Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: DY ETNOGRAFË FRANCEZË NË MALET SHQIPTARE

Shumë vite më parë, kur sapo kisha filluar punën si diplomat në ambasadën shqiptare në Paris, një ditë më ra në duar zarfi i një etnografeje franceze i dorëzuar kohë më parë atje bashkë me një dorëshkrim: ishin mbresat e Jacqueline Bénézech gjatë një udhëtimi në malet e veriut shqiptar në vitin 1938, bashkë me të shoqin, René Bénézech (Rëne Benezesh), edhe ai etnograf, piktor dhe fotograf, i cili kishte bredhur nëpër Afrikë dhe qëndrat arkeologjike të Greqisë. Padyshim që më bëri përshtypje ky dorëshkrim i shtypur me një makinë shkrimi nga vet zonja Zhaklinë Benezesh, i cili mbante ende mes rreshtash disa korigjime me dorën e saj. Kjo studjuese kishte qenë një mike e vjetër e ambasadës, meqë jo vetëm ky vend por dhe një histori e veçantë gjatë atij udhëtimi disa dekada më parë e kishte mbajtur të lidhur me Shqipërinë. Pikërisht në malet e Vermoshit ajo ishte bërë nune e një foshnje shqiptare, Pashkës së vogël, të cilës, në mënyrë ceremoniale i kishte prerë flokët; nune e asaj fëmije, të cilën pas atij udhëtimi nuk do ta shikonte më. Sigurisht, ajo kishte dashur ta takonte një ditë por kjo dëshirë për ta vizituar edhe njëherë atë familje të mrekullueshme shqiptare dhe Pashkën e rritur, kishte mbetur një dëshirë hipotetike, e parealizuar. Një histori interesante për të cilën, në vitet ’90 do të shkruaja diçka dhe në shtypin shqiptar si dhe një kapitull në librin tim të botuar në Paris “Pont entre deux Rives” (Ura mes dy brigjeve).

Këtë dorëshkrim të Benezesh e gjeta përsëri kur u ktheva sërish në ambasadë në vitin 1997 dhe një dëshirë më shtynte ta përktheja, por kjo punë do të zgjaste shumë vite derisa më më së fundi u ula dhe e përktheva. Shpesh kur udhëtoja drejt veriut shqiptar, imazhet e imagjinuara të atij çifti etnografësh më shfaqeshin parreshtur, pasi ishin vende që i kisha shkelur kur si kineast xhironim filma dokumentarë në Nikaj-Mërtur, Ragam, Dragobi, Vermosh, Bjeshkët e Namuna, Kukës apo gjetkë. Madje një udhëtim pothuaj identik e kisha kryer bashkë me një operator të Kinostudios, Rakip Zeneli në vitet ’80, nga Shkodra, drejt Leqeve të Hotit, urës së Tamarës dhe rrugës që shkonte drejt Lëpushës e Vermoshit ku ne ndalëm të flinim dy netë, pikërisht aty ku fare pranë kalonte vija e kufirit që ndante Shqipërinë me Jugosllavin. E pra pikërisht aty, kishte kaluar netët dhe çifti Bénézech. Më pas ne kaluam nga Shala me ujët e kulluar dhe urën e varur në shkëmb, ku ata kishin gjetur kostumet e mrekullueshme të kësaj zone, pastaj nga Thethi, me kishën e bukur të dikurshme ku ata kishin kaluar një natë të këndshme me fratin Antonio dhe “suora-n” Rexhina, duke vazhduar pastaj drejt Bogës dhe më së fundi, në të njëjtin itinerar, ne zbritëm përfundimisht në Shkodër por padyshim me një ndryshim të madh: ne ktheheshim hipur në një makinë, ndërkohë që çifti Bénézech më shumë se gjysmë shekulli më parë kishte ecur herë në këmbë e herë mbi kuaj, mes furtunës, borës dhe të ftohtit të madh, gjersa pas njëzet ditëve ishin kthyer të dërmuar në hotelin e tyre në Shkodër.

Sigurisht ky dorëshkrim më zgjoi shumë kujtime por dhe mjaft kureshtje për të njohur jetën malsore të një epoke që unë nuk e kisha jetuar, atë të viteve ’30 të shekullit XX. Dhe kështu fillova të kërkoj akoma më shumë rreth jetës së dy etnografëve francezë René dhe Jacqueline Bénézech (Rëne dhe Zhaklinë Benezesh). Cilët ishin këta njerëz të pasionuar dhe cili kishte qenë fati i atyre shqiptarëve që i kishin pritur në vatrat e tyre të varfëra dhe u kishin hapur portat në ato netë të stuhishme, siç i përshkruan Zhaklinë në dorëshkrimin e saj, dorëshkrim që për dekada me rradhë mbeti i pabotuar në sirtaret e ambasadës?

