Albspirit

Media/News/Publishing

Corriere Della Sera: Ernest Simoni, kardinali që u degdis burgjeve por nuk u thye!

Ai është 97 vjeç, por zëri i tij ende mbart peshën e një jete të kaluar mes vuajtjes, lutjes dhe faljes. Kardinali shqiptar Ernest Simoni nuk është thjesht një dëshmitar i kohës, por një simbol i gjallë i qëndresës shpirtërore përballë diktaturës.

Historinë e tij ai e solli para nxënësve të qytetit Treviljo në Itali. Takimi, i mbajtur në teatrin TNT, preku thellë mbi 300 të rinj nga shkollat e zonës.

Ngjarja u organizua nga qendra ABF në Treviljo, në kuadër të një nisme të përbashkët të shkollave të Karavazhos dhe Treviljos mbi temën e paqes. “Pasi e ftuam kardinalin dhe ai pranoi, vendosëm të hapim aktivitetin për të gjithë nxënësit”, tha drejtori Davide Finazzi. Në rrëfimin e tij, kardinali u ndihmua nga sekretari personal, Vieri Lascialfari.

Ernest Simoni, lindur në vitin 1928, tregoi prirje të hershme fetare. Në moshën 4-vjeçare, e ëma e pa duke “luajtur” meshën dhe në moshën 10-vjeçare kërkoi të hynte në kuvendin françeskan në Shkodër. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Enver Hoxhës, besimi fetar ndalohet dhe vendoset ateizmi si politikë shtetërore, me ndëshkime të rënda për shkelësit.

Kuvendi ku ndodhej i riu Simoni përfundon në shënjestër. Policia fsheh armë poshtë altarit për të inskenuar një arrestim masiv, që përfundon me ekzekutimin e priftërinjve dhe mësuesve, ndërsa novicët dëbohen dhe më pas rekrutohen në ushtri. Simoni shërben si ushtar nga viti 1953 deri më 1955, në kushte të rënda, por nuk braktis kurrë thirrjen e tij shpirtërore dhe vazhdon në fshehtësi studimet teologjike.

Ai shugurohet prift në vitin 1956 dhe nis misionin baritor. Por kjo mjafton për ta vendosur sërish në shënjestër. Në natën e Krishtlindjes së vitit 1963, ndërsa po kremton meshën, katër ushtarë futen në kishë, e lejojnë ta përfundojë dhe më pas i komunikojnë urdhrin e dënimit me vdekje. Arsyeja: kishte mbajtur meshë për shpirtin e presidentit amerikan John F. Kennedy, i vrarë pak muaj më parë. “Ia hoqën paramentet liturgjike dhe e goditën me shqelma para nënës që ndodhej në rreshtin e parë të kishës”, kujton sekretari i tij.

Dënimi me vdekje u kthye më pas në 25 vite burg të rëndë, në një qeli të vogël sa një metër e gjysmë. Ishte pikërisht në këtë periudhë që Simoni përqafoi një moton që e mbajti gjithë jetën: “T’i duash armiqtë, t’i falësh, të lutesh për ta dhe, nëse duhet, të japësh jetën për ta”. Në burg vijon të mbajë meshë dhe bëhet udhëheqës shpirtëror për të burgosurit. Për këtë arsye, në vitin 1973 dënohet sërish për “nxitje revolte” dhe i shqiptohet një tjetër dënim me vdekje, që më pas kthehet në punë të detyruar në minierat e bakrit dhe piritit.

Pas vitit 1981 lirohet nga burgu, por regjimi ende e konsideron “armik të popullit” dhe e detyron të punojë në kanalizimet e qyteteve. Vetëm me rrëzimin e diktaturës në vitin 1991, ai rikthehet i lirë të mbajë sërish rrobat e priftit dhe të ndihmojë në rihapjen e kishave nëpër fshatra.

Në vitin 2014, Simoni është tashmë i vetmi prift i mbijetuar nga persekutimi komunist në Shqipëri. Kur Papa Françesku viziton vendin për herë të parë, kërkon posaçërisht ta takojë. Dëshmia e tij e trondit Papën, i cili e përshkruan si “martir të gjallë” dhe në vitin 2016 e emëron kardinal.

“Lutuni për ata që ju ndjekin apo ju fyejnë”, i tha kardinali nxënësve të Treviljos. – Duhet të jemi gjithmonë lajmëtarë të paqes dhe miqësisë. Për çdo njeri, çfarëdo ngjyre, kombi apo feje, duhet të lutemi pa pushim dhe t’i bindim të duan njëri-tjetrin. Sepse të gjithë jemi kryevepra të Zotit”.