Ismet Hajrullahu: Degjenerimi i Tempullit të Demokracisë
Kuvendi i Kosovës sot ka hyrë në një nga krizat më të rënda të historisë së tij parlamentare, i paralizuar nga dhuna fizike, bllokadat e qëllimshme dhe një kaos institucional. Ky ngërç i përsëritur nuk është një rastësi përplasjesh, por pasojë direkte e strategjisë politike dhe kalkulimeve taktike të Albin Kurtit.Duke mbajtur pezull funksionimin e rregullt të legjislaturës për të përmbushur agjendat e tij politike, kjo klasë udhëheqëse po tregon një papjekuri të hapur dhe një tradhti ndaj besimit të qytetarëve, ku interesat e karriges dhe llogaritë partiake vendosen në qendër të vendimmarrjes. Në qendër të kësaj krize shkatërruese qëndron vendimi i partisë në pushtet për të mos ofruar një emër si kandidat për Kryetar të Kuvendit, duke e lënë qëllimisht procesin pezull dhe duke kërkuar kohë shtesë për konsultime të papërcaktuara.Kjo taktikë e zvarritjes ka çuar në shkeljen flagrante të afateve kushtetuese tridhjetëditore për konstituimin e plotë të organit më të lartë ligjvënës në vend. Përmes këtij bllokimi, kryeministri po demonstron një arrogancë të numrave, ku kushtëzimi i pozitave dhe blerja e kohës politike vendosen qartazi mbi interesat jetike të shtetit dhe stabilitetin institucional. Përplasjet fizike, gjuajtjet me ujë dhe përleshjet midis deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të pushtetit shpërfaqën një degradim të skajshëm moral e profesional, ku argumentet janë zëvendësuar me sulme ordinere.Kur deputetët e partive opozitare si PDK dhe AAK mësyjnë foltoren dhe seanca degjeneron, ky teatër absurd dëshmon pasojën direkte të një ngërçi që buron nga agjenda e kryeministrit për të shtyrë proceset. Mesazhi që i dërgohet opinionit të brendshëm dhe aleatëve ndërkombëtarë është ai i një shteti të papjekur dhe të paaftë për të vetëqeverisur me maturi institucionale e për të gjetur një konsensus minimal kombëtar.Ndërsa politikanët humbin ditë e javë të tëra në kalkulime elektorale, ego personale dhe përleshje fizike, çmimin real e paguajnë vetëm qytetarët e Kosovës. Paraliza institucionale tashmë ka sjellë një alarm të madh ekonomik, ku ekspertët paralajmërojnë se vendi rrezikon të humbasë zyrtarisht rreth 170 milionë euro fonde mbështetëse nga Bashkimi Evropian.Këtë shifër marramendëse, që do të mund të përdorej për zhvillim, infrastrukturë, shëndetësi dhe mirëqenien e përgjithshme, po e djegin pa mëshirë për llogaritje elektorale dhe synime për pushtet absolut. Kosova sot nuk e ka komoditetin të humbasë mbështetjen e aleatëve dhe fondet për ekonominë e saj të brishtë. Pamjet e shëmtuara nga Kuvendi dëshmojnë për një krizë të thellë besimi ndaj sistemit demokratik.Kur vetë ligjvënësit shkelin ligjin, normat etike dhe Kushtetutën, çfarë mund të pritet më prej tyre? Kosova meriton një udhëheqje me dinjitet dhe jo ngërçe politike të shkaktuara nga agjendat partiake që turpërojnë sakrificën e gjeneratave të tëra.