Albspirit

Media/News/Publishing

Petro Koçi: Patron-patronazhistët e protestës


Për pjesën idealiste të motiveve dhe pjesëmarrësve të protestës kam patur simpati dhe pata shpresuar që kjo energji të sillte reflektim të politika për t’u investuar në favor të ndryshimeve të shëndetshme të sistemit kushtetues të Republikës dhe demokracisë tonë.
Të jem i sinqertë jam zhgënjyer jo vetëm nga reflektimi i vakët i deritanishëm i establishmentit, por sidomos nga degradimi gradual i zhvillimeve dhe zëdhënies politike të protestës.
Thagma e ditëve të fundit e orientuar nga patronazhistët kryesorë të protestës është një kthim i frikshëm i metodave të vjetra të pasluftës.
Shpallja e kulakëve të rinj në emër të luftës së “pastër” të klasave me objekt gjithë pronarët e biznesve që janë kundër protestës është një zhvillim jakobin jo thjesht tragjikomik por dëshmon se potenciali i aktivizimit të metodave staliniste apo edhe fashiste qenka më shumë se prezent në shoqërinë tonë.
Angazhimi i organizuar i patronazhistëve të protestës, të PD-së ose jo, për të rrënuar financiarisht ata që politikisht janë kundër protestës është tejet kriminal dhe i dënueshëm.
Disa “oratorëve” opozitarë të protestës aq shumë u ka hyrë vetja në qef saqë u duket vetja si heronj e kjo ua ka këputur frenat e vetëpërmbajtjes.
Modelet e vjetra të kësaj sjelljeje socialpolitike na kanë ardhur në majë të hundes dhe premtojnë një të ardhme të ndotur e të dhimbshme.
Arsye për të protestuar ka plot. Shoqëria jonë kërkon luftën më të fortë ndaj korrupsionit, politika sociale më të efektshme, barazi shërbimesh nga administrata pavarësisht gjendjes ekonomike dhe padiskutim një Republikë me pushtete të balancuara, me më shumë demokraci institucionale pa domene të paracaktuara politike.
Nëse patronazhistët e protestës do vijojnë me tendencën e ditëve të fundit e me luftë klasash shpresa për ndryshim si pasojë e saj do të shuhet.
Patronpatronazhistë të protestës hiqni dorë nga e kaluara, nga e ardhmja e vjetër!
Mos kopjoni stilin, kërkesat, epshin për pushtet dhe mllefin e pashërueshëm të Sali Berishës!
Adaptoni modele që premtojnë të ardhme të re!