Teuta Sadiku: Interpretime të reja të librit poetik “Pranverat që humbëm”
“Ne ikëm si korbat, i dashur Atdhe, e ndiem veten të plaçkitur“ Arjana Fetahu Gaba
Analiza e Prof. Dr. Fatmir Terziut në Fjala e Lirë “Arjana Fetahu Gaba, flet poetikisht kaq shkurt dhe qartë” është një analizë stilistike dhe semantike që ndalet te figuracioni, paralelizmat, metaforat, regjistrat leksikorë, ndërtimet sintaksore, marrëdhënia midis gjuhës dhe kuptimit, si dhe analiza e tematikave dominante si dashuria, familja, gruaja, natyra, Çamëria, emigracioni dhe kujtesa. Kjo është një qasje e rëndësishme dhe me vlerë, por në vëllimin poetik “Pranverat që humbëm” një këndvështrim i ri ndërton nivele të reja interpretimi.
Çfarë përfaqëson kjo poezi në kontekstin e letërsisë shqiptare të diasporës?
Titulli “Pranverat që humbëm” është në vetvete një koncept interpretativ shumë i pasur.
Pranvera, në traditën poetike universale, simbolizon shpresën për vazhdimësinë, dashurinë për jetën. Por kur subjekti flet për pranverat të humbura, kemi një përmbysje të simbolit klasik.
Cilat janë pranverat e humbura?
A është rinia e lënë pas në emigracion, vendlindja, Çamëria e munguar, apo vetë iluzioni se njeriu mund të largohet pa humbur diçka nga vetja?
Në poezinë “Të lamë, Atdhe i dashur”, ‘pranverat’ nuk janë vetëm metaforë e rinisë biologjike, por metaforë e një kohe historike dhe shpirtërore që nuk mund të rikthehet.
Në këtë kuptim, poezia e Ariana Fetahu Gabës lidhet me fenomenin e nostalgjisë refleksive. Kjo nuk është nostalgjia romantike që idealizon të kaluarën. Subjekti poetik është i vetëdijshëm se e kaluara nuk mund të rikthehet, ndaj vendos të hyjë e të jetojë në dialog me të.
Autorja është bartëse e dy kujtesave kolektive kujtesës së emigrimit shqiptar dhe kujtesës çame. Këto dy përvoja historike takohen vazhdimisht. Në njërën kemi largimin nga vendi, në tjetrën kemi humbjen e tij. Pikërisht këtu qëndron një nga veçantitë e poetikës së Arjana Fetahu Gaba.
Ajo shkruan si emigrante, si nënë, si grua, edhe si pasardhëse e një kujtese të zhvendosur historikisht.
Në këtë aspekt, Çamëria në poezinë e saj nuk është vetëm një territor gjeografik. Në poezinë e saj Çamëria shndërrohet në simbol të mungesës, të rrënjëve dhe të trashëgimisë shpirtërore.
“Rrënjët e ullinjve janë familja ime,
Ato dinë të flasin një shqipe si unë.
Kanë parë gjëmën mbi etërit e mi,
Sesi i përzunë në flak’ e me dhunë”.
Në shumë poezi të diasporës, gruaja paraqitet si subjekt që ruan gjuhën, zakonet, kujtesën familjare dhe lidhjen me origjinën. Poetika e saj e ndërton figurën e gruas, nënës, si figurë kujtese dhe vazhdimësie, prandaj poezia është poetikë e ruajtjes së identitetit.
“Të lamë Atdhe i dashur”
Kjo poezi është shumë më e rëndësishme sesa mund të duket në leximin e parë. Në pamje të parë ajo ngjan si një rrëfim i thjeshtë mbi emigracionin, por në thelb kemi një poezi të fajit kolektiv, të pendesës historike dhe të ndërgjegjes kombëtare. Pikërisht këtu qëndron forca e saj.
Së pari, vlen të theksohet se subjekti lirik nuk flet në vetën e parë njëjës (“unë”), por në vetën e parë shumës (“ne”) Poezia nuk flet vetëm për përvojën e saj personale, por merr mbi vete zërin e një brezi të tërë emigrantësh shqiptarë. Kjo e zgjeron poezinë nga rrëfimi individual në dëshmi kolektive.
