Albspirit

Media/News/Publishing

Eneida Jaçaj: Roli i gruas në shoqërinë e sotme

Festa e 8 Marsit nuk është thjesht një ditë kur gratë gjejnë kohë për t’u shkëputur nga realiteti i përditshmërisë së tyre, për t’u mbledhur së bashku, për të biseduar dhe për t’u argëtuar për disa orë. Nuk është thjesht një ditë kur vallëzohet, kur tingujt e muzikës i mbajnë larg për disa minuta nga problemet, peripecitë dhe sakrificat e jetës. Nuk është vetëm një moment për t’i shpëtuar përkohësisht detyrave si nëna dhe gra, për të gjetur pak kohë për veten, e më pas tik-taku i orës t’i rikthejë sërish në rutinën e përditshme. Në kohën e komunizmit në Shqipëri, 8 Marsi festohej kryesisht si dita e nënës dhe kishte një ideologji tjetër, ku theksoheshin sakrificat e nënave në rritjen e fëmijëve dhe kontributi i tyre në punën për shtetin. Ndërsa sot, në mbarë botën, kjo ditë festohet si International Women’s Day dhe përfaqëson një koncept më të gjerë dhe më modern.

8 Marsi simbolizon emancipimin e gruas në shoqëri, zhvillimin e saj personal dhe profesional, dëgjimin e zërit të saj në vendime të rëndësishme publike, rritjen në karrierë dhe ekuilibrin mes jetës profesionale dhe detyrave familjare. Ai përfaqëson gjithashtu të drejtat dhe liritë e gruas në shoqëri dhe respektimin e zërit të saj në vendimmarrje. Një grua e pavarur, e arsimuar dhe e investuar në dije dhe karrierë, zëri i së cilës dëgjohet në familje dhe në shoqëri, është një arritje e madhe për njerëzimin. Forca e saj në edukim dhe kulturë fillon që në djep, kur ajo rrit dhe edukon fëmijët e saj, duke i dhënë shoqërisë një të ardhme më të ndritur.

Në këto dekada duhet theksuar se është arritur shumë për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri. Krahasuar me 30 vite më parë, gruaja sot ka një peshë shumë më të madhe në jetën publike. Ajo është zhvilluar në karrierë dhe merr pjesë në institucione të rëndësishme publike, në politikë, në biznes dhe në sipërmarrje të ndryshme. Përveç detyrave familjare ndaj fëmijëve dhe bashkëshortit, gratë sot arrijnë të gjejnë kohë për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për të qenë të suksesshme në profesionet e tyre. Edhe pse ende duhet punuar shumë për të drejtat dhe liritë e grave, sidomos në zonat rurale dhe jo vetëm, ku në shumicën e rasteve, gruaja është e shtypur, skllave e punës dhe mungesës së fjalës së lirë, ku shumë gra përballen me dhunën dhe madje shumë prej tyre fatkeqësisht nuk jetojnë më midis nesh, mund të themi me bindje dhe krenari se sot gruaja është më e pavarur dhe, në shumë raste, shumë e suksesshme krahasuar me dekada më parë.

Gruaja sot është politikane, drejtuese shteti, lidere institucionesh të rëndësishme, drejtuese mediash, biznesmene dhe profesioniste në fusha të ndryshme. Ajo është gjithashtu një psikologe në familje, pasi di të komunikojë me fëmijët e saj, t’i edukojë me vetëbesim, t’i mësojë të rriten pa frikë dhe të jenë të guximshëm në vendimet e tyre. Sepse njeriu mëson nga gabimet dhe bëhet një version më i mirë i vetes së tij.

Roli i gruas në arsim dhe dije

Përveç rolit në familje dhe në punë, gruaja ka një rol të pazëvendësueshëm edhe në edukimin dhe zhvillimin e dijes në shoqëri. Si mësuese, pedagoge, shkencëtare apo studiuese, ajo kontribuon në formimin e brezave të rinj dhe në ndërtimin e një shoqërie më të arsimuar dhe më të drejtë. Investimi i gruas në dije dhe arsim nuk është vetëm zhvillim personal, por një investim për të ardhmen e gjithë shoqërisë.

Roli i gruas në shoqëri përfaqëson forcë, guxim, dije, arsim dhe vetëbesim. Kur fëmijët rriten brenda vlerave të lirisë, përkushtimit, drejtësisë dhe respektit, ata bëhen qytetarë të denjë për shoqërinë. Fatmirësisht, sot në Shqipëri dhe në mbarë botën kemi shumë gra të njohura që janë bërë simbol i emancipimit dhe fuqizimit të gruas në shoqëri. Duke filluar nga Rosa Luxemburg, që është simbol i 8 Marsit, aktiviste marksiste, mbështeste fuqimisht të drejtat e grave dhe barazinë sociale. Aktiviteti i saj me lëvizjen punëtore evropiane lidhet me frymën e 8 Marsit,  si ditë për emancipimin e grave; e duke vazhduar me figura të ditëve të sotme, si Angela Merkel, ish-kancelare e Gjermanisë, Kamala Harris në USA, apo aktivistja për të drejtat e vajzave, Malala Yousafzai, kanë treguar se gratë mund të arrijnë majat e suksesit dhe të ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Edhe kombi shqiptar ka dhënë figura të jashtëzakonshme si Mother Teresa, simbol i humanizmit në mbarë botën, apo lidere të rëndësishme politike, si Vjosa Osmani. Këto gra janë shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe dëshmi se fuqia, mençuria dhe përkushtimi i gruas janë thelbësore për përparimin e shoqërisë. Një shoqëri që respekton dhe fuqizon gruan është një shoqëri që ndërton të ardhmen e saj mbi dije, barazi dhe zhvillim. Sepse aty ku gruaja ka zë, ka drejtësi; aty ku gruaja ka mundësi, ka përparim për gjithë shoqërinë.