In memoriam, tenori i shquar, Gaqo Çako
Më 24 janar 1935 lindi Tenori i Madh, Gaqo Çako (1935–2018) – një prej figurave më të ndritura të artit shqiptar, mbajtës i titullit të lartë “Artist i Popullit”.
Nga Konservatori prestigjioz “Çajkovski” i Moskës (1957–1961), ku u formua nën kujdesin e pedagoges së shquar Anna Soloviova, deri te skenat më të mëdha shqiptare dhe ndërkombëtare.
Pas kthimit në atdhe, në vitin 1961, u emërua tenor i përhershëm në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës. Për më shumë se tre dekada, ai ishte zëri kryesor i kryeveprave operistike që u vunë në skenë.
Nga kryeveprat botërore si “Traviata”, “Bohema”, “Rigoletto”, “Norma”, deri te opera shqiptare që mbajnë gjurmën e tij artistike:
• Mrika – Prenk Jakova
• Lulja e Kujtimit – Kristo Kono
• Pranvera – Tish Daija
• Heroina – Vangjo Nova
• Skënderbeu – Prenk Jakova & Abdulla Grimci
• Komisari – Nikolla Zoraqi
• Zgjimi – Tonin Harapi
• Toka e Jonë – Pjetër Gaci
Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij lidhet edhe me skenat italiane, ku përfundoi studimet në konservatorin e famshëm “Santa Cecilia”.
Përtej operës, zëri i tij la gjurmë të thella edhe në muzikën e lehtë shqiptare, veçanërisht në Festivalet e Radios, ku u bë i dashur për një publik shumë më të gjerë.
Zëri i Gaqo Çakos nuk ishte vetëm teknikisht i përsosur, ai ishte emocional, i thellë dhe i paharrueshëm.
Faleminderit, Maestro!
Ti nuk ike – ti thjesht kalove në përjetësi./ Na ishte dikur