Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Ernest Koliqi dhe Pavarësia e Kosovës!


Duke kujtuar “krimin” e gjeniut të letrave shqipe të viteve 30′ në përvjetorin e 18 të Pavarësisë së Kosovës…
“Krimi” i tij ishte misioni për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi në vitet 1941-1942 kur ishte Ministër i Arsimit në Shqipëri.
Në vitin shkollor 1941 – 1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.
Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.
Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.
Koliqi me inisiativen e tij zgjoi ndërgjegjen shqiptare në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë “londineze”.
Nuk do kishte pavarësi të Kosovës pa shkollat shqip të hapura me inisiativën e shkodranit të madh Ernest Koliqi.
Gjatë viteve romane shpesh herë Ali Bej Kelcyra e “provokonte” Koliqin duke e pyetur përse bashkëpunoi me italianët.
Koliqi nuk përgjigjej…
Një ditë iu përgjigj me një thes me mijëra letra të dërguara nga nxënësit kosovarë që kishin mësuar shqipen falë inisiativës së tij, ku ata i shkruanin me dashuri dhe mirënjohje.
Ali Bej Kelcyra heshti dhe nuk e “provokoi” më…