Albspirit

Media/News/Publishing

Ruzhdi Gole: Mes Rekës dhe brigjeve

Ne jetojmë tek liria e tjetrit
grabitur qysh herët
nga Liria jonë…

*
Gjeografia e syve përhapet gjithandej
plot ujëra të shëndetshëm, të turbullt,
plot male të vërtetë, ndonjëherë
mëndjemëdhenj
plugje luginash
rrudhur.

Ujërat pëshpërisin, pastaj vrapthi
pa bujë rrjedhin ndër gishtat
e zajeve rreze – heje,

Kreshta
shkund dimrin

në Rekë
dimri s’ka gjunjë
ngryset ndonjë shpelle.

*
Më shumë se drobitje
më pak se rrëmujë
i gjithi vallëgimë,

mënjanë rri
prehje dimri
lutje

Lutem
Reka të mos hyj
në dimërimin jetim …

*
Lumi ndjek gjahun mespërmes pyjeve…
Thëllimet nuk dorëzohen njësoj
nata kreh flokët, duket
e përkryer.

Me Rekën bie përmbys mbi hon
Ajo zgjat duart të më presi kryet
pastaj t’ulet gjithandej
Zonjë…

*
Zhirovnicë, s’më zë dhe këmba …
Asnjë hap nuk më ngjiz
më merr lumi
lum gjëma…

Pa të parë kund, askund,
era më rrëmben plot gjemba
m’i vret gjunjtë çdo shtëllungë.

Zhirovnicë, s’më zë dhe këmba…

*
Në Mavrovë çohem fillikat,
i hollë si një fjollë,
ëndërr zënë
në çark.

Nuk m’i zë veshët bora
nuk m’i mbyt këmbët
një gjol,

Plasa-plasa me mëngë të holla
çdo mëngjes zgjoj
Mavrovë…

*
Mbush ujë tek gurrat në Rostushë,
gushti nga vapa përton të luaj
aventurash,

Pylli asnjë nuk nderon me grusht.

*
Mes Rekës dhe jugut
mes jugut dhe
Durrësit
lexoj tekstet e ungjillta
të kreshtës dhe mugut
të brigjeve pa asnjë
testament gjumi.

*
Shpërndarë gjithandej të tjera ngjarje…

Vela veshëprerë, torbat hamenj
era s’i mban dot frerët
e shpalljeve.

Shpalljet … të hershme
të vërteta, dinake,

Ç’të rrëfejë Durrësi për vjedhjet
qysh në shpërgenj,
ç’të rrefejë
pylli rekas
për vrasjet
e kunadheve?

*
Flaka mbillet përdhe…
Secili tjetrin
përgjysmë
e sheh.

Të tjerët bien gjak.

Suferina
nga Dyrrahu
gjithë re
na sheh
pak rri këtu, ikën

pendohet tek Durrësi plagë.

*
Përkrah Reke
qëllon të jem
plot valë detesh.

Në Mavrorë, në Rostushë…
Durrësi është plot male
puthur buzë – buzë…