Një nga shqiptarët që u kujdes për udhëtimin e tyre në Shqipëri ishte Rexhai Kosturi, drejtori i Zyrës së Turizmit shqiptar, një njeri shumë simpatik dhe me kulturë që fliste disa gjuhë të huaja dhe që kishte hijen e një aktori si Clark Gable. Më vonë, çifti Benezesh do ta kujtonte shpesh këtë njeri modern dhe europian si dhe gruan e tij të bukur, një studente soprano që studjonte në Romë e që më vonë do të bëhej një artiste e famshme : Gjyzepina Kosturi. Ishte ai që do ti ndihmonte në kërkimet e tyre etnografike, veçanërisht për studimin e kostumeve tradicionale dhe objekteve materiale të kulturës shqiptare por dhe në organizimin e udhëtimeve nëpër Shqipëri. Por ai që do ti shoqëronte për shumë kohë në malet shqiptare ishtë shefi i Park Automobil, zoti Bonati. Kujtimet e Zhaklinë Benezesh, edhe pse pa shumë përshkrime të gjata, shkruar gjatë udhëtimit në fletoret që nuk i ndante nga vetja, janë të mbushura me episode mjaft humane dhe detaje spikatëse që tregojnë për një vëzhguese të hollë e me humor. Ajo përshkruan vende, ngjarje, tipa dhe karaktere të ndryshme, histori shqiptare të këtyre maleve me ligje të ashpra por dhe me mikpritjen e madhe, besën dhe bujarinë shqiptare. Ishte një lloj kroniste e jetës së përditshme shqiptare gjer dhe në aspekte të kulinarisë, jetës së bektashinjve, pazaret popullore e po ashtu dhe e jetës diplomatike në Tiranën e viteve 1938-1939, etj.

Drejt veriut dhe vendeve mitike të jetës shqiptare

Një nga ngjarjet më spikatëse që ajo përshkruan është ajo në Vermosh në atë fillim dimri të vitit 1938, ngjarje të cilën do ta ruajë në zemër si një nga dashuritë më prekëse. Është ajo e prerjes së flokëve të Pashkës së vogël që më solli në mendje një histori të ngjashme që kishte ndodhur pothuaj gjysmë shekulli më parë se ata të ndërmerrnin udhëtimin e tyre nëpër veriun shqiptar, koha kur konsulli francez në Shkodër, Alexandre Degrand, autori i Souvenirs de la Haute Albanie (Kujtime nga Shqipëria e Epërme), priste flokët e një fëmije nga Drishti i Mbishkodrës të zbritur me prindërit e tij në konsullatën franceze, duke bërë kështu ritualin, pra të pranonte të bëhej kumbar për atë malsor të vogël gati një vjeçar. Madje atë foshnje, ai e kishte fotografuar ndërkohë që nëna e tij, me një shami të bardhë në kokë i jepte gji. Ashtu si konsulli francez Degrand, edhe Zhaklina i kishte dhënë asaj fëmije dhuratat e saj, një shami mëndafshi dhe monedha argjendi, ndërkohë që asaj i zgjasnin një pako llokumesh dhe Rënesë çorape leshi të punuara nga nëna e foshnjes, siç ishte tradita e këtyre maleve. Vallë a e kishte fotografuar Rëne këtë ritual me aparatin e tij?… Sidoqoftë, dëshira për ta kryer këtë përkthim më së fundi u realizua. Kjo histori më kishte ngacmuar së tepërmi, aq sa për shumë kohë u përpoqa të gjeja dhe gjurmët e Pashkës, por më kot, sepse nga veriu shqiptar pas viteve ’90 shumë njerëz ishin larguar drejt Tiranës dhe të tjerë kishin emigruar nëpër Europë dhe në Amerikë.

