Albert Zholi: DASHURIA E MANUSHAQES
Tregim
Manushaqja uli sytë mbi filxhanin e çajit. Drita e zbehtë e llambës binte mbi fytyrën e saj të rregullt, ku hijet e topuzit të zi i jepnin pamjen e një skulpture antike. Në apartamentin e vogël të Tiranës ndihej aroma e sapunit të rrobave dhe e luleve të majit që hynin nga dritarja gjysmëhapur.
– Faik… – tha ajo me gjysmë zëri. Burri ngriti kokën nga gazeta. Në ministri e thërrisnin Luani, për shkak të karakterit të fortë dhe seriozitetit, por për të ëmën dhe për Manushaqen kishte mbetur gjithmonë Faiku i qetë e i dashur.
– Ç’ke? – pyeti ai duke buzëqeshur lehtë.
– Do iki në Moskë… në delegacionin e ministrisë.
Ai heshti disa çaste. Vetëm ora e murit tik-takonte ngadalë.
– E di! Dhe për këtë je mërzitur? – Nuk kam qenë kurrë kaq larg… dhe për kaq ditë, – tha ajo.
Faiku palosi gazetën me kujdes.
– Je pjesë e delegacionit sepse je e zonja. Duhet të krenohesh.
Ajo ngriti sytë e mëdhenj të zinj drejt tij.
– Po njerëzit flasin… Gratë që dalin jashtë shtetit shihen ndryshe.
Faiku qeshi lehtë.
– Njerëzit gjithmonë flasin. Por unë të njoh ty.
Manushaqja u afrua pranë dritares. Fustani i saj i gjatë i hirtë i rrinte pas trupit si perde mëndafshi. Poshtë, në rrugë, kalonin biçikleta dhe ndonjë makinë sovjetike që gumëzhinte në errësirë. Ishte një kohë kur gratë e bukura binin menjëherë në sy. Sidomos një grua si ajo. Në Ministrinë e Financave mjaftonte të hynte në korridor dhe zërat uleshin vetvetiu. Burrat e ndiqnin me sy, por me një druajtje të çuditshme. Kishte te Manushaqja një hijeshi që nuk të lejonte ta prekje me fjalë të lira. Ishte bukuri me dinjitet. Dy ditë më vonë delegacioni u nis.
Aeroporti i vogël i Rinasit ishte plot me ushtarakë, valixhe kartoni dhe njerëz që përshëndeteshin me emocione të përmbajtura. Ministri ecte përpara me rëndësi, ndërsa pas tij nëpunësit mbanin dosjet dhe palltot. Kur hipi në avion, Manushaqja hodhi një vështrim nga dritarja. Faiku qëndronte larg, me pallton gri dhe duart pas shpine. Nuk tundte dorën si të tjerët. Vetëm e shikonte drejt në sy. Ajo ndjeu një therje të ëmbël në zemër.
Moska i priti me shi të imët dhe ajër të ftohtë. Rrugët e gjera, ndërtesat monumentale dhe dritat e kuqe të shesheve i dukeshin si pamje filmash. Delegacioni shqiptar u sistemua në një hotel të madh pranë lumit Moskva. Ditën e tretë ndodhi diçka që Manushaqja nuk do ta harronte kurrë. Pas mbledhjes zyrtare, një ekonomist rus, Sergei Ivanoviç, iu afrua me edukatë.
– Zonja Manushaqja, – tha në një shqipe të thyer, – ju ngjani me një figurë antike.
Ajo u step.
– Faleminderit!
– Jo vetëm e bukur… por krenare. Si statujat e jugut, – i tha rusi.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Manushaqja ndjeu sikur dikush kishte parë përtej pamjes së saj. Jo si burrat e ministrisë që admironin fshehurazi, por si një njeri që vështron artin. Mbrëmjen e fundit delegacioni shkoi në Teatrin ‘Bolshoi’. Gratë e tjera u zbukuruan me pudër e buzëkuq. Manushaqja veshi vetëm një fustan të zi të thjeshtë deri ne fund të këmbëve dhe vendosi topuzin si gjithmonë. Kur hyri në sallë, disa koka u kthyen menjëherë. Para shfaqjes Ministria Ruse kishte përgatitur dhe një koktej. Çdo gjë ndriçonte, por më shumë Manushaqja. Sergei, që po priste te hyrja, uli kokën me respekt. Gratë ruse vinin me dekolde të zmadhuara dhe minifunde. Atyre u dukeshin të gjitha hiret femërore, ndërsa Manushaqes asgjë. Për çudi edhe gratë ruse e shikonin me habi atë trup të gjatë lastar të mbuluar, por që i dukeshin format e trupit aq bukur.
– Ju nuk keni nevojë për stoli, zonjë. Bukuria juaj është si muzika klasike… nuk lodh kurrë, – i tha Sergei. Ajo buzëqeshi me mirësjellje, por atë natë, ndërsa dëgjonte, mendimet i iknin larg… në Tiranë. Te apartamenti i vogël. Te Faiku që ndoshta po pinte çajin vetëm. Dhe për herë të parë e kuptoi se bukuria e saj nuk ishte dhuratë vetëm për botën. Ishte përgjegjësi. Në një moment kur i çoi një gotë verë Sergei i thotë:
– Zonja Manushqaja përse e keni gjithë trupin mbuluar?
– Sepse çdo pjesë e trupit tim i përket vetëm burrit tim për ta parë dhe shijuar dhe jo sytë dhe duart e të gjithëve.
Sergei shtangu. Nuk e kishte dëgjuar kurrë këtë përgjigje. Por mori atë përgjigje që nuk e priste. Fytyra e tij u zverdh. Të gjithë i kishin sytë nga ata dhe e kuptuan se çfarë ndodhi pasi Sergei mbeti me dy gotat e verës në duar si i hutuar. Disa nga gratë ruse nënqeshën. Kur mbaroi shfaqja dhe delegacioni po kthehej në hotel, kryetari i delegacionit shqiptar i tha plot krenari: – Manushaqe, sjellja dhe përgatitja juaj na nderoi në Moskë. Faleminderit!
Ajo u skuq dhe mezi lëshoi dy fjalë nga goja e bukur: – Unë nuk bëra asgjë kryetar!
Kur avioni preku pistën e Rinasit, Manushaqja ndjeu sikur po zgjohej nga një ëndërr e gjatë. Në xhamin e vogël të aeroportit dukej qielli gri i Tiranës dhe disa njerëz që prisnin me padurim të afërmit. Delegacioni zbriti njëri pas tjetrit. Burrat mbanin valixhet e zeza, gratë palltot mbi krahë. Manushaqja ecte qetë, me të njëjtin dinjitet që kishte pasur në Moskë. Fustani i saj i gjatë ngjyrë hiri lëkundej lehtë nga era e pasdites. Faiku e pa menjëherë. Për nëntë ditë kishte jetuar me një ankth të heshtur. Jo sepse nuk i besonte gruas, por sepse e njihte bukurinë e saj dhe dinte si e shihnin burrat. E megjithatë, kur ajo u afrua, ai ndjeu të njëjtën qetësi që kishte ndjerë ditën kur ishte martuar me të. Manushaqja buzëqeshi lehtë.
– U lodhe duke më pritur?
– Pak, – tha ai, – por më shumë më mori malli.
Ajo uli sytë si vajzë e re. Pastaj i zgjati dorën.
– Hajde të ikim në shtëpi.
Gjatë rrugës me makinën e ministrisë, Faiku e vështronte herë pas here. Dukej sikur Moska nuk i kishte ndryshuar asgjë. Ishte po ajo grua elegante, me flokët topuz dhe fytyrën e qetë si mermer.
– Si kaluat? – pyeti më në fund. Manushaqja heshti pak.
– Bukur. Pamë shumë gjëra… shumë luks… shumë drita. Por edhe njerëz që ngjanin të vetmuar mes gjithë asaj madhështie.
– Po rusët?
Ajo buzëqeshi lehtë.- Mikpritës. Pastaj, pas disa sekondash, shtoi:- Njëri prej tyre më vuri në siklet.
Faiku nuk foli. Vetëm priti.
– Zv/ministri Boris. Mundohej vazhdimisht të më afrohej. Të gjithë e kuptonin. Faiku shtrëngoi lehtë timonin.
– Dhe ti?
– Unë bëra atë që duhet të bëjë një grua që respekton burrin e saj.
Ai ktheu kokën nga ajo.
– Dikush më tha se në darkën e fundit e le pa fjalë gjithë sallën. Manushaqja u habit.
– E paska marrë vesh shpejt Tirana…
Faiku qeshi: – Delegacionet kanë më shumë gojë se ministritë.
Ajo mbështeti kokën pas sediljes dhe pa nga dritarja. Rrugët e Tiranës i dukeshin më të ngrohta se bulevardet e Moskës.
– E di çfarë kuptova atje?- tha ngadalë.
– Çfarë?
– Që bukuria është sprovë. Nëse nuk ke karakter, të merr lumi. Faiku nuk foli menjëherë. Pastaj ia mori dorën dhe e mbajti gjatë në pëllëmbën e tij.
– Unë nuk jam martuar vetëm me bukurinë tënde, Manushaqe. Jam martuar me shpirtin tënd.
Ajo ndjeu sytë t’i mbusheshin lehtë me lot. Kur mbërritën në shtëpi, nëna e Faikut kishte shtruar darkën. Në tavolinë kishte djathë, ullinj, bukë të ngrohtë dhe tavë me presh. Asgjë nga luksi i Moskës. Por Manushaqes iu duk darka më e mirë në botë. Në mbrëmje, kur mbetën vetëm, Faiku hapi valixhen e saj.
– Ç’më solle nga Moska? — pyeti me humor.
Ajo nxori një kuti të vogël druri të gdhendur: – Këtë!
– Vetëm kaq? – i tha ai buzagaz.
Ajo iu afrua pranë dhe mbështeti kokën në kraharorin e tij.
– Jo. Të solla edhe bindjen se askund në botë nuk do gjeja njeri që të më donte më pastër se ti.
Jashtë frynte një erë e lehtë maji. Tirana binte ngadalë në qetësinë e natës, ndërsa në apartamentin e vogël Manushaqja ndjeu se ishte kthyer jo vetëm në atdhe, por edhe në vendin ku zemra e saj ishte e sigurt.