Albspirit

Media/News/Publishing

FERHAT HYSA – ZEMËRBARDHËSIA E EKSPERTIT TË POLICISË SË SHTETIT

(In memoriam për birin e shuar të Peqinit, për Ing. Ferhat Ibrahim Hysa (28 prill 1955 – 8 janar 2026), oficerit të përkushtuar të Policisë së Shtetit, burrit zemërbardhë, që u shua në këtë fillimjanari të vitit 2026, por që la emër të mirë me punët e mira në interes të Policisë, të përgatitjes së kontigjenteve të rrugores, motorristëve dhe më tej edhe si mjeshtër në trajnimet e shoferave të rinj, i rrugëve të hapësirës shqiptare, eksperti i aksidenteve rrugore. Ai ishte dhe ngeli një oficer policie model, inxhinier i talentuar, familjar i përkushtuar, njeri thelbësisht në gjithë qënien e tij nga më njerëzorët, i thjeshtë, i papërtuar, i aksionit, i vëmëndshëm, një babaxhan i vërtetë. Zemërbvardhësia dhe sjellja njerëzore la gjurmë të thella në Akademinë e Sigurisë në Policinë Rrugore, në Policinë e Shtetit, prandaj edhe emri i tij jeton dhe do të jetojë në përjetësi).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Drejtues Mehdi ÇANGA & Kryekomisar Fisnik ZIÇISHTI

Akademia e Sigurisë

Përfaqësues dinjitoz i qytetarisë peqinase

Bijtë e bijat e qytetit të Peqinit, me të drejtë krenohen për rrënjët e lashta dhe nga më të vjetërat e truallit iliro-arbëror-shqiptar. Ky qytet dhe treva përreth është shtëpiza e një copëze mjaft të rëndësishme shqiptare. Këtu ka lindur është rritur, shkolluar dhe formësuar një prej personaliteteve të kësaj zone Ing. Ferhat Ibrahim Hysa (28.4.1955 – 8.1.2026), oficeri i njohur dhe i përkushtuar të Policisë së Shtetit, burrë zemërbardhë dhe nga më njerëzorët që kemi njohur. Vendlindjen ai shpesh e quante truallin e urtësisë dhe të mençurisë, lavdisë, njerëzve të pushkës, të penës dhe të punës.

Ndërkohë që kur flasim për Peqinin na duhet të flasim për mjaft histori njerëzore, që kanë bërë emër për shqiptarizmën, të flasim për lashtësinë, rrugëtimin në qytetërim e civilizim, për betejat ilire në këtë zonë dhe që fillonin që nga bregdeti, për njerëzit paqedashës së kësaj treve që mbushnin formacionet në qëndresat e shqiptarizmës, për qytetin e lashtë Claudiana (Peqini i sotëm); Klaudiana kishte një kulturë të admirueshme dhe zhvillim ekonomik dhe Peqini ishte pjesë e vilajetit te Manastirit, por burimet historike të vitit 1431 tregojnë se Peqini njihej edhe si “Biklinet” dhe më vonë “Peklin” ose “Vend me njerëz mikpritës”.

Këtu tradita vijoi me epokën e motit të Arbërit, të Gjergj Kastriotit, Rilindasve, Pavarësisë, luftrave çlirimtare të shqiptarëve, LANÇ-it, triumfin dhe lavdinë, për familjet, gjyshërit, baballarët e nënat, për varret e të parëve, për luftrat, punën dhe mbijetesën, për njerëzit e mirë që la lindur e rritur kjo trevë. Padyshim që një prej njerëzve që mori mençuri dhe dritë për vendlindjes dhe ja ktheu asaj me punë e djersë përgjatë gjithë jetës është shoku, miku dhe kolegu i një armate njerëzish që punuan, punojnë dhe do të punojnë në fushën e rendit dhe sigurisë publike në vendin tonë.

Të qetë, të sigurtë, të papërtuar një babaxhan të vërtetë, kështu e kujtojnë dhe do ta kujtojnë përherë kolegët e punës oficerin e përkushtuar të policisë, birin e trevës së Peqinit, inxhinierin Ferhat Hysa.

