Ylli Pango: 30 vjet më parë, “Vështrim në thellësi”
30 VJET MË PARË
…drejtoja një emision me temë kryesisht psikologjike në TVSh (kam filluar në të njëjtën ditë me Blendërinë). Një herë në javë.
Pëlqehej. Margarita Xhepa më tha një ditë… “po që drejton si të jesh aktor…”. S’dija të kisha aftësi aktori. Po më pëlqeu. Ndofta se mbaja dhe mjekër aso kohe. Mbaja edhe leksione.
…Kisha të ftuar studentë: kryesisht të mitë. Vinin dhe nga fakultete të tjera. Luteshin t’i pranonim. Studentët ishin rrethi i dytë. Por më i bukuri. Më i freskët e origjinal. Ishin dhe të ditur për moshën, se lexonin e mësonin me qejf. Do ishin psikologët e parë.
Të ftuarit ishin rrethi i parë. Gazetarë, politikanë, profesorë…
Kishim dhe një rreth të tretë me audiencë të gjerë.
Tip amfiteatri.
Dhe “i katërti”, telefoni i hapur. I lirë për këdo që donte të telefononte, ndërhynte, merrte pjesë, shante. U kisha thënë të mos ua mbyllnin edhe kur të kërkonin të shanin, (po përgjithësisht s’na shanë)… Formatin nuk e mora nga askush. Sajesë imja.
Kësisoj u bënë nja 7 emisione. Emisioni quhej “Insight”- Vështrim në thellësi”.
Kishte shumë shikueshmëri. Etje për ta parë.
…Pastaj erdhi një ditë u gdhiva si i paralizuar. Nuk lëvizja dot as këmbë as dorë… Shtrirë në divan pa fuqi. Fare-fare fuqi…
Telefonova një djalë dhe dy vajza studentë të mi. Të tre të bukur. Të mençur. Ashtu ishin shumica e atij kursi. Kursi i parë i psikologjisë, i asaj tamam.
Kishim shumë xhelozi për rreth. Kryesisht nga masturbatorë. Provincialë pa tendencë qytetërimi. Moralistë.
…U thashë tre studentëve “do ta drejtoni ju emisionin”. Profesori nuk ju vjen dot. U habitën. U trembën. “Si mund ta drejtojmë ne emisionin”?
…me zë të këputur u thashë se në një të ardhme do mund të bënin dhe shumë gjëra të tjera. U thashë se emisioni duhet të vazhdonte edhe pa mua. (Show must go on)… Në fillim mirë. Pastaj edhe më mirë. Nuk është se kisha ndonjë frikë. Nuk po lija amanet. Thjesht nuk lëvizja dot.
Ata e drejtuan emisionin. Drejtuan shokët e tyre dhe të ftuarit. U bë pak si orë mësimi por u bë… Unë i ndoqa në darkë nga divani nga ku kisha që në mëngjes që s’lëvizja dot. Me emocion.
…Të nesërmen sikur nuk më kish ndodhur gjë. U çova. Shkova në mësim. Leksion. Pastaj ditën e emisionit drejtova përsëri.
As sot nuk di ç’ishte ajo paralizë. Më pat zënë ndonjë mallkim. Xhelozi? Si jo pak të tjera… në vite… më vonë… A ndoshta një shenjë se ashtu do këputej dhe emisioni… O zot sa e urrejnë të mirën e të bukurën një shumicë këtu…
…Dekori e sigla televizive ishin të bukur. Sigla “Mendimtari i Rodenit”. Ulur mbi shkëmb duke u menduar thellë me mjekrën mbi dorë. Nga pas tij një portë e madhe e vjetër tip kështjelle, që hapej me kërkëllimë. “INSIGHT… Vështrim në thellësi… Skenografi i TVSh, një piktor biond shkodran. Djalë i mirë.
I kam ende videokasetat tip i vjetër të 16 emisioneve. Pastaj erdhi vera.
…Kur jemi kthyer nga pushimet e verës dekorin e kishin shkatërruar (kush?). Drejtori i TVSh më tha se nuk kishte më pare për emision. Kishim pasur një grindje me të. Lau hakun.
…Emision tjetër nuk bëra më. Pas emisionit tonë me studentë çelën ndër vite dhjetra, nëmos qindra lule a gonxhe televizive… Pati dhe lule me erë të mirë. Pati edhe jo pak gjëmbaçë. Shumicë dërrmuese politikë.
…Kjo lulja jonë apolitike, u këput shpejt. E këputën.
Mbeti në mendjet tona, timen e të studentëve sot burra e gra, si lule “Mos më marro”.
E pata me qejf atë punë. Kam shkuar dhe me temperaturë 39 në emision… Sot do isha ndofta duke drejtuar emisionin nr.1111… Insight-Vështrim në thellësi-
…Kam humbur… apo më shumë më kanë marrë, jo pak gjëra të bukura në jetë. Si jo pak të tjerë… të marrin edhe jetën… xhanëm…