RUDI ELO: PEMË E VOGËL DIMRI
Sot u përurua një libër brohoritjesh
erdhi premtimi i ri gjithë talent
talent bekuar nga gishti,
bashkëkohësit duhet t’i hapin
vend… pa iu dridhur qerpiku
pa mëdyshje artisti.
Në këtë përurim libri
qënka e ardhmja
poetike …
…kudo do të lerë shenjë,
nga republika e vargjeve
më premtuesi më i fismi
i s’ardhmes epiko-lirike
ky libër… qenkërka
zbulim kozmik
në re në qiell
pemë!!!???
Ndryshe nga këto brohorima
libri i vërtetë rri mënjanë
përhera më gjakftohti
tharm poetik,
më pranverori mendimtar
ndoshta më i thëllimti
nga thinjat
lulebore i thëngjilltë.