Familjar shembullor, dinjitoz në punë dhe tepër human e njerëzor në jetë

Biri i Peqinit, Ing. Ferhat Hysa solli në mjediset shkollore në Akademinë e Sigurisë dhe më tej në Policinë e Shtetit ku kontribuoi, një frymë qytetarie dhe komunikimi, dashuri e përkushtim për punën, marrëdhënie të rregullta me eprorët, kolegët e vartësit. Ai kishte një sjellje shokësh dhe ofronte mbështetje të drejtëpërdrejtë dhe të sinqertë, përvishte llërët përballë punës. Ai ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit shtetari me qytetari nga Shqipëria e mesme, i formatuar me tiparet më të dashura të njeriut punëtor dhe të papërtuar.

Ferhat Hysa kishte ardhur në jetë më 28 prill të vitit 1955 në qytetin Peqin, qytet me traditë të hershme patriotike dhe atdhetare, qytet që e “kishin rrahur” erërat e qytetërimeve të “Romës së vjetër” dhe të “Romës së re/Konstandinopojës”, pasi vendlidja e tij ishte shtrati i rrugës 2200 vjeçare “Egnatia”, përbri Shkumbinit, rruga që Straboni e quante “Via Candavia” me emrin e një mali Ilir, rruga nga kaluan qytetërimet, por dhe gladiatorët që u ndeshën në gadishullin ilirik, Çezari dhe Pompeu. Një trevë me histori të pasur civilizimesh.

Këtu u lind Ferhat Hysa, por edhe u arsimua dhe formua në një ambjent familjar të dashur dhe të respektuar, ndërkohë që vijoi studimet e larta për inxhinieri mekanike në periudhën 1.9.1980 deri më 6.2.1986 si dhe si në arsimin e lartë policor si specialist i lartë policie nga 1 shkurti 1996 deri më 28 shkurt 2001.

Kur flasim për arsimimin dhe trajnimet policore janë në dokumentacionin arkivor gjejmë shtatë trajnime me vlerë profesionale që lidhen me trajnimet në Policinë Rrugore (18.1.1999 deri më 19.1.1999) dhe më tej “Trajnim për specialist të vendit të ngjarjes (15.12.2000 deri më 30.12.2000), Trajnim i Trajnereve të Policisë Rrugore (nga 1.3.2001 deri më 15.3.2001), pjesëmarrës në Konferencë për trafikun Rrugor në 2002 si dhe në mjaft konferenca të tjera në dy dekadat e fundit, në Organizimin e Shërbimit për mbikqyrjen e Trafikut Rrugor në qershor të vitit 2004, trajnim policor “Mbi drejtimin dhe Menaxhim Operacional” në prill të vitit 2009, kryerja me sukses të trajnimit policor “Kursi për gradën policore “Kryekomisar” në prill të vitit 2010. Në karrierën e tij policore ka një historik të detajuar të gradimeve nga nëntoger në vitin 1996, toger më 1997, kapiten i parë nga 1997 deri më1.5.2003, kryeinspektor i Policisë nga viti 2003 deri më 2005 dhe më tek edhe nënkomisar pas riorganizimeve të shumta të policisë, kryeinspektor, komisar dhe kryekomisar respektivisht nga viti 2010 deri më 2013 dhe më tej edhe nga viti 2013 deri në vitin 2020.

Karriera e punës së ing. Ferhat Hysa është solide, e qëndrueshme dhe e vrullshme pasi e ka filluar punën si, inspektor i Policisë kriminale në Komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë (më 1.2.1996) dhe e ka përmbyllur si: Specialist/instruktor në Sektorin e Trajnimeve dhe Mjeteve Motorike, në Drejtorinë e Çertifikimeve dhe Shërbimeve ndaj të Tretëve, në Akademinë e Sigurisë më 1 majin e vitit 2020.

Ai ka kryer një jetë dinjitoze në Policinë e Shtetit. Nga detyra e Inspektorit të Policisë kriminale në KP3 në Tiranë (1.2.1996 deri më 25.6.1997) kalon në detyrën kontrollor seksioni të Policisë Rrugore (25 qershor 1996 deri më 16.3.1997); komandant toge në rep 2 KP nr.1 Tiranë (nga 16.3.1997 deri më 1.4.1997). Në mesin e vitit 1997 vijoi me detyrën e shefit të Policisë rrugore në KP nr.3 Tiranë, si dhe më tej në dhjetra detyra me përgjegjësi dhe që cdo ditë që kalonte fitonte përvojë dhe eksperiencë për ta ndarë më vonë edhe me brezat e rinj. Ferhat Hysa bazuar në të dhënat e DPPSH-së ka kryer 26 detyra me përgjegjësi, ku dominon shërbimi në Policinë Rrugore si në Tiranë, Durrës, Kavajë, Shkodër, Mallakastër, Lezhë etj.

