Albspirit

Media/News/Publishing

Silvana Begaj: “Nuk lind grua, bëhesh grua”

“Nuk lind grua, bëhesh grua”. Kështu tha Simone de Beauvoir!

Bëhesh grua kur nuk e feston lirinë në kohën që akoma ka pranga në duart e grave të tjera.

Bëhesh grua kur nuk e ushqen zilinë dhe xhelozinë si helm që e hedh mbi GRA që guxojnë të ecin përpara.

Bëhesh grua kur punon fort për ëndrrat e tua, jo kur fshihesh pas komenteve dhe thashethemeve për të justifikuar dështimet e tua. Melodi e njohur kjo! Gra që urrejnë dhe xhelozojnë Gra!

Të jesh e bukur nuk është meritë! Të jesh e suksesshme nuk duhet patjetër të jesh e baltosur dhe të kesh bërë pakte të turpshme për të qenë aty ku je.

Bukuria nuk të bën grua. Suksesi nuk është krim!

Një grua e bukur që arrin lart nuk duhet të bëhet objekt sulmi nga gra të vogla.

Të jesh grua e fortë do të thotë të ngresh, suportosh Gra të cilat kanë nevojë për një dorë për të shkelur në botën e minuar maskiliste dhe jo ta rrëzosh me intriga dhe thashetheme të ulëta.

Prandaj 8 Marsi nuk është dita e të gjitha grave!

Është dita e atyre grave që çdo ditë luftojnë për dinjitet.

E atyre që nuk heshtin përballë padrejtësive që ju bëhen grave cdo ditë kudo në botë.

E atyre që nuk linçojnë gra të tjera për të ndjerë veten më të mëdha.

Është dita e grave që ndryshojnë botën me punë, me kurajë dhe me mendje të lirë.

Një kujtesë se barazia nuk fillon duke luftuar burrat, por duke mësuar të mos luftojmë njëra-tjetrën!

Sepse gruaja e fortë nuk ka frikë nga drita e një gruaje tjetër.

Ajo e di se drita nuk zvogëlohet kur ndizet një qiri tjetër!

Prandaj nuk lind Grua, bëhesh Grua!