Rëne Benezesh kishte qenë një personazh mjaft interesant dhe me profesion piktor, një tip bohemi, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore kishte qenë interpret i gjuhës kineze dhe më pas kishte rrahur vendet e Magrebit në Afrikë, veçanërisht në Marok ku ishte njohur me Zhaklinën e ku kishte pikturuar shumë tablo për çka do e konsideronin si një “piktor orientalist”. Në vitin 1929, si etnograf, ai kishte udhëtuar nëpër Ballkan dhe në vitin 1938, bashkë me gruan e tij, etnografen e re Zhaklinë Benezesh, nga Bordeaux, ai ndërmori një mision për “Muzeun e Njeriut” në Paris (“Musée de l’Homme”) për të zbuluar jetën dhe botën shqiptare. Ndoshta ishte ndër misionet e para të etnografëve perëndimorë të ardhur me një mision të caktuar në Shqipëri. Në fakt çifti Benezesh e kishte vizituar Shqipërinë shkarazi në janarin e vitit 1931, në kohën kur ata ishin nisur të vizitonin Greqinë në një kohë të zymtë dimri dhe shiu të vazhdueshëm. Në gusht të vitit 1939 Rëne dhe Zhaklina ishin nisur për mision gjithashtu dhe në Jugosllavi. Në Siri ata i gjejmë në vitet 1940-1941. Pastaj Franca u pushtua dhe ata u kthyen. Pas Luftës së Dytë Botërore në prag të një misioni të ri, Rëne Benezesh kishte vdekur më 1945. Ndërkohë Zhaklina do të vazhdonte misionet e saj në Azi apo Indi, madje duke botuar dhe libra mbi kulturat popullore të popujve.

Një koleksion i jashtëzakonshëm fotografik

Rëne Benezesh ishte njëkohësisht fotograf dhe një mori fotografish gjenden sot në «Quai Branly» në Paris dhe në “Muzeun Mesdhetar të Natyrës” në Marseille ku janë fiksuar fotografi peizazhesh, veçanërisht kostumet, tipat malsorë, etj., ku siç e përshkruan në dorëshkrimin e saj Zhaklina, një nga shqetësimet kryesore të Rënesë ishte fotografimi i natyrës, veçanërisht i objekteve etnografike, i kostumeve, i tipologjisë së femrës shqiptare, tipit të malsorit të veriut, etj. Edhe kur kishte stuhi dhe rrebeshi i lagte qull në ato shtigje të humbura, ajo që do të ruhej më shumë ishte aparati i tij. Me të ai fiksoi imazhe jo vetëm në veriun shqiptar, por dhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, siç dëshmon dhe ai udhëtim i shpejtë që ata kishin bërë drejt jugut, çka e shohim përmes fotografive të tyre me gratë e veshura me kostumet e Dardhës, të Korçës, Elbasanit, me kostumet orientale të Shqipërisë së Mesme, etj. Pas një qëndrimi në Tiranë dhe takimet me ministrin francez në ambasadën e Francës, zotin Mercier, ata e kishin vazhuar aventurën e tyre shqiptare edhe drejt jugut. Sigurisht, këto fotografi përbëjnë një pasuri më vete të trashëgimisë sonë, ashtu siç janë dhe objektet e ndryshme që ata kanë blerë nëpër Shqipëri si figurina poçerie, punime druri, argjendi, bilbila e instrumenta muzikore, kostume si xhubleta, jelekë, etj.

Duke vështruar fotografitë e koleksionit Benezesh në muzeun e madh të Parisit në «Quai Branly», ndeshesh me fotografi mjaft interesante nga ana etnografike, imazhe të fiksuara në pllaka xhami me nitrat dhe autokrome, si ato që kishin përdorur më parë në Shqipëri gjatë vitit 1913 fotografi Auguste Léon e gjeografi Jean Bruhnes. Në këto fotografi, nga Tirana ata kanë fotografuar një burrë me jelek, shtëpi, pazarin e vjetër, dyqane stofrash, gra nëpër rrugë, gra tiranase me dimite apo me veshje katolike e shumë aspekte të tjera të jetës së përditëshme siç ishin artizanët, punonjësit e qelesheve, pazaret, pastiçierët, argjendarët etj. Shumë fotografi janë nga Berati, Konispoli, disa pamje peizazhi nga Zadrima, burrë me kostume popullore, ambjente pazari. Nga Shkodra janë një sërë fotografish ku spikasin veçanërisht ndërtesat e mëdha apo interioret siç janë dhe ato në familjen e Gjon Suma. Në disa fotografi duket «princesha» e familjes Bib Doda si dhe vajza e saj me kostume popullore; në Pukë, gra muslimane dhe katolike, si dhe fotografi nga Kosova (kostume popullore në mjedise familjare, oborre, etj.).

