Pengmarrja e Kuvendit/Pse kushtëzimi politik dëmton demokracinë?
Ismet Hajrullahu
Skena politike në Kosovë po përballet sërish me një ngërç të rrezikshëm, ku procedurat e qarta kushtetuese po trajtohen si monedhë shkëmbimi për kalkulime partiake. Reagimet e ashpra nga mbarë spektri politik dhe shoqëria civile konfirmojnë se tentativa për të lidhur nyjë konstituimin e legjislativit me zgjedhjen e Presidentit të ri është një precedent i dëmshëm. Ky kushtëzim jo vetëm që shkel logjikën elementare të shtetndërtimit, por minon funksionalitetin e Republikës. Ish-kryeministri Isa Mustafa goditi në shenjë kur deklaroi se konstituimi i Kuvendit nuk ka asnjë arsye të kushtëzohet me postin e Presidentit, duke e cilësuar këtë si presion të hapur që pushteti po bën sipas kuteve të veta partiake.Nuk ka asnjë arsye ligjore apo morale që jetësimi i votës qytetare të mbetet peng i fazave të mëvonshme politike. Për të mbërritur te votimi i kreut të shtetit apo i kabinetit qeveritar, hapi i parë dhe i pashmangshëm është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të tij. Sipas neneve përkatëse të Kushtetutës së Kosovës, konstituimi i legjislativit është një detyrim ligjor parësor që nuk mund të kushtëzohet. Pa përfunduar ky proces fillestar, institucionet mbeten në ajër dhe i gjithë shteti futet në kaos.Qasja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse reklamohet si vullnet për zgjidhje, në realitet shfaqet si një presion i hapur ndaj opozitës. Duke përdorur kërcënimin e nënkuptuar të zgjedhjeve të reja apo duke ndarë fajësinë sipas kuteve të tij partiake, kryeministri po tenton të krijojë një monopol mbi të drejtën dhe moralin. Ky lloj diktati nuk prodhon konsensus; përkundrazi, ai thellon polarizimin, ushqen mosbesimin mes forcave parlamentare dhe lë përshtypjen e agjendave të fshehta për pushtet absolut.Zërat kritikë kundër kësaj bllokade sa vijnë e shtohen nga të gjitha anët. Përfaqësuesit e partive opozitare kanë qenë unikë në reagimet e tyre. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi strategjinë e Vetëvendosjes si një shantazh të pastër institucional dhe papërgjegjësi absolute, duke deklaruar se Kosova dhe demokracia janë shumë më të mëdha se egoja e çdo lideri. Nga ana tjetër, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi hapur mazhorancën për mbylljen e dyerve të sallës dhe bllokim të qëllimshëm të procesit kushtetues. Ata theksojnë njëzëri se vendi nuk mund të mbahet peng i interesave të ngushta partiako-personale. Ndërkohë, organizata të shoqërisë civile, si Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kanë ngritur alarmin se kjo bllokadë artificiale po i ndal orën shtetit dhe po paralizon miratimin e ligjeve vitale për qytetarët.Zgjedhja e Presidentit është pa dyshim një sfidë që kërkon pjekuri dhe dialog të gjerë. Megjithatë, kjo nyjë nuk mund të zgjidhet përmes shantazhit institucional. Opozita nuk mund të vihet para aktit të kryer e të kryqëzohet paraprakisht për dështime që ende nuk kanë ndodhur. Secili aktor politik duhet të marrë përgjegjësinë që i takon, por vetëm atëherë kur t’i vijë koha sipas radhës kushtetuese. Kuvendi duhet të konstituohet pa asnjë vonesë dhe pa asnjë kusht paraprak. Kosova nuk ka kohë të humbë me bllokada që nuk e nderojnë as udhëheqjen e re dhe as vetë tempullin e demokracisë. Vetët brenda një parlamenti funksional mund të hapet debati për postin e Presidentit. Kosova nuk ia ka borxh askujt të mbetet peng e llogarive partiake. Çdo rrugë tjetër është devijim nga parimet demokratike dhe një goditje e rëndë për stabilitetin e vendit.
Këtë Kosova nuk e meriton!