Ismail Xhaferi: Si e duam Shqipërinë
Ne e duam Shqipërinë,
Jo si ju që veç e vidhni,
Ne e duam Shqipërinë
Siç e ëndërroi Naimi.
Ne e duam Shqipërinë,
Lis me rrënjë e lis me dega,
Siç e deshi Pashko Vasa,
Siç e deshi dhe Ndre Mjeda.
Ne e duam Shqipërinë
Si rilindësit atëherë,
Pa barkderra politikë,
Po të varfër, pa të mjerë.
Ne e duam Shqipërinë,
Jo si ju, krijesë e djallit,
Por t’i bëhet monument
Punës dhe djersës së ballit.
Ne e duam Shqipërinë
Nga Vlora në Tarabosh,
Ku gjithë klasa politike
Duhet të flaket në kosh.
Ne e duam Shqipërinë,
Pa ata që e grabisin,
Ku të majtë e të djathtë
Janë bërë bashkë që ta gëlltisin.
Ne e duam Shqipërinë,
Zonjë të rëndë e zonjë të parë,
Pa kaq shumë analfabetë,
Pa gjakmarrje, pa të vrarë.
Ne e duam Shqipërinë,
Që nga Shkodra tek Saranda,
Zot i saj veç shqiptarët,
Jo partitë që ngjajnë me banda.
Ne e duam Shqipërinë
Të ketë emër të ketë zot,
Dhe në parlament te popullit
Të mos jenë vetëm idiot.
Ne e duam Shqipërinë,
Pa lëpirës, pa gjarpërinj,
Zot të fateve të veta,
Dhe shqiponjë në fluturim.
Ne e duam Shqipërinë,
Jo si ju që veç e vidhni;
Ne e duam Shqipërinë
Siç e ëndërroi Naimi.