Përmendim këtu disa nga detyrat me përgjegjësi si: shef seksioni i policisë rrugore dhe trafikut KP Rrugore, nga 1.12.2006 deri më 20.8.2007; në Komisariatin e Policisë Rrugore ne DPQ Tiranë, Shef seksioni ai dhe specialist, në Sektorin e edukimit, verifikimit dhe parandalimit në Drejtorinë e Policisë Rrugore, Specialist në Sektorin e edukimit dhe trainimit, Drejt. Pol. Rrugore nga 27 dhjetor 2012 deri më 18 korrik 2013; Shef Komisariati: Komisariati Menaxhimit të Trafikut Interurban Lezhë në vitin 2013; Shef seksioni dhe specialist: Seksioni i policisë rugore në Komisariatin e Policisë Mallakastër për dy vite 2013 deri më 2014; më tej ka qenë Shef seksioni dhe specialist në policinë rrugore në Komisariatin e Policisë së Shkodrës nga 7 korriku 2014 deri më 29 shkurt 2016; Shef seksioni dhe kryetar i OASH: Seksioni i kontrollit, OASH, hartimit statistikës dhe administrimit te dokumenteve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër nga 1 marsi 2016 deri më 31 tetor 2016; Specialist/instruktor: Sektori i Trajnimeve dhe Mjeteve Motorike, në Drejtorine e Çertifikimeve dhe Shërbimeve ndaj të Tretëve, në Akademinë e Sigurisë nga 1 nëntori 2016 deri më 31 maj 2017 dhe më tej edhe Specialist/instruktor: Sektori i Trajnimeve dhe Mjeteve Motorike, në Drejtorinë e Çertifikimeve dhe Shërbimeve ndaj të Tretëve (DÇSHT) në Akademinë e Sigurisë nga 1 qershori 2017 deri më 30 prill 2020. Inxhinieri profesionist e mbylli karrierën në Policinë e shtetit në moshën 65 vjeçare (me urdhër nr.455/1, datë 21.4.2020), sikurse i thonë në gjuhën e popullit, “e mbylli me kapak floriri”, për të vijuar deri në fund të jetës për të shërbyer në një jetë shumë aktive dhe të vrullshme.

Pjesë e elitës qytetare, shqetësimeve të komunitetit dhe vlerë profesionale

Ing. Ferhat Hysa ka qenë pjesë e pandarë dhe me kontribute edhe në fushën e zgjidhjeve dhe zgjedhjeve të problematikave të rrugores, të shqetësimit dhe mendimit qytetar që vinin edhe nëpërmjet “zërit të medias”. Ja një fragment interviste të ing. Ferhat Hysës: “Ferhat Hysa: Ku ka përmirësim të rrugëve, ka edhe aksidente. Edhe pse ka një debat se aksidentet rrugore lidhen me mungesën e infrastrukturës në Shqipëri, eksperti i aksidenteve rrugore, Ferhat Hysa, thotë se sa më e lartë të jetë cilësia e rrugëve, aq më shumë aksidente do të kemi.

Në një intervistë për Rtv Ora (më 6 mars 2021), ai solli rastet e rrugës Tiranë-Plepa dhe rruga e Dajtit, akse në të cila prej vitesh nuk ndodhin aksidente. Më konkretisht: Ferhat Hysa: Rrjeti rrugor në Shqipëri është në përmirësim e sipër prej disa vitesh. Në rrugët që nuk janë shumë të mira si rruga Tiranë-Plepa ose rruga e Dajtit, ka disa vite që nuk ndodhin aksidente. Aty ku ka përmirësim, ka edhe aksidente. 82.7% e aksidenteve ndodhin në rrugë të drejtë dhe rrugë të thatë. Por të shikojmë 15 ditët që ishin me ngrica dhe dëborë, rrëshqitja është shumë madhe, nuk pati asnjë aksident sepse kujdesi i drejtuesve ishte maksimal. Kur bie kujdesi, ndodhin aksidentet. Eksperti e rendit si një nga shkaqet kryesore të aksidenteve, shpërqëndrimin vizual të drejtuesve të mjetit; të gjitha rastet akasidentet rrugore ndodhin për faj të përdoruesit të rrugës, drejtuesi i mjetit ose këmbësori. Pjesa tjetër është për rrugët”.