Po kështu dhe Malësia e Madhe, veçanërisht vajzat me xhubleta, në sfonde natyrore mjaft interesante, të gjitha këto me ngjyra. Por Rëne Benezesh kishte fotografuar dhe shumë imazhe qytetare në film bardh e zi, si në Tiranë ku duket pazari i shalqive, pazari i rrushit, i poçerive, bukëpjekësit, farkëtarët, këpucarët, dyqanet dhe punishtet e prodhimit të qelesheve, etj., (fotografi gjithashtu në pozitiv xhelatino-bromur argjenti në pllaka xhami). Të tilla janë dhe fotografi grash me kostume nga Dardha, Gjirokastra, Elbasani, etj. Por habia më e madhe ishte se kur u riktheva në Musée du Quai Branly për të seleksionuar fotografitë, pashë se tashmë kisha të bëja me një fond edhe më të madh, prej 706 fotografish dhe pikërisht aty gjeta dhe personazhet që Rëne dhe Zhaklinë kishin takuar dhe që ai kishte fotografuar gjatë atij udhëtimi: Preng Calin me gruan e tij të shtatvogël, Pashkon, Kol Petrushin me familjen e tij, Fran Zefi, pater Antonin e kishës së Thethit, malsorët e rinj që i kishin gjetur një natë stuhie dhe i kishin nxjerrë gjer në shtëpitë e tyre, Toma, Nikolla, Gjergji…

Të gjithë ishin aty. Ishte një koleksion i jashtzakonshëm që meritonte padyshim një ekspozitë të madhe, pasi nuk ishin vetëm personazhet e peizazhet e veriut, por ishin skena të jetës shqiptare në disa qytete të Shqipërisë së vitit 1938. Mjaftojnë këto fotografi për të kuptuar shumëçka nga bota shqiptare fiksuar në celuloidin e filmit, madje dhe shitësit e akulloreve me dëborën e maleve, adoleshentët me qirinj në “Natën e Kadrit”, artizanët e kadaifit, zadrimoret me flokët e lyera me një lloj llaku, bixhuteritë e kohës dhe objektet pagane apo vende kulti që nuk ekzistojnë prej kohësh si xhamia e Mustafa Pazarit, teqe të ndryshme, etj

Në disa fotografi të ekspozitës së parë etnografike të hapur në Paris dhe të inaguruar në 26 nëntor të vitit 1965 nga ambasadori shqiptar Kristaq Misha si dhe autoritetet franceze, janë dhe disa fotografi të koleksionit Benezesh, ku Zhaklinë, si një njohëse e hershme e etnografisë shqiptare, u prin gjithë të pranishmëve. Një ceremoni zyrtare dhe eksponante interesante, një pjesë të ardhura nga Shqipëria dhe pjesa tjetër e koleksionit të çiftit Benezesh dhënë «Muzeut të Njeriut» në Paris: pushkë të gjata, kostume kombëtare, jelekë e xhubleta, punime druri, dekoracione familjare, qilimet e bukura të Kukësit, manekinë me kostume dasme, etj.

Në vitet ’90, në fondet për Ballkanin të “Musée de l’Homme” kisha parë dhe një koleksion objektesh etnografike për Shqipërinë, disa të dhuruara nga senatori Justin Godart, para se ai të vdiste e po kështu dhe koleksionin e pasur të çiftit francez Benezesh, që i ishte dhuruar muzeut. Për më tepër aty ruhej edhe regjistrimi i emisioneve të tyre në “Radio-France” pas kthimit të tyre nga Shqipëria (1939), ku të intervistuar nga gazetarët francezë ata tregonin për eksperiencën e tyre shqiptare dhe jetën tradicionale në Shqipëri, për pasurinë e kostumeve, zakonet, për punimin e qelesheve, zbukurimin e armëve, historitë rreth Kanunit, etj, e ku mbi gjithçka shprehej një simpati e madhe për shqiptarët. Ja çfarë shkruante ai për kostumet e malsorëve: «… Sigurisht, vështirë të imagjinoja kostum më hijerëndë dhe njëkohësisht më të jashtëzakonshëm nga bukuria dhe me një prerje aq mjeshtërore, çka e bën xhubletën një përjashtim midis kostumeve më të habitshme fshatare, ku gjithçka duket se qëndron në valëzimin e ngjyrave. Prerja e kostumeve popullore shqiptare çka është një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje, është gjithnjë mjeshtëria e rrallë e punimit të tyre. Kjo të shtyn të mendosh për krijimet me një origjinalitet të madh, me silueta veshjesh që nuk e kemi zakon t’i gjejmë diku tjetër. Dhe nuk dyshoj se artistët tanë të modës parisiane do të gjenin aty një burim të madh frymëzimi…».

