Albspirit

Media/News/Publishing

Albanian Excellence promovon në Prishtinë “Klubin e Zonjave të Ekselencës Shqiptare”

Një organizëm i ri kulturor e shoqëror me emrin “Klubi i Zonjave të Ekselencës Shqiptare” me fokus te gratë me arritje profesionale u themelua më 26 shkurt 2026 në mjediset e Swiss Diamond Hotel në Prishtinë nën kujdesin e Albanian Excellence. Themeluesja e tij, gazetarja e njohur dhe producentja Flora Nikolla thekson midis të tjerash se ky klub do të jetë thelbësor për fuqizimin e grave, duke vepruar si katalizator për rritjen personale dhe profesionale. Ai ofron një hapësirë ​​të sigurt bashkëpunimi për të zhvilluar vetëbesimin, për të krijuar një rrjet mbështetës duke nxitur bashkëpunime të frytshme dhe ambicioze. Ky klub synon të lidhë dhe të krijojë sinergji përmes arritjeve konkrete midis grave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i zi, atyre në Diasporë dhe tek Arbëreshët. Do të ofrojë mundësi për të takuar gra me ndikim në shoqëri, për të përshpejtuar avancimin në karrierë, për të gjetur mentorim dhe për të aksesuar mundësi profesionale. Forcimi i ndjenjës të përkatësisë në klub dhe unitetit midis anëtareve përmes aktiviteteve dhe angazhimit, duke përqafuar dallimet, rolet shumëplanëshe dhe kontributet në shoqëri, do të shërbejë si një platformë inspiruese për një standart te ri në shoqërinë bashkëkohore.

Prej me shumë se një dekade Albanian Excellence ka krijuar një model  që i referohet dhe i bën jehonë arritjeve shqiptare si nga kultura dhe biznesi kudo që ato shfaqen në hapësirën shqiptare dhe jo vetëm. Por Klubi do të jetë një organizatë e fokusuar veçanërisht në suksesin dhe fuqizimin e grave, duke nxjerrë në pah gratë me ndikim dhe mbështetëse, bazuar në rrugëtimin e tyre individual, për të promovuar vendin e tyre në shoqëri. Për këtë rast u promovua monografia e studiueses Dr. Merita Toçila “Idromeno Kostumografia” që trajton në mënyrë të thelluar kontributin e artistit  në fushën e kostumografisë. Po në këtë kuadër, Klubi do promovojë herë pas here figura homazh të grave të shquara të kombit, kontributi i të cilave mbetet i përjetshëm përmes veprave të tyre. E tillë ishte shpallja “Anëtare Nderi e Klubit” (post-mortum) e artistes së mirënjohur Luljeta Goranci, në vlerësim të kontributit të saj në artin dhe kulturën shqiptare ndër vite.

Kësisoj, modeli i arritjeve femërore që synon të promovojë klubi është thelbësor për të frymëzuar vetëbesimin, për të thyer stereotipet gjinore dhe për të inkurajuar karriera ambicioze në art, shkencë, edukim, sipërmarrje, politikë etj. Këto modele që ofrojnë shembuj suksesi, nxisin identifikimin dhe mbështesin diversitetin në të gjithë sektorët e shoqërisë, por rreken edhe të sjellin një përmbysje e stabilitet në mënyrën e vlerësimit të modelit të suksesit sot duke u përqendruar tek përmbajtja dhe jo forma.

Prezantimi për herë të parë i Klubit në Prishtinë, me pjesëmarrjen nga Tirana, Shkupi, Ulqini dhe Diaspora tregoi angazhimin e themelueses së tij znj. Flora Nikolla për mbajtjen në vëmendje  dhe stimulimin e vlerave më të mira në gjithë hapësirën shqiptare e më tej.