Irma Kurti interviston poeten Mariela Cordero
MARIELA CORDERO ka lindur në Valencia, Venezuelë në vitin 1985. Ajo është avokate, poete, shkrimtare, përkthyese dhe artiste vizuale nga Venezuela. Poezitë e saj janë botuar në disa antologji ndërkombëtare. Mariela ka marrë disa çmime: Çmimin e Tretë të Poezisë Alejandra Pizarnik (Argjentinë, 2014); Çmimin e Parë në Konkursin e Poezisë Ibero-Amerikane Euler Granda (Ekuador, 2015); dhe Çmimin e Dytë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar Dygjuhësh Tracceperlameta Edizioni (Itali, 2015). Mariela Cordero ka marrë pjesë në disa konferenca dhe festivale ndërkombëtare letrare. Poezitë e saj janë përkthyer në hindi, çekisht, estonisht, serbisht, uzbekisht, rumanisht, maqedonisht, koreanisht, hebraisht, bengalisht, anglisht, arabisht, kinezisht, rusisht dhe polonisht. Aktualisht ajo është konsulente editoriale në Revistën Symbology të Koresë së Jugut si dhe në revistën e poezisë Poémame (Spanjë). Mariela Cordero ka botuar tre përmbledhje me poezi.
Përse shkruani?
Shkruaj sepse besoj se ne jemi gjithmonë nxënës të fjalës; për mua, poezia është një kërkim i vazhdueshëm dhe jo një vend mbërritjeje. Në një botë ku shpesh të folurit në mënyrë të drejtpërdrejtë kufizohet, poezia bëhet një hapësirë lirie – një mënyrë për të eksploruar përvojën përmes simboleve dhe imazheve. Të shkruarit është mënyra ime për të kuptuar ato gjëra thelbësore që janë të vështira për t’u emërtuar, duke kërkuar një dimension që shkon përtej rrethanave të menjëhershme. Nuk ka të bëjë me arritjen e një të vërtete përfundimtare, por me përpjekjen e vazhdueshme për t’iu afruar një përvoje të përbashkët njerëzore.
Si e kuptuat se të shkruarit ishte pasioni juaj?
Është e vështirë të përcaktoj një moment të vetëm, përfundimtar kur vendosa t’i përkushtohesha të shkruarit. Pasioni im i parë i vërtetë ishte leximi. Përmes përfshirjes në leximin e fjalëve të të tjerëve, lindi tek unë dëshira për të gjetur zërin tim. Ka qenë një proces gradual – një shpalosje e ngadaltë dhe jo një realizim i papritur. Arrita të shkruaj, duke mësuar ta përdor atë si një mjet për të shprehur diçka që ndoshta ishte ende e paformuar. Është si një udhëtim ditë pas dite, duke u ndjerë e përmbushur në vetë procesin krijues dhe duke lejuar që rruga të zbulohet ndërsa unë eci përpara.
Keni fituar çmime të ndryshme ndërkombëtare. Cilin e konsideroni më të rëndësishëm dhe frymëzues për karrierën tuaj letrare?
Çdo vlerësim e shoh po aq të rëndësishëm, jo për vetë çmimin, por për lidhjet që mundëson. Kur marr pjesë në një konkurs, e bëj këtë pa menduar të fitoj; vlera kryesore për mua është mundësia që më jepet për t’u lexuar. Të shkruarit është një praktikë e vetmuar, kështu që të zbuloj se puna ime gjen jehonë në një bashkëbisedues është kuptimplote. Besoj se qëllimi i këtyre çmimeve është të inkurajojë disiplinën e të shkruarit dhe aktin e ndarjes së punës, pavarësisht nga rezultati. Në fund të fundit, aspekti më i rëndësishëm është të dish se teksti ka arritur te një lexues.
Me cilin libër ndiheni më e lidhur?
E kam të vështirë të zgjedh një libër të vetëm, pasi çdonjëri pasqyron një version të ndryshëm të asaj që kam qenë unë në atë moment. Ekziston një metaforë e njohur për lumin: uji rrjedh dhe duket i njëjtë, megjithatë nuk është kurrë i njëjti, ashtu si personi që shkruan nuk mbetet statik. Çdo libër ka patur ritmin e vet, përvojën e veçantë jetësore dhe madje edhe mënyrën unike të botimit dhe ndarjes. Prandaj, ndiej një lidhje të thellë me secilin prej tyre; ato janë pamje të një evolucioni të vazhdueshëm. Çdo vepër përfaqëson një dialog specifik me kohën dhe një fazë të udhëtimit tim që s’do të mundja ta përsërisja sot.
