Ruzhdi Gole: TËMTH
(poe-prozë)
– Rroftë papunësia!
– Mbylle gojën, o rrenacak, o i flashkur gjer në asht!
– Rrofshin të papunët, endacakët të pagjumë me rrecka në kurriz! Rroftë rendi, rroftë komisari bujar i policisë.
– Mosmirënjohës, mbylle gojën! Po të fus një dajak…
– Rroftë dajaku, që s’na mpaku. Ha, ha, ha…
– Mbylle gojën, o bela!
– Rroftë e qoftë përpjetë bilbili, zgjoftë mushkëritë njom’zak të zgjimit se nga gjumi s’po zgjohet kush, as hoxha, as prifti krushk.Kyçur prifti, kyçur hoxha
ca nga vapa, ca nga mosha, ca nga pija e stolitë.
– Mbylle gojën! Mos përgojo Krisht!
– Nuk shaj Krisht as Muhamed, janë të qiellit, s’janë mes nesh.
– Mbylle gojën, o rrenacak, mes nesh janë, shuajnë luftra, plagë.
– O ç’m’u ngul një thumb në tëmth, kush ndez luftrat, kush djeg këmbë. Kush gris harta e mjeron popuj, ç’perëndi na vijnë rrethrrotull? Për be e për rrufe, kush qelb botën ndër ne? Gjeli pleh?
– Lëre gjelin…
– Ja, e lashë. Ti mos e therr se zgjon dynjasë dhe njeriun, dhe ullinjtë, ledhe-ledhe i ngroh kërcinjtë edhe Jonit, dhe Valbonës,
– Po çoj erën t’ia pjek kollën ndonjë bregu vjedh gjysëm, ndonjë bjeshke djegur mugët.
– Ooo, ç’më the, ç’më the polic?
– Jam police me unazë, karficë, unë t’erdha afër tash, s’të ve pranga, as të rras, as të qas me fjalë të ndyra, zbraze gojën, shuaji urnat.
– O moj zonjës me karficë, vetëm ti botën e ngjiz, përtej botës së belasë, plasim ne borëbota plas. Plasi Jeta gjysmë jete, gjysma tjetër të mos shembet.