Shumë vite do të kalonin dhe në prill të vitit 2004, Zhaklinë Benezesh vdiq në moshën 101 vjeçare, pa e vizituar më Shqipërinë edhe pse një dëshirë e madhe e mbante të lidhur me atë vend. Sidoqoftë, ky libër, ky dorëshkrim i përkthyer tashmë në shqip, do të jetë një pikëtakim imagjinar i etnografes me malet e veriut shqiptar, ku udhëtimi i parë i përket vitit 1931 (10-18 janar) dhe udhëtimi i dytë që zgjati më shumë se 5 muaj, nga 26 korriku i vitit 1938 e deri në 15 janar të vitit 1939, dita kur morën anijen dhe përmes liqenit të Shkodrës iu drejtuan Malit të Zi, Dubrovnikut, Zagrebit e më pas Munihut të Gjermanisë për të mbërritur në Paris.

Në vitet ’20-’30 kishin udhëtuar gjithashtu dhe disa gazetare dhe antropologe siç ishin amerikania Rose Lane në vitin 1921, austriakja Margaret Hasluk apo gazetarja franceze Paule Fercoq de Leslay më 1936, e cila kishte botuar dhe një reportazh të gjatë me dy numra në revistën e njohur l’Illustration për udhëtimin e saj gjatë tetë muajve me rradhë në malet e veriut dhe të jugut shqiptar. Padyshim një udhëtim i rrezikshëm përmes maleve, në rrugë të panjohura dhe në një kohë kur dimri sapo kishte filluar, e megjithatë, dëshira për të zbuluar jetën shqiptare ishte më e madhe se frika që mund të rrezikonte në këtë peizazh madhështor, të rrezikshëm e plot të papritura. «Gjatë dy muajve, – ka shkruar Rëne Benezesh dhe në një letër drejtuar nga Shkodra drejtorit të Musée de l’Homme, Jean Soustelle, më 10 tetor 1938, «ne bëmë studimet etnografike në qytetin e Tiranës, i cili ka një pazar interesant, ku më tërhoqi në veçanti punimi i qelesheve. Në këtë vend, ku ka tri besime, sektet muslimane lulëzojnë ngado. Në sajë të miqësisë me disa dervishë ne mundëm të zbulojmë dhe botën e fshehtë të tyre. Siç e dini, interesi ynë më i madh është studimi i kostumeve… Shqipëria është një vend me shumë interes e ndoshta nga ana etnografike më pasionanti në Europë, pasi këtu janë gjurmët e një qytetërimi shumë të vjetër autokton…”

Sigurisht që udhëtimi i tyre në veriun shqiptar ishte nga më interesantët. Kështu, më 18 tetor të vitit 1938, çifti Benezesh i ishte drejtuar Hanit të Hotit e më pas Tamarës e Lëpushës në lartësitë e mbi 2000 metrave. Ata shoqëroheshin nga interpreti i tyre shkodran, Bonati një njeri i sprovuar në udhëtime të tilla dhe njohës i gjuhëve të huaja si dhe dy qeraxhinj, Asllani dhe Ismaili, bashkë me kuajt e tyre ku janë ngarkuar dhe bagazhet. Gjatë rrugës, midis shkëmbenjve, ata ndeshen me ngrehina të braktisura, meqë barinjtë janë larguar nga verimi i bagëtive, duke hequr dhe çatitë e vathëve, që ato të mos shkatërroheshin nga rrebeshet e stuhitë e dimrit. Natën, për të fjetur, shtrihen ku munden në dyshekë pneumatikë që kanë marrë nga Parisi dhe të nesërmen vazhdojnë udhën sërish. Një natë ndalojnë në shtëpinë e malsorit të quajtur Kol Petrushi, duke hyrë në një dhomë ku reja e tymit nderet mbi kokat e njerëzve, pasi në atë dhomë, si në shumë kulla malsore nuk ka oxhak. «Të varfër, por me një pritje bujare», shkruante Zhaklinë. Ndërkohë Rëne fotografon si Kol Petrushin ashtu dhe kullën e tyre, njerëzit e familjes, gruan apo nusen e djalit, atje në dekorin e maleve.

Të nesërmen ishte plaka e Petrushit që me shkop në dorë, nëpër dëborë, u printe përpara si një dhi e egër për tu treguar rrugën drejt Ranza e Shënikut. Shpesh plakës i duhet të ndalojë dhe të presë afrimin e karvanit që ngjitet ngadalë. Etnografes franceze ajo i dukej si «një personazh përralle», siç e shkruan ajo në ditarin e saj. Më pas, duke kapërcyer shkëmbenj e katarakte, karvani ndalon në një shtëpi tjetër ku jetojnë brenda një dhome të madhe e disi të ndarë 26 persona të së njëjtës familje. Atje pjekin patate dhe rreth zjarrit, siç është zakoni, i zoti i shtëpisë i bie lahutës dhe ia merr një kënge të gjatë nga eposi kreshnik, duke i kënduar një bote të largët e mitike, heronjve të këtyre maleve. Zhaklina kupton se gjithçka përreth asaj shtëpie, orenditë, veglat e punës, kostumet, instrumentat, objektet e përditshme e të kuzhinës, gjithçka atje ishte një muze i vërtetë etnografik. Dhe për më tepër në një vend që shpesh ata, për nga bukuria e peizazheve e krahasojnë me Zvicrën. Pikërisht atje, gjatë natës, të shtrirë midis turmës, ku disa janë ngjeshur anash zjarrit në mes të dhomës, gjatë natës. Rëne ndjen se një «kafshë» e habitshme i ngjeshej prapa veshit.

