Albspirit

Media/News/Publishing

Kur portalet shpallin fajtorë dhe shteti konfirmon pafajësinë

Pranvera Paci

Rasti i fundit i dy grave iraniane është një shembull i qartë i asaj që ndodh kur narrativa publike zëvendëson procesin ligjor.

Fillimisht, përmes një portali online, u publikuan pretendime të rënda që i lidhën këto shtetase me “veprime të dyshimta ndaj të miturve”, pa asnjë vendim gjyqësor, pa verifikim dhe pa një proces të rregullt ligjor.

Më pas, Policia e Shtetit, pas verifikimeve dhe hetimeve përkatëse, konstatoi qartë: nuk rezulton asnjë veprim i kundërligjshëm ndaj të miturve.

Në këtë pikë, çështja nuk është më vetëm faktike. Është juridike dhe institucionale.

Sepse lind një pyetje thelbësore: si mbrohet individi nga dëmi i shkaktuar nga akuza publike e pabazuar?

Në praktikën e shtetit të së drejtës, prezumimi i pafajësisë nuk është deklaratë formale. Është garanci kushtetuese dhe standard ndërkombëtar, i konsoliduar edhe nga jurisprudenca e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Ky parim ndalon jo vetëm dënimin pa gjyq, por edhe krijimin e perceptimit publik të fajësisë përpara një vendimi të formës së prerë.

Ajo që ndodhi në këtë rast është problematike në tre nivele:

publikim i akuzave të rënda pa prova,

krijim i perceptimit të fajësisë në opinion publik,

dhe më pas dëmtim i reputacionit që nuk zhbëhet me një sqarim zyrtar.

Ky nuk është informim.

Është paragjykim i institucionalizuar përmes medias.

Si avokate dhe si zë publik që kam mbajtur qëndrime edhe në çështje të ndjeshme ndërkombëtare, përfshirë edhe kampin Ashraf 3, e theksoj qartë dhe pa ekuivok: e drejta nuk mund të jetë selektive.

Nuk mund të kërkojmë standarde të larta kur na leverdisin dhe të heshtim kur ato shkelën ndaj individëve të tjerë.

Në këtë rast, fakti juridik është i qartë:

nuk ka shkelje ligjore.

Çdo narrativë tjetër që vazhdon të qarkullojë pas këtij konstatimi është në kundërshtim me parimet bazë të drejtësisë dhe cenon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor.

Prandaj, reagimi im është i prerë:

•kundër gjykimit publik pa prova,

•kundër etiketimeve penale nga media,

•dhe në mbrojtje të çdo individi që përballet me dënim mediatik pa proces gjyqësor.

Drejtësia nuk ndërtohet mbi tituj portalesh.

Drejtësia ndërtohet mbi prova, procedurë dhe vendim gjykate.

Si Avokate e konsideroj detyrim profesional dhe miral të jem e qartë në këtë standard:

asnjë individ nuk mund të sakrifikohet në emër të sensacionalizmit mediatik.

Zoti na udhëzoftë në rrugën e drejtë.

“Miku që strehohet në një vend nuk është thjesht i pranishëm brenda një hapësire fizike, por bartës i një përgjegjësie morale për mënyrën se si trajtohet. Dinjiteti i tij është pasqyra më e qartë e vlerave të atij që e ka pritur”.