Albspirit

Media/News/Publishing

Hasan Riza Pasha që mbrojti Shkodrën dhe çmonte at Gjergj Fishtën

Hasan Riza Pasha ishte kryekomandanti i forcave turko-shqiptare të Shkodrës me 1913. Ishte djali i valiut të Bagadadit, Namik Pashës. U shkollua në fillim në Stamboll dhe pati një karrierë të vrullshme. Kur ishte vetëm 28 vjeç ishte nënkolonel. Studioi edhe në Gjermani për disa kohë. Në Shkodër kishte ardhur që në 1911 si komandant i një divizioni. Në mars të 1912-s ishte emëruar vali (guvernator) dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë në Vilajetin e Shkodrës.

“Kishte marrëdhënie të mira me patriotët shqiptarë dhe përgjithësisht në Shkodër gëzonte respekt. Nderi dhe ushtria, këto ishin dy fjalët që e drejtonin. Ai e dinte se me malazezët po bënte një luftë të pabarabartë, porse nuk pranoi assesi ta dorëzonte Shkodrën” –thotë Fatos Baxhaku ne një shkrim për të.

Ka burime qe pohojnë se Hasan Riza Pasha, e çmonte shumë Gjergj Fishtën. Me propozim te tij, sipas tyre, Fishtës i akordohet medalja Maarif Klasi II, (Urdhri i Edukimit) që ishte një dekoratë nderi dhënë nga Sultan Mehmed V, e cila jepej për të shpërblyer ata që punojnë në fushat e arsimit, artit dhe shkencës në Perandorinë Osmane.

Vritet më 30 janar 1913, katër muaj pasi kishte filluar rrethimi i qytetit, në një atentat të përgatitur nga Esad Pashë Toptani. Këtë version e mbështesin Eqrem bej Vlora (nip i Esadit) në kujtimet e tij si dhe historianë të ndryshëm turq.

Pas vrasjes së Hasan Pashës, komanda e trupave turke kalon te Esadi, i cili më pas e dorëzoi Shkodrën te trupat malazeze, me kushtin që të largohet me gjithë trupat e vetë dhe armatimin përkatës.