Por vetëm në mëngjes ata pikasën se nuk ishte gjë tjetër veçse gishtat e këmbëve të asaj plake të shtrirë më tej që ishte në agoninë e saj. Po kështu, gjatë natës, Zhaklina ishte habitur tek flinte me atë lloj «jastëku» të butë që merrte forma të ndryshme, por vetëm në mëngjes ajo konstatoi se ishte një plënc lope. Udhëtimi i tyre vazhdon, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe ja ku gjenden në një situatë dramatike, të humbur mes asaj humbëtire, ku kuajt rrezikojnë përsëri të bien në greminë, në mes të stuhisë dhe një të ftohti të jashtëzakonshëm pa ditur nga të shkojnë, gjithnjë në kërkim të Qafës së Pejës. «Situata po bëhej tragjike, – shkruan Zhaklina, – gjersa më së fundi lodhja do të na detyronte ta linim pa Zot fatin e jetës sonë.». Dhe ja, dy djem të rinj, fatmirësisht si të rënë nga qielli, u gjenden aty dhe i ftojnë në vatrën e tyre duke u prirë përpara.

Në këtë udhëtim një mbresë të veçantë çifti francez ka gjatë qëndrimit në kullën e Preng Calit, figura e të cilit duket se i tërheq në mënyrë të veçantë. «Preng Cali, – shënonte ajo, – erdhi drejt nesh duke zgjatur duart, me një fytyrë energjike dhe një buzëqeshje të mrekullueshme.

Që me shikimin e parë ishte shumë simpatik. Një gjigand i vërtetë. Ishte i gjatë të paktën 2 metra. Ishte i veshur shumë pastër, me kostumin e Malsisë së Madhe, një kostum me një elegancë të veçantë. Flokët i kishte të bardha dhe mustaqet të shkurtra që spikasnin në figurën e tij të gjatë e të dobët. Natyrish, brezi i tij ishte i zbukuruar me një revolver të madh, një tjetër me një dorezë fildishi apo prej kocke, një model si ato që mbreti u jepte atyre që donte t’i shpërblente e t’i nderonte…”

Preng Calin, ashtu si dhe Fran Zefin më pas, dy etnografët i shohin si personazhe që më shumë i afrohen mitit sesa realitetit të përditshëm të jetës në këto male. Prenga, ky malsor, që jepte dhe jetën për mbrojtjen e kufijve, në fillim ishte zemëruar me mbretin për shkak se ai ishte gati t’ia linte kufijtë e veriut Jugosllavisë, e madje e kishte internuar në kalanë e Gjirokastrës. Por më pas, vetë mbreti e kishte liruar dhe i kishte dhuruar edhe një kobure të zbukuruar në argjend, meqë mbretëria kishte nevojë për prijësat e bajraktarët e veriut. Por të veçanta për etnografët ishin dhe marrëdhëniet e tyre, veçanërisht të Zhaklinës me Pashkon, gruan e Prengës, e cila që kur francezja hyri në kullën e tyre e puthi drejt e në gojë. I habitshëm ky gjest për një grua që vinte nga Parisi midis këtyre maleve! Vallë a do ta mësonte kjo franceze historinë e mëpasme të kësaj familje fill pas mbarimit të luftës, kur Prenga do të rrethohej në një shpellë, do të kapej dhe do të varej?

A do ta mësonte ajo fatin e Pashkos pas Luftës së Dytë Botërore, të asaj gruaje të mirë që i shkonte mbrapa si e si ta kënaqte dhe që shpesh e godiste me dorën e saj mbi shpinë për t’i shprehur dashurinë? Pashko do të përjetonte një kalvar më vete në jetën e saj pas vrasjes së Prengës, ku disa njerëz të familjes u kujdesën për të deri sa ajo vdiq në vitin 1967. Jo, askush nuk do t’i tregonte francezes se çfarë kishte ndodhur me gruan e Prengës… Megjithatë Rëne nuk kishte harruar t’i fotografonte të dy, siç i shohim sot në disa fotografi para kullës së tyre në Vermosh: Prenga i gjatë, veshur me shajak dhe Pashka shtatvogël me kostumin e saj të Malësisë së Këlmendit. Një çift i çuditshëm, por me një zemër të madhe!

