël të të gjitha vjeshtave”. Por kjo do të ishte thjesht një iluzion, pasi sëmundja e zhyste përsëri në një trisht të madh. “E pamundur të zgjoj trurin tim dhe të mendoj për ndonjë roman, të hedh dhjetë rreshta, apo një ide…” – shkruante me dhimbje ai. Doktori i zbuloi një peritonit, por inxheksionet që i bëjnë nuk sjellin asnjë përmirësim. Mjeku e kupton se ishte fundi…Tashmë ai villte dhe gjak. Ethet e tij ishin të vazhdueshme.

Në fillim të korrikut të vitit 1850, Hygo, që interesohej për shëndetin e mikut të tij, e pyeti mjekun për gjëndjen Balzakut. Por fjalët e mjekut ishin të rënda: “Ndoshta mund të zgjasë dhe gjashtë javë!” Më 18 korrik, Hygo i shkoi ta takojë përsëri në shtëpi. Balzaku ishte i qeshur dhe me shpresa. “Madje Balzaku më shoqëroi deri te porta”, – shkruan Hygo. Hygo dhe Eve Hanska zbresin shkallët drejt daljes, ndërkohë që nga pas dëgjohej zëri i Balzakut: “Mos harro që ti tregosh Hygosë tabllotë e mia”. Kjo ndodhte në Rue la Fortune, që do të thotë “Rruga e Fatit”, por siç thoshte Eve, ajo ishte thjeshtë “infortuné”, pra një rrugë pa fat. Kështu ecte Balzaku, ngadalë drejt vdekjes, pa e mbaruar gjithë kryeveprën që kishte menduar, Komedinë Njerëzore. Ai tashmë ishte personazhi i 2055 i kryeveprës së tij: Honoré de Balzac. Në delir e sipër, një ditë më parë, ai kishte thirrur një nga personazhet e tij imagjinarë, doktor Bianchon: “Vetëm doktor Bianchon mund të më shpëtojë”. Donte të mbaronte kryeveprën e tij…por sytë e tij nuk do ta shikonin më dritën e jetës.

Varrezat e «Père Lachaise» në periferi të Parisit janë gjigande. Ato i ngjajnë një qyteti të vdekurisht, dhe mes tyre, të shumtë janë artistët, shkrimtarët dhe filozofët e Francës : Molière, Bodler, La Fontaine, Prouste, Apollinaire…Aty është dhe varri i Balzakut, i vdekur në 18 gusht të vitit 1850. Shumë vite më parë e kisha kërkuar dhe e kisha gjetur varrin e tij. Para bustit të tij kisha bërë dhe një fotografi dhe si një lexues i apasionuar dhe i hershëm i veprës së tij, e kisha përshëndetur autorin e madh, jo vetëm si një nga penat gjigande të Francës, por dhe të gjithë njerëzimit.