Ing. Ferhat Hysa e gjejmë më vonë edhe si Drejtues Teknik në GBI (ish- “Albania Health And Safety Center”).

Ai ka shërbyer në trajnime në kurse profesione per sigurinë teknike, për sigurinë në ambientet e punës, per sigurinë rrugore, për komunitete që afektohen nga vepra infrastrukturore dhe energjitike me qëllim dhe fokus parrezikshmërinë dhe sigurinë teknike, kurse formimi professional në drejtimin e sigurtë të mjetit, fushata sensibilizuese në lidhje me sigurinë, dhe cdo aktivitet tjetër që lidhet me sigurinë.

Ing. Ferhat Hysa ka shërbyer edhe në trajnime me simulator virtual per mjete të tonazhit të rëndë dhe të gjitha mjeteve te transportit publik, si kamione, autobuzë, ambulanca etj për certifikimin e aftësisë profesionale të drejtuesit e këtyre mjeteve; si dhe në trajnime dhe pajisje me dëshmi të aftësise profesionale per drejtuesit e mjeteve dhe personelin e shërbimit të shoqërimit teknik të mjeteve jashtë norme në kryerjen e transporteve në kushte jo normale, në autoshkollë per dhënien e lejes së drejtimit të automjeteve, në instalime të sistemeve të gjurmimit me sinjal GPS, si dhe në shërbime të ndryshme sipas kërkesës së palëve të interesuara bazuar në legjislacionin shqiptar. Për rrethin shoqëror e miqësor të inxhinierit që i hanin duart për punë në çdo kohë, prezantimi i tij vinte gjithmonë nëpërmjet punëve, mirësisë njerëzore dhe shoqërisë së gjerë si në Policinë e Shtetit ashtu edhe pas “pensionimit”, sepse në fakt nuk ka qenë kurrë pensionist. Si drejtues teknik të “GBi” Ing. Ferhat Hysa njihet si oficeri i policisë, si shembullor, i diplomuar si inxhinier mekanik në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe më tej i armatosur me dije pasi kishte përfunduar studimet master në Akademinë e Policisë së Tiranës, me përvojë mbi 27 vjeçare në strukturat e policisë rrugore, si specialist në çështjet e sigurisë në rrugë, si ekspert teknik automobilistik dhe që prej vitit 2016 e në vijim deri më 2020-tën.

Ing. Ferhat Hysa ka qenë pjesë e mjaft studiove televizive, ku me këshillat, mendimet e sugjerimet prej eksperti ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit i dobishëm për shoqërinë e komunitetin. Ai ishte i kudondodhur në gazeta e revista, në radio e televizione, jetonte me hallet e njerëzve me shqetësimet e përditshmërtisë së rrugëve, i fruar për ekspertizë ditën dhe natën, njohës apsolut i rrugëve të vjetra e të reja, i maloreve dhe dishezave, inxhinier dhe mësues për brezat e rinj, ku mbi të gjitha spikaste butësia e njerëzillëku, zemërbardhësia e prokupimi qytetar.

Shokët e miqtë në Policinë e Shtetit e kujtojnë edhe si qitës i dalluar të ekipit qitjes të Elbasanit, pjesëmarrës në kampionate kombëtare dhe si gjyqtar e trajner nga më të mirët. Akademia e Sigurisë e ka pasur për nder të kishte një ekspert të sigurisë rrugore dhe kontribues real në përgatitjen e brezave të rinj, që shpesh e quanin Ing. Ferhat Hysa një shkollë brenda shkollës.

Ai e mbushi jetën me aktivitet dhe ngeli misionar në gjithë Shqipërinë, la mbrapa pasardhës të denjë, sot fluturon mbi retë në parajsën e bardhësisë së përjetshme. Largimi i parakohshëm nga jeta është humbje dhe dhimje e trishtim për shokët, miqtë, kolegët, të cilët nuk mund t’i thonë dot fjalën e fundit “lamtumirë”, në këtë prag feste të 113 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit! Ata që kontribuojnë realisht për shtetin meritojnë edhe titullin e lartë “shtetarë” dhe ngelen përjetësisht dinjitozë në kujtimin e mbarë brezave në Akademinë e Sigurisë dhe në Policinë e Shtetit.