Pas thuajse një muaj nëpër malet dhe vatrat bujare të veriut, karvani me dy etnografët francezë u kthye në Shkodër. Qëndrimi i tyre i fundit kishte qenë te frati i kishës së Thethit, At Antonio. Njerëzit e Fran Zefit i shoqërojnë deri sa ata dalin në rrugë të madhe. Më së fundi mund të nisen drejt Koplikut e të zbresin poshtë drejt Shkodrës. Por djaloshi malësor u kërkon ta njoftojnë më parë kur të vijnë herës tjetër, pasi ai do t’i presë që në kufi e s’ka nevojë për shkresa qeverie sepse ata do të jenë në dorë të tyre, në mikpritjen bujare të malsorëve shqiptarë. Kur karvani mbërriti në Shkodër, siç shkruan Zhaklinë Benezesh, “njerëzit na shikonin me habi, ndërkohë që Asllani u thoshte: “Janë francezë!»… Në hotel, shërbyesja e dhomës nuk arriti të na njohë. E kuptuam këtë kur u shikuam në pasqyrë. Kopshtet që shikonim përreth ishin me lule dhe qielli ishte blu. E hënë, 7 nëntor 1938. Ka tre muaj që ne kemi lënë Parisin…”

Më 13 nëntor 1938, përmes një letre dërguar nga Shkodra, Rëne Benezesh i bën të njohur mikut të tij dhe përgjegjës në “Musée de l’Homme”, Jean Soustelle, se «bën një i ftohtë i madh në malet e veriut, ku kemi ardhur që prej një muaji për kërkimet e kostumeve, por për çastin s’kam me çfarë tu shkruaj gjatë… mos ma vini re se do tu shkruaj disa rreshta me dorën që më është ngrirë nga të ftohtit». Rëne e falenderon për lajmin që i ka dhënë se Instituti i Etnologjisë në Paris i ka dhënë një fond shtesë prej 10.000 frangash për vazhdimin e misionit dhe blerjen e kostumeve. «Jam i gëzuar dhe besomëni se do të bëj një punë të plotë, pasi këtë gjë e kam për zemër, – i shkruan ai. – Asgjë nuk më pengon në këtë drejtim, madje as koha e keqe. Ky vend është me një interes etnografik aq pasionant sa nuk më vjen keq që po lodhem…».

Një aromë europiane në malet shqiptare

Udhëtimi i tyre do të vazhdonte më tej nëpër veriun shqiptar, kësaj rradhe drejt Vaut të Dejës, Gomsiqes, Pukës, Mirditës, Burrelit e Martaneshit, për të zbritur më së fundi drejt Tiranës. Ngado që shkojnë e njëjta mikpritje. Është e habitshme që nëpër këto male pikëtakojnë njerëz që kanë jetuar nëpër Europë, që flasin gjuhë të huaja. E habitshme të gjejnë polakë nëpër ato gërxhe, kryetarë bashkie që flasin frëngjisht, komandant xhandarmërie me një grua gjermane që i dhuron Zhaklinës karafilë. E habitshme kjo aromë europiane nëpër malet e Mirditës apo Burrelit. Në Shkodër, një nga shqiptarët që i ndihmon është dhe zoti Ashik, i cili prej shumë vitesh kishte jetuar në Paris. Më 17 dhjetor 1938, në prag të përgatitjeve të tyre për tu nisur drejt Parisit, Rëne Benezesh i shkruante ndër të tjera Jean Soustelle-it: «Për dy javë do të nisem drejt Parisit. Kalova këtu më shumë se dy muaj nga parashikimi i mëparshëm në sajë të mbështetjes me fonde të Institutit të Etnologjisë dhe besimit që ata më dhanë.

Do të sjell shumë kostume e objekte, të cilat do më lejojnë pas kthimit tim atje të bëj një punë serioze grafike për kostumet shqiptare. Shumë nga kostumet janë të shtrenjta, por qeveria shqiptare vendosi t’i dërgojë disa kostume «Muzeut të Njeriut», si huazim për një kohë të papërcaktuar. Por dhe unë vetë me fonde të mia kam blerë kostume edhe pse nuk i kam vendosur ende në bagazhe. Së shpejti do lëmë Tiranën. Me valixhen diplomatike që niset sot, po dërgoj klishetë fotografike. Këto çaste po vazhdoj punën. Mendoj të shkoj në jug të Shqipërisë që të plotësoj dokumentacionet e mia e pastaj të nisem drejt Francës. Do të vij me tren nga Domodosola në Itali, por ju lutem kërkoni për mua dy leje-kalimi që më duhen për të përfunduar udhëtimin tim. M’i dërgoni në Legatën Franceze këtu…”

Të dashuruar fort pas shqiptarëve dhe Shqipërisë, ky çift e ka të vështirë ndarjen me miqtë e tyre të rinj. Para se të linin Tiranën, Rëne i shkruan përsëri mikut të tij në Musée de l’Homme: «Më së fundi, kësaj rradhe po marr rrugën e kthimit dhe padyshim që do të jem në Paris para fundit të muajit janar. Ne qëndruam pesë muaj në Shqipëri në vend të tre muajve dhe shpresojmë se e kemi shfrytëzuar mirë kohën tonë në interes të punës për të sotmen dhe të ardhmen. I vura vetë në arka dy kostume shumë të bukura dhe të plota që janë dërguar në emër të Ministrisë së Arësimit, për Muzeun e Njeriut “via” Legata shqiptare në Paris…”

Më 3 janar të vitit 1939, siç më tregonte Josiane Barbier gjatë takimeve tona në Paris, e cila Zhaklinën e kishte patur si nënën e saj, ata ishin takuar në Tiranë edhe me ministrin Musa Juka dhe kishin zgjedhur koleksionet e kostumeve. Pastaj ishin drejtuar drejt Kavajës bashkë me një shqiptar të quajtur Koria, edhe pse me një kohë të keqe.

Më 4 janar, sipas shënimeve të saj, ata ishin takuar me përfaqësuesin e Francës, zotin Mercier, i cili u ishte shprehur se “puna juaj është një ogur i mirë në marëdhëniet franko-shqiptare”. Më 15 janar 1939, më së fundi çifti Benezesh u nis me anije nga Shiroka përmes liqenit drejt Malit të Zi e më pas drejt Bosnjes, Kroacisë, Munih e në fund drejt Parisit. Këtu mbaronte dhe “aventura” e tyre shqiptare, një vend ku nuk do të ktheheshin më.

Pak muaj do të kalonin kur në shtypin francez ata do të dëgjonin lajmin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit. Në fakt, fill pas kthimit nga Shqipëria në janar të vitit 1939, në një emision të “Radio-France”, për udhëtimin e saj në Shqipëri (maj 1939, pra pas pushtimit te Shqipërisë nga ushtria musoliniane) para mikrofonit Zhaklina do të shprehej: “Gjatë qëndrimit tonë në malet e Shqipërisë së veriut, unë jetova gjatë në një familje barinjsh ku u krijuan lidhje shumë të fuqishme midis tyre dhe meje, aq sa ata më kërkuan të bëhesha «nuna» e fëmijës së tyre. Nuk e di, nëse në këtë jetë të thjeshtë e të ashpër do mendoja kaq shumë për këtë familje shqiptare. Që nga ajo kohë, kjo gjë ka qenë për mua një nga gëzimet dhe emocionet e mia më të sinqerta, dhe që atëherë unë ndjehem e lidhur me ata. Asgjë nuk mund ta trondisë këtë lidhje me ata malsorë aq krenarë e të mirë. Ngjarje të mjerueshme politike do më pengojnë padyshim t’i takoj edhe pas shumë vitesh të tjera… për aq kohë sa vendi i tyre i shtrenjtë nuk do të ketë fituar pavarësinë e vet.”

Kur mbarova përkthimin e dorëshkrimit, më kishte mbetur peng që s’kisha gjetur një pasardhës të familjes së Zhaklinë Benezesh, edhe pse kisha muaj me rradhë që telefonoja kudo që gjeja familje me mbiemrin Benezesh si në Paris, Lyon, Marseille, Bordeaux e gjetkë. Por ky mbiemër ishte mjaft i përhapur dhe e pamundur të gjeja gjurmët e të afërmve të saj.

Rastësisht një ditë, duke kërkuar rreth burrit të saj të dytë Gabriel-Monod Herzen, me të cilin ajo u martua shumë vite më vonë pas vdekjes së Rënesë, pashë që në një site-web flitej diçka dhe për Zhaklinën. Atëherë hyra në kontakt me Christel Barbier dhe menjëherë enigma ime u zgjidh. Kur ajo kishte lindur, Zhaklina ishte në kokën e nënës së saj, Josiane. Atëherë u takova menjëherë me Josiane në një kafene përballë Gