Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: RAMICA – BAZË E LUFTËS NË QARKUN E VLORËS



Populli i fshatit Ramicë në qarkun e Vlorës, në vitet e LANÇ-it, u bë bazë dhe mbështetje e fuqishme e luftës më të rëndësishme dhe jetike për fatet e shqiptarëve, kontribuoi e dha një ndihmesë të çmueshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Populli i këtij fshati malor, i përkushtuar në ndjenjën e patrotizmit dhe i frymëzuar nga dashuria për Atdheun, mori pjesë masivisht në luftë, duke vënë në dispozicion të saj gjithçka që kishin më të shtrenjtë, edhe jetën e tyre. Ramica shërbeu për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare jo vetëm si Zonë e Lirë, por edhe si pikë dominuese strategjike e rëndësishme, me një terren të përshtatshëm ku lehtësonte drejtimin operativ e strategjik të luftës në krejt zonën e Lumit të Vlorës.

Ajo shërbeu edhe si një qendër nga ku nisën dhe u zhvilluan luftime të ashpra, në veçanti gjatë Operacionit të Dimrit të vitit 1943-1944, por edhe në gjithë gjashtëmujorin e parë të vitit 1944. Ramica u bë selia e shtabeve partizane të gjithë qarkut Vlorë, si dhe të brigadave si BrVS, BrIS, BrVIS e të BrXIIS, të çetave dhe batalioneve partizane. Populli i këtij fshati, partizanët e këtyre njësive i strehoi, i ushqeu, i veshi e i mbathi, duke treguar shpirtin e lartë të solidaritetit dhe frymën e humanizmit të paparë. Në Ramicë u hap dhe funksionoi spitali partizan i Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër në shpellë të Hyse, si dhe disa familje që strehuan dhe mjekuan partizanë të plagosur.

Në Ramicë gjetën terren, u strehuan e punuan si ilegalë e legalë Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ali Demi, Manush Myftiu, Pajo Islami, Shefqet Peçi, Haki Toska, Liri Gega, Liri Arapi, Teli Ndini, Ymer Veshi, Ramize Gjebreja e dhjetra të tjerë. Prej muajit tetor 1943 në Ramicë u vendosën në kohë të ndryshme dhe punuan deri në çlirim, Qarkori i Partisë për Vlorën, Komanda e Qarkut, Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar i Qarkut, Shtabi i BrVS, si dhe Shtabi i BrVIS. Në historikun e fshatit, por dhe në lapitarin që përjetëson kontributin e Ramicës në luftë, për Shtabin e BrVIS nuk është shkruar dhe vendosur në vendin që i takon. Komanda dhe shtabi i BrVIS me komandant Tahir Kadare dhe komisar Haki Toskën u vendos në shtëpinë e Hodo Feratit, i cili në atë kohë ishte me blegtori në zonat e okupuara në rrethinat e Vlorës. Nga fshati Ramicë u nisën delegatët e Qarkut të Vlorës për në Kongresin Antifashist të Përmetit, maj 1944, si dhe delegatët e rinisë antifashiste të Qarkut të Vlorës për në Kongresin e Helmësit, gusht 1944.

Kontributi i popullit të Ramicës në luftë

Në Ramicë prej 28 nëntorit të vitit 1942, në Prrallin e Verbasit u zgjodh pushteti i popullit, i përfaqësuar nga Këshilli Antifshist i fshatit, si dhe deri në çlirim janë zhvilluar mbi 30 veprimtari masive me karakter informativ, sqarues e vendimmarrës, në sheshe, në shtëpi, si dhe në livadhe. Mbi 10 shtëpi në Ramicë janë vlerësuar “Baza të Luftës”. Shtëpi bazë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ndër të tjera të titulluara si të tilla janë shtëpitë e Zenel Hasan Curraj, Gilo Lame Sulçaj, Shtëpitë e Dervishe, Zoto Rakip Zotaj, të Cane, të Pronje, të Lavdosh Zaçe Zotaj dhe të Feti e Faik Liçaj.

Mbi 100 djem dhe vajza të Ramicës u rreshtuan në njësitet partizane, kryesisht në BrVS dhe në BrXIIS. Mbi 140 veta në çetën vullnetare e territoriale të fshatit, e cila mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në Qark deri në çlirimin e Vlorës. Mbi 80 gra ramiciote dhanë ndihmesën e veçantë në luftë, në ndihmë të ekonomisë partizane. Populli i Ramicës qëndroi me vetmohim dhe përballoi me trimëri pesë operacionet që kaloi krahina e Mesaplikut, gjurmët e tyre të shkatërrimit dhe të urisë që na lanë trashëgim. Humbjet njerëzore dhe materiale qenë të mëdha. Ramica ka 25 dëshmor, midis tyre dhe partizanen Rakibe Dervishaj, si dhe dwshmoret Hajdine Zoga, Sartw Gabaj dhe Rubie Bocaj, 10 të plagosur, të internuar, të burgosur, 70 shtëpi të djegura, 2.000 bagëti të imta, si dhe mjaft bagëti të trasha të dëmtuara.

Ky është bilanci i humbjeve tragjike që pësoi Ramica nga lufta. Nga djemtë dhe vajzat e Ramicës dolën gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare shumë komandant dhe komisarë, të cilët me çlirimin e Shqipërisë u bënë specialistë të mirë të shumë fushave në jetën shoqërore e ekonomike e deri në ushtri si Mevlan Dervishaj, Pajo Islami, Bako Dervishaj, Mojsi Elezi, Bardhosh Halimi, Lavdosh Zotaj, Njazi Canaj, Shyqyri Ajazi, Gilo Lame, Hasan Abedini, Ismail Burhanaj, Fato Zotaj etj. Rol të rëndësishëm jo vetëm në përkrahje të luftës, por dhe të ndikimit të drejtpërdrejtë edhe për mbarë Ramicën dhe Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dha shembulli pozitiv i dhjetra ramiciotëve jashtë fshatit.

Kështu mund të përmendim Pajo Islami, vëllezërit Feti e Faik Liçaj, vëllezërit Hysni e Muharrem Canaj, Asllan Veshi, Miftar Canaj, Ismail Bocaj me vëllezërit, Nexhip Xhikaj me vëllezërit, etj. Kjo kategori burra e gra ramiciotë ishin dhe ata që gjatë luftës kryen detyra me rëndësi politike dhe ushtarake jashtë fshatit dhe u bënë nderi dhe lavdia me emrin e mirë që bënë dhe për detyrat me rëndësi që kryen.

Ramica nga djemtë e saj pjesëmarrës në luftë, i dha vendit mbas çlirimit rreth 20 oficerë dhe 10 nënpunës të cilët mbasi u shkolluan brenda dhe jashtë vendit kryen detyra me rëndësi në ushtri dhe në administratën shtetërore.

Shefqet Peçi bëri vend dhe ishte miku i parë i Ramicës

Një nga figurat e shquara të LANÇ-it, që njohu dhe punoi e luftoi bashkë me ramiciotët ishte dhe Shefqet Peçi. Ai jo vetëm njohu trimërinë e tyre, por edhe shkroi dhe u këndoi me gjithë zemër, partizanëve, grave dhe vajzave, patriotëve të Ramicës. Kjo lidhje dhe ky kuvendim me trimat e këtij fshati do të vijonte gjatë gjithë kohës së luftës dhe të ndërtimit të Shqipërisë socialiste. Shefqet Peçi bëri vend dhe ishte miku i parë i Ramicës. Njohja e popullit të Ramicës prej Shefqet Peçit kishte filluar kohë më parë dhe u përforcua në zjarrin e LANÇ-it. Shefqet Peçi së bashku me Hysni Kapon filluam menjëherë nga organizimi i brigadës.

Aty u njoh me luftëtarët e BrVS, që shumë prej luftëtarëve ishin nga Ramica të cilët i dhanë nder e lavdi emrit të partizanit. Të tillë ishin luftëtarët dhe kuadrot Mevlan Dervishaj, Moisi Elezi, Bako Dervishaj, Gilo Lame, etj. Ndaj dhe Shefqet Peçi do t’i këndonte Ramicës për ta përjetësuar në histori. Nga Ramica vjen korieri,/ fonogrami me nxitim,/ ti njoftohet ushtrisë, /se në Kuç u vra një trim… Shefqet Peçi e vendosi shtabin e tij në Ramicë. Shtabi i BrVS e kishte rezidencën e vet në shtëpinë e Zotajve në Ramicë.

Komisari Hysni Kapo shkonte sa në një batalion në një tjetër për të mbajtur ndezur zjarret e moralit partizan. Komisarë batalionesh e kompanish si Reiz Malile, Zaho Koka e Todo Manço, Nuri Arapi e Filat Muço, Halim Ramohito e Berdo Asllani, Zenel Hamiti e Jonuz Mersini, Elmaz Teme e Kiço Gjikopulli, Nuri Çakërri e Hajro Çakërri, të gjithë pa përjashtim organizonin në terrene të vështira dhe në kushtet e borës dhe të tufanit konferenca qëndrese.

Ramica dhe Urdhëri i Flamurit

Me Urdhrin e Flamurit është dekoruar fshati Ramicë, e cila gjatë viteve të luftës shërbeu si qendër e rëndësishme e veprimtarisë politike, ushtarake dhe logjistike për ushtrinë partizane dhe organet drejtuese të Frontit Nacionalçlirimtar. Udhëheqja politike dhe ushtarake e luftës, ndiente një detyrim të madh moral për sakrificat dhe heroizmin e popullsisë së fshatit, e cila mbajti në mezin e saj partizanë, duke përballuar operacione armike, e duke sakrifikuar pasurinë, deri edhe jetën. Ndër vendimet e para që mori Kryesisa e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, më datë 14 nëntor 1945, ishte dhe dekorimi i fshatit Ramicë të qarkut të Vlorës, me dekoratwn mw tw lartw “Urdhri i Flamurit”.