Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA NUK ËSHTË IMUNE NDAJ DIPLOMATËVE DHE POLITIKANËVE TË KËQIJ SI RICHARD GRENELL

Nga Agim Aliçkaj

Para se të angazhohej si emisar në konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë, Richard “Ric” Grenell ishte një ambasador i dështuar amerikan në Gjermani. Madje, Gjermania kishte kërkuar zyrtarisht largimin e tij.

Gjatë kësaj kohe, ai u kontaktua nga tre keqbërës të angazhuar – secili për interesat e veta – për ndarjen e Kosovës: Vuçiq, Rama dhe Thaçi. Ata kërkuan nga ai që të bisedonte me Presidentin Trump për ta përkrahur ndarjen e Kosovës, gjë për të cilën ishin marrë vesh paraprakisht.

Për Grenellin, kjo ishte një situatë ideale për t’u shndërruar në një diplomat të rëndësishëm. Arritja e një marrëveshjeje për ndarje të Kosovës në mënyrë paqësore do të ishte e vështirë të kundërshtohej nga të tjerët. Bashkëpunimi me krerët e korruptuar të Ballkanit ishte diçka që ai e preferonte.

Gradualisht, Grenell u shndërrua në një përkrahës dhe zëdhënës të politikave hegjemoniste serbe. Serbët i mashtronte duke u thënë se Trump, në mandatin e dytë, do t’i ndihmonte të ktheheshin në Kosovë. Meqë serbët zakonisht jetojnë me mite dhe ëndrra, shumë prej tyre ende i besojnë premtimeve të tij të kota.

Opozitën e Kosovës e mashtroi duke u premtuar se do t’i kthente në pushtet. Konsiderohet se ai ishte një nga shtytësit kryesorë të bllokadës së institucioneve nga opozita pas zgjedhjeve të shkurtit. PDK-në ende e mashtron me pretendimin se Trump do ta ndihmojë lirimin e ish-presidentit Thaçi nga burgu i Hagës, gjë që është pothuajse e pamundur.

Kundërshtari kryesorë ndaj realizimit të politikave pro-serbe të Grenellit në Ballkan ishte dhe mbetet kryeministri Albin Kurti. Si lider i pakorruptuar, i pashantazhueshëm dhe i vendosur në mbrojtjen e interesave të shtetit, ai përbën pengesën kryesore për të.

Për këtë arsye, ai – me ndihmën e LDK-së – rrëzoi qeverinë Kurti 1 dhe vazhdon të bëjë përpjekje për ta larguar Kurtin nga politika, duke u përzier në mënyrë të padrejtë dhe jodemokratike në çështjet e brendshme të Kosovës, sidomos në zgjedhjet e lira.

Njoftimi i Presidentit Trump për largimin e Grenell nga posti i drejtorit të “John F. Kennedy Center for the Performing Arts” në Uashington, D.C., është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për paqen në Ballkan. Animi i tij i hapur nga agresori serb e minon arritjen e paqes dhe zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.

Arsyet për largimin e tij janë të ndryshme dhe lidhen me politikat e jashtme kontroverse, por edhe me mosmarrëveshjet me anëtarë të administratës Trump, përfshirë sekretarin Marco Rubio, për shkak të dallimeve në qasje dhe stilit të tij arrogant. Kjo jep shpresë se Presidenti Trump nuk do ta caktojë atë në ndonjë pozitë tjetër të rëndësishme, sidomos jo në çështjet ballkanike.

Megjithatë, një gjë e tillë është e mundur në të ardhmen. Për këtë arsye, qeveria e Kosovës duhet që në mënyrë profesionale dhe me diplomaci të kujdesshme t’ia bëjë të qartë administratës Trump se Grenell është i njëanshëm dhe, si i tillë, joefektiv në zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

Në të njëjtën kohë, veprimtaria lobuese në Uashington dhe presioni ndaj administratës Trump përmes Kongresit Amerikan – që Grenell të mos përfshihet në çështjet e Kosovës dhe të Ballkanit – duhet të shtohet dhe të forcohet.

Mësimi që del nga marrëdhënia me Grenell është se Amerika nuk është imune ndaj ngritjes së politikanëve dhe diplomatëve të këqij në pozicione të rëndësishme – atyre që nuk veprojnë në interes të Amerikës dhe vendeve të saj aleate mike si Republika e Kosovës.

Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve me Amerikën. Por diplomatët si Grenell, që hapur anojnë kah armiku duhet të trajtohen me rezervë dhe të kundërshtohen me drejtësi, fakte dhe argumente, në mënyrë profesionale përmes diplomacisë dhe lobimit.

Përulja nuk është bashkëpunim, dhe Amerika nuk ka nevojë për miq të dobët e servilë. Amerika i respekton ata që e ndërtojnë, e forcojnë dhe e mbrojnë shtetin e tyre – sidomos politikanët dhe qeveritarët që kanë mbështetje të gjerë popullore.

Kosova është definitivisht dhe përjetësisht e rreshtuar me Amerikën dhe Perëndimin, ndërsa Serbia me Rusinë, Iranin, Kinën dhe shtete të tjera armiqësore ndaj Amerikës.