SPAK gjen sistem përgjimi në zyrën e Agasit, një USB me 1 vit regjistrime ka të dhëna shumë shqetësuese
Hetimi i Prokurorisë së Posaçme për AKSHI-n ka zbuluar të dhëna shumë shqetësuese. Në zyrën e Ergys Agasit është gjetur një pajisje përgjimi si dhe një USB me rreth 1 vit përgjime.
Ekzistencën e saj e ka pranuar edhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla i cili ka folur për situatën hetimore me çështjen AKSHI, gjatë një interviste në MCN.
“Ambasada amerikane u ka anuluar vizat personave të hetuar për grup të strukturuar kriminal në dosjen e AKSHI, mes tyre dhe drejtueses Mirlinda Karçanaj. Një USB ka marrë në qafë tërë shtetin. Përgjimet e marra te zyra e Ergys Agasit, teknologjia e gjetur te zyra e tij, ka marrë më qafë zyrën e shtetit. Aty ka dalë shejtani nga shishja dhe s’po e fut dot kush. Kjo USB ka një vit përgjime. Përgjime operative, ambientale, me shkrim. Ai që ka bërë më shumë dëm është biznesmeni që ka shkuar në Gjermani dhe ka dhënë letrat” – tha Kulla.
Agasi, i cili veç të tjerave përflitet edhe për lidhje në Shërbimin Informativ është në kërkim.
Në një nga banesat e tij veç të tjerave është gjetur edhe një koleksion luksi i pijeve ekstra të shtrenjta. Ato janë konstatuar nga agjentët e BKH-së, të cilët kanë njoftuar prokurorin e çështjes. Me urdhër të prokurorit, është vendosur masa e sekuestrimit.
Në një moment është tentuar ndërrimi i shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi më herët ishte kryer fotografimi dhe dokumentimi i plotë i tyre nga grupi i hetimit.
Bëhet fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet me çmime shumë të larta. Koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimit të mëtejshëm për burimin e ligjshëm të pasurisë pasi vetëm vlera e tyre arrin në 3 milionë euro.
Agasi akuzohet edhe si pjesë e një grupi kriminal. Në akuza përfshihet pengmarrja dhe detyrimi përmes dhunës, për heqjen dorë nga tenderat e AKSHIT.
Për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin janë caktuar masa të sigurisë arrest me burg. Ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim.
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv drejtoreshën e AKSHI.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për cënim të Sigurisë Kombëtare, pasi kjo agjenci është një prej institucioneve më sensitive në vend.
AKSHI menaxhon thuajse të gjithë sistemin e qeverisjes digjitale përmes E-Albania, përfshi dhe të ashtuquajtën ministrja “Diella” e krijuar me Inteligjencë Artificiale. AKSHI menaxhon sisteme dhe të dhëna që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike kombëtare, çka e bën funksionimin e këtij institucioni një provë lakmusi për stabilitetin dhe besueshmërinë e administratës publike. Në këtë aspekt, ndikimi I punës së agjencisë nga një grup kriminal ka ngritur shqetësime mbi kufirin mes korrupsionit administrativ dhe cenimit të Sigurisë Kombëtare.