Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: In memoriam, Lazër Shantoja

81 vjet më parë…

Lazër Shantoja (2 shtator 1892 – 5 MARS 1945).

Klerik, orator, poet lirik, eseist, muzikant polivalent në disa instrumente ku mahniste kur luante në piano Schubert-in dhe Schuman-in, njohës i 5 gjuhëve të huaja, përkthyes i jashtëzakonshëm i Gëtes dhe Shilerit, nacionalist e demokrat, i quajtur edhe “Famullitar i Pianofortit”.

Shqiptari i parë i gjuhës Esperanto…

Drejtues i gazetës “Ora e Shqipnisë” që botohej në Vjenë dhe financohej nga Hasan Prishtina të cilin e kishte mik dhe bashkëpunëtor.

Mik fort i afërt me Bajram Currin dhe kronikan i disa vizitave të tij në qytetet shqiptare.

Mik dhe bashkëpunëtor me Luigj Gurakuqin të cilin e konsideronte si nji nga xhevahirët e mendimit politik shqiptar.

Një nga oratorët kryesorë në ceremoninë e varrimit të Avni Rustemit.

Komunistët e burgosin duke e akuzuar si antijugosllav dhe kolaboracionist, por i vetmi pozicion që mbajti ishte ai në Institutin e Studimeve Shqiptare të cilin e krijoi së bashku me të madhin Ernest Koliqi.

Vuajti torturat me çnjerëzore gjatë burgosjes…

U gjykua nga një grup injorantësh mizorë që kishin gjysmën e moshës së tij në vite dhe diferencën në vite drite përsa i përket dritës së diturisë…

“Fitimtarët” e luftës ne rolin e njerëzve të drejtësisë nuk ia kishin idenë se kë po dënonin me vdekje.

Prokurori xhahil, vetëm 23-vjeçar… do të fillonte një karrierë “ala grande” në shërbimet inteligjente dhe në diplomaci, ku do të kulmonte edhe në tentativën e dështuar për sjelljen e Fan Nolit në Shqipëri…

Lazer Shantoja u pushkatua 81 vjet me pare, me 5 MARS 1945…

Kur nëna e tij e vizitoi në burg, ajo tronditet kur e sheh në atë gjendje dhe u kërkon gardianëve një revole që ta vriste e ta çlironte të birin nga vuajtjet… bile duke iu premtuar atyre qe do t’i paguante edhe fishekët.

DY LULE

O dallndyshë, o shej prendvere,

o ti shpend gjithmonë n’mërgim,

kur të vish me m’pa kët here

fill nga Shkodra fluturim,

Shka do t’m’bijsh për me m’kujtue

vendin t’em qi ma s’m’kujton?

Shka do t’m’bijsh për me ngushllue

kë n’mërgim përherë mërgon?…

Ah! nuk t’lypi kangët qi zana

këndoj dikur për heroj t’vet,

ah! nuk t’lypi lotët qi nana

derdhë n’hi votrës mbetun shkret…

Ah! nuk t’lypi t’kjarët e qillit,

t’ambëlat fllade nuk t’kërkoj,

nuk t’kërkoj rrezet e dillit

qi t’ritë n’atdhe praroj…

Mbi dy vorre n’fushë të Rrmajit

këput për mue dy lule n’gem

e m’i bje t’shkrihem prej vajit

për ngushullim t’mërgimit t’em…

Ato lule mue do t’m’thonë:

Jemi lotët qi Shkodra mbarë

derdhë n’vorr t’nanës s’Luigjit t’onë…

derdhë n’vorr t’Priftit vjerrë n’litar…