Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Ngërçi që po e ngulfat Kosovën


Kosova pa qeveri, aleatët të shqetësuar, qytetarët të zhgënjyer…
Kriza e krijimit të qeverisë pas zgjedhjeve të fundit ka ekspozuar dobësitë e thella të sistemit politik të Kosovës. Për muaj të tërë vendi ka mbetur pa qeveri funksionale, duke prodhuar pasoja të rënda në planin e brendshëm dhe duke e paraqitur Kosovën si një shtet të paqëndrueshëm në sytë e aleatëve ndërkombëtarë.
Vetëvendosja, si mazhoranca politike, padyshim mban përgjegjësinë më të madhe për bllokimin e procesit. Qëndrimet e saj refuzuese për të bërë kompromise kanë lënë hapësirë që Serbia dhe Rusia ta përdorin këtë ngërç si argument kundër shtetësisë së Kosovës. Por, mjerisht, edhe opozita, duke mos qenë e aftë të ofrojë një alternativë të besueshme, ka kontribuar që kriza të thellohet edhe më shumë.
Pasojat janë të dukshme në çdo pore të jetës: aleatët perëndimorë e shohin Kosovën si një shtet të paaftë për të menaxhuar proceset demokratike, ndërsa qytetarët kanë humbur besimin tek institucionet. Kjo ka bërë që pjesa vitale e shoqërisë, rinia të largohet, duke mos e parë të ardhmen në Kosovë. .
Sfida e vërtetë nuk është vetëm krijimi i një qeverie, por rikthimi i besimit të qytetarëve. Në prag të zgjedhjeve të reja, qytetarët me të drejtë pyesin: a do të tregojë klasa politike maturi për të rikthyer stabilitetin, apo do ta lërë Kosovën edhe një herë të zhytur në krizë?