Postimi i Departamentit të Shtetit dhe doktrina Monroe
Departamenti Amerikan i Shtetit postoi një foto të Donald Trump në rrjetet sociale, të shoqëruar me frazën “Kjo është hemisfera jonë”.
Në mbishkrimin e postimit, Departamenti i Shtetit thekson se “kjo është hemisfera jonë” dhe nënvizon se Presidenti Trump “nuk do të lejojë që siguria e Shteteve të Bashkuara të rrezikohet”.
Operacioni i Karakasit dhe Doktrina Monroe
Kjo doktrinë përshkon pothuajse 2 shekuj të politikës amerikane. Quhet “Doktrina Monroe” dhe e ka përcaktuar Amerikën Latine që nga viti 1823 si një zonë me interesa jetësore të SHBA-së. Me kalimin e kohës, ka evoluar nga një deklaratë, në veprime konkrete.
Gjatë Luftës së Ftohtë, doktrina ishte e veshur me një mantel antikomunist. Pas vitit 1991, ajo mori gjuhën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe luftës kundër krimit.
Thelbi, megjithatë, mbeti i njëjtë: asnjë fuqi konkurruese nuk duhet të fitojë thellësi strategjike afër SHBA-së.
Sot, konkurrenti nuk është Moska. Është Pekini. Venezuela – me rezervat e saj të mëdha të energjisë, rrjedhat e naftës në Azi dhe vlerën gjeopolitike – është bërë një qendër e kësaj konkurrence.
Ndaj operacioni në Karakas nuk ka të bëjë vetëm me regjimin as me vetë Maduron. Bëhet fjalë për mesazhin se “periferia e afërt” e SHBA-së nuk është e negociueshme, ndryshe përballesh me Trumpin.
Nga sanksionet te veprimi ushtarak
Rruga është e njohur. Sanksione. Izolim diplomatik. Presion ekonomik. Përpjekje për ndryshime të brendshme pushteti. Kur e gjithë kjo nuk funksionoi, erdhi fakti i kryer. Kapja e një kryetari shteti në detyrë me mjete ushtarake nuk është thjesht përshkallëzim. Është një ndarje me vetë retorikën e “rendit të bazuar në rregulla” që SHBA-të e kanë përdorur për dekada.
Dhe në këtë pikë “Doktrina Monroe” tregon versionin e saj modern: më pak si deklaratë dhe më shumë si praktikë. Jo me grushte shteti në stilin e Luftës së Ftohtë, por me operacione “kirurgjikale” që prodhojnë një rezultat politik të menjëhershëm.
Çfarë është “Doktrina Monroe”?
Doktrina Monroe lindi në vitin 1823 si një deklaratë në dukje e thjeshtë dhe mbrojtëse. Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, James Monroe, deklaroi se kontinenti amerikan nuk ishte më i hapur ndaj kolonializmit europian. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara u zotuan të mos ndërhynin në çështjet europiane. Në letër, ishte një akt vetëmbrojtës nga një shtet i ri kundër perandorive të vjetra. Megjithatë, në praktikë, “Doktrina Monroe” evoluoi në diçka shumë të ndryshme.