Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kur politika bën shtetin jo funksional

Kosova po kalon një periudhë të vështirë politike, ku mosmarrëveshjet mes partive kanë sjellë dështimin e parlamentit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues.

Ky vakum institucional, duke u bazuar në kushtetutë, ka detyruar presidenten Vjosa Osmani të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë në takim partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të reja, duke hapur kështu një kapitull të ri pasigurie.

Në këtë situatë amullie, shumë analistë dhe qytetarë e përmendin Albin Kurtin si figurën kryesore që ka ndikuar në këtë krizë, e cila vjen pas një periudhe tjetër krize që ka zgjatur për muaj me radhë. Vendimet e tij, refuzimi i kompromisit dhe mospajtimet me opozitën për kandidaturën presidenciale shihen si faktorë që e kanë çuar vendin në këtë gjendje.

Shumë zëra kritikë e akuzojnë se ka agjenda të tjera dhe se po luan lojëra politike që po e bëjnë Kosovën jo funksionale, ndërsa mbështetësit e shohin si lider që po përpiqet të sjellë ndryshim dhe reforma, duke u mbështetur në fitoren e tij zgjedhore.

Në këtë kontekst, institucionet e drejtësisë shihen si mekanizma që duhet të funksionojnë realisht, përndryshe humbasin kuptimin e ekzistencës së tyre. Pa një drejtësi të fortë, vendi mbetet i pambrojtur ndaj krizave dhe goditjeve të tilla.

Koha do të tregojë nëse veprimet e Kurtit janë pjesë e një agjende të fshehtë, ashtu siç deklarojnë shumë figura publike, apo janë thjesht pasojë e mungesës së konsensusit politik.

Ajo që është mëse e qartë sot, është se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, për një klasë politike të përgjegjshme që vendos interesin e shtetit mbi kalkulimet personale, dhe për një drejtësi që garanton stabilitetin e demokracisë. Pikërisht në këto momente vendimtare, kur bota po përballet me shumë konflikte mes Lindjes dhe Perëndimit, mendoj se është një periudhë shumë e vështirë dhe delikate, ku klasa politike,si pozita, ashtu edhe opozita, duhet të tregojë përgjegjshmëri dhe pjekuri politike.