Pse do t’ia rekomandonit dikujt librin tuaj?
Takimi me një libër duhet të ndodhë natyrshëm, ndoshta i ngjashëm me mënyrën se si zbulojmë ndjenja të caktuara. Në vend që të ofroj një rekomandim formal, preferoj ta mendoj leximin si një proces organik. Octavio Paz ka një thënie që e gjej shumë kuptimplote: “Çdo lexues kërkon diçka në poezi. Dhe nuk është e pazakontë që ta gjejë atë, sepse ajo diçka ishte në fakt brenda tij”. Shpresoj që poezitë e mia të gjenden në këtë mënyrë – si një rastësi për ata që mund të kenë tashmë diçka të ngjashme brenda tyre.
Cilat janë disa nga sfidat me të cilat jeni përballur në rrugën tuaj letrare?
Unë e konsideroj rrugën letrare si një proces rivlerësimi të vazhdueshëm. Për mua, sfida kryesore është ndjesia se një tekst nuk është kurrë i përfunduar vërtet, por përkundrazi, i braktisur në një pikë të caktuar. Gjithmonë ekziston një ndjesi e vazhdueshme e papërfundimit, një dyshim se gjuha mund të kishte arritur pak më tej ose të kishte arritur një qartësi ndryshe. Nuk e shoh këtë si një dështim, por si gjendjen natyrore të të shkruarit: vetëdijen se gjithmonë ka një distancë midis qëllimit dhe fjalës, dhe se puna ime është thjesht një seri përpjekjesh për të kapërcyer atë boshllëk.
Ju jeni gjithashtu përkthyese. Si e ka ndikuar apo pasuruar kjo përvojë krijimtarinë tuaj?
Përkthimi më hapi dyert për të njohur mënyra të tjera të të vështruarit të botës. Përtej procesit të të mësuarit, ai e ka pasuruar thellësisht të krjimtarinë time duke më lejuar të shkëputem nga modelet fikse të asaj se ‘si duhet të shkruhet poezia’. Duke u angazhuar me poetë nga e gjithë bota, kam mësuar se ka mënyra të pafundme për t’iu afruar fjalës dhe se nuk duhet të kufizohemi tek një stil i vetëm. Ky shkëmbim më ka dhënë një ndjesi hapjeje, si lexuese dhe si shkrimtare; ka zgjeruar perspektivën time. Përkthimi më ka lejuar të ripohoj se, pavarësisht dallimeve kulturore, ne na bashkojnë temat universale: dashuria, dhembja, sëmundja, padrejtësia dhe vdekja. Ndërsa gjuhët mund të ndryshojnë, gjërat thelbësore që mbajmë brenda nesh janë shumë të ngjashme.
Me çfarë po punoni aktualisht?
Për momentin, po punoj në dy fronte: përkthimin e një libri dhe shkrimin e një përmbledhjeje të re me poezi. Ato kërkojnë lloje të ndryshme fokusi, por më mbajnë të lidhur në studimin e gjuhës. Përkthimi kërkon rigorozitet ndaj një teksti të shkruar nga dikush tjetër, ndërsa poezitë e reja zhvillohen me ritmin e tyre.
A mendoni se poezia është një mjet i fuqishëm për të trajtuar tema të rëndësishme dhe për të promovuar paqen në botë?
Unë besoj se paqja nuk duhet të trajtohet si një koncept i zbrazët ose një mjet i thjeshtë retorik. Ka pak rëndësi kur shkruan për paqen nëse fjala nuk pasqyrohet në veprimet tona. Nuk është paqe kur sulmojmë, përjashtojmë ose përpiqemi t’i detyrojmë të tjerët të mendojnë ndryshe. Paqja e vërtetë fillon si një disiplinë e brendshme: është mënyra se si e trajtojmë mjedisin tonë imediat dhe respekti që u ofrojmë të tjerëve. Ndërsa nuk mund t’i kontrollojmë konfliktet globale, mund të promovojmë një paqe aktive duke nxitur hapësira për shkëmbim letrar dhe kulturor. Leximi, shkrimi dhe mirëmbajtja e këtyre kanaleve të dialogut i japin fjalës një kuptim praktik që tejkalon propagandën ose broshurat. Në fund të fundit, është esenciale që secili prej nesh të marrë përgjegjësinë për pjesën e vet, në mënyrë që të ndodhë një afrim i vërtetë, duke na lejuar të bashkëjetojmë në një botë kontrastesh.