Vargu hapës: “Ne ikëm si korbat, i dashur Atdhe”… është një metaforë e fortë dhe e pazakontë. Korbi në traditën kulturore lidhet me ikjen, mërgimin, fatkeqësinë dhe kërkimin e mbijetesës. Në poetikën e saj nuk idealizohet emigranti. Përkundrazi, zgjedh një figurë të errët, duke shmangur romantizimin e emigracionit. Kjo është një shenjë pjekurie poetike. Emigranti nuk jepet si viktimë absolute. Përkundrazi, emigranti pranon edhe përgjegjësinë: “Të prishëm, të dogjëm sa mundëm/Çelikun ta shitëm për skrap”.
Këtu poezia hyn në një territor që letërsia shqiptare shpesh e ka shmangur, autokritikën kolektive. Nuk fajësohen vetëm rrethanat historike, por edhe veprimet e vetë shoqërisë.
“Nuk dinim të ngrinim koshere të re“.
Kosherja simbolizon shtëpinë, bashkësinë, organizimin shoqëror dhe vazhdimësinë e jetës. Emigranti paraqitet si qenie e shkëputur, e paaftë fillimisht të krijojë një rend të ri ekzistence. Kjo figurë përmbledh në pak fjalë një nga dramat më të mëdha të diasporës shqiptare.
Si ndërtohet raporti me atdheun?
Atdheu nuk shfaqet si nocion politik apo ideologjik, ai është një qenie e gjallë, pothuajse njerëzore, me të cilën subjekti lirik dialogon drejtpërdrejt: “Falna i mëkatet që bëjmë/Në emrin tënd, Atdhe i dashur”.
Kjo është gjuha e rrëfimit dhe e lutjes. Poezia merr një dimension pothuaj biblik. Mëkati nuk është vetëm largimi; mëkati është harresa, braktisja dhe humbja e lidhjes shpirtërore me vendin e origjinës.
Nga këndvështrimi i letërsisë së diasporës, poezia ndërton një paradoks shumë të fuqishëm:”Sot trurin tënd botës ia shtuam/Po humbëm rininë”.
Ky është kulmi semantik i poezisë. Nga njëra anë emigracioni pasuron botën me energjinë, dijen dhe punën e shqiptarëve; nga ana tjetër ai konsumon jetën individuale të emigrantit. Kemi fitim kolektiv dhe humbje personale në të njëjtën kohë.“Nuk di a na ka mbetur më shpirt/Apo jemi bërë cipëplasur...”.
Kjo pyetje mbetet pa përgjigje. Dhe pikërisht mosdhënia e përgjigjes e bën poezinë më të fuqishme. Poezia nuk predikon, nuk jep zgjidhje. Ajo lë të hapur dilemën morale dhe ekzistenciale të emigrantit.
Nga pikëpamja estetike, poezia nuk kërkon ndërlikime figurative moderne apo eksperimente gjuhësore. Forca e poetikës qëndron te sinqeriteti i zërit lirik, te ndërgjegjja morale dhe te aftësia për të shndërruar një përvojë historike kolektive në . Këtu kemi një vetëdije kritike, një zë që jo vetëm kujton atdheun, por edhe gjykon veten përballë tij. Dhe pikërisht kjo vetëdije e bën poezinë të fitojë peshë letrare dhe njerëzore.
“Pranverat që humbëm” është një libër që artikulon përvojën e njeriut shqiptar në kushtet e zhvendosjes, duke e shndërruar kujtesën, familjen, Çamërinë, gruan dhe atdheun në kategori poetike të identitetit. Në këtë kuptim, poezia e Ariana Fetahu Gabës është poezi e kujtesës kulturore dhe e ndërgjegjes së diasporës”.
Të lamë,
Atdhe i dashur
Ne ikëm si korbat, i dashur Atdhe,
E ndiem veten të plaçkitur.
Kishim leshra të gjata, barkut “korse”
Dhe gojë të babëzitur.
Zvarrë në ujërat që na ishin ndaluar,
Fluturuam qiejve të botës pa fre.
S’kishim atëherë as kokë, as duar,
Nuk dinim të ngrinim “koshere” të re.
Të prishëm, të dogjëm sa mundëm,
Çelikun ta shitëm për skrap.
Trenat i thyem se qenë të…
Harruam që do duheshin prapë.
Braktisëm fshatra, i lamë pa shpirt,
Sikur ujqërit në mal çajnë kopetë.
I lamë qytetet se s’patën më dritë,
Na trembën “rrufetë…”
Si ciganë të lamë, Atdhe, shkuam
Dikur me trasta, me thasë në shpinë.
Sot trurin tënd botës ia shtuam,
Po humbëm rininë…
Falnai mëkatet që bëjmë,
Në emrin tënd, Atdhe i dashur.
Nuk di a na ka mbetur më shpirt,
Apo jemi bërë cipëplasur...