Dr. sc. Vlora Obertinca: Mbi romanin “Brenga” të dr. Pashko R. Camaj
E nderuar që isha e ftuar në promovimin e librit më të ri të mikut tim nga New Yorku, Dr. Pashko Camaj në Prishtinë!
“Brenga” e Dr. Pashko R. Camaj është një roman që nuk rrëfen thjesht një histori, por zgjon kujtesën e heshtur të një kombi. Është një vepër që na përball me plagët e pashëruara të së shkuarës së popullit shqiptarë dhe me peshën morale që njeriu mbart, edhe kur arrin lirinë.
Me ndjeshmëri të thellë dhe forcë artistike, autori ndërton një univers njerëzor ku liria dhe vuajtja ecin paralel. Personazhet e tij nuk janë figura letrare të largëta, por ndërgjegje të gjalla, që flasin në emër të atyre që u sakrifikuan, u burgosën, u harruan në Shqipëri dhe jo vetëm. “Brenga” na kujton se liria e fituar larg atdheut shpesh shoqërohet me dhimbjen për ata që mbetën pas, duke e kthyer mallin në një barrë shpirtërore që nuk shuhet kurrë.
Ky roman është një akt i fuqishëm humanizmi dhe një dëshmi se letërsia mund të jetë formë rezistence ndaj harresës. Dr. Camaj nuk gjykon, por ndriçon; nuk akuzon, por dëshmon. Ai i jep zë njeriut të thjeshtë, dinjitetit të nëpërkëmbur dhe nevojës për të mos humbur kurrë thelbin njerëzor, pavarësisht sistemeve shtypëse.
“Brenga” mbetet një thirrje e qetë, por e fortë, për ndërgjegje, kujtesë dhe përgjegjësi morale. Një vepër që e pasuron letërsinë shqiptare dhe që meriton të lexohet jo vetëm si roman, por si reflektim i thellë mbi njeriun dhe historinë e tij.
Jemi një popull i vogël por, falë intelektualëve të shquar shqiptarë në Amerikë e gjithandej nëpër botë, po mbedhim dhe po rrëfejmë copëza të dhimbshme historie që do të lënë gjurmë të pashlyera në historinë dhe letërsinë e kombit tonë.
Dashamirët e librit tanimë mund ta gjejnë romanin “Brenga” në çdo librari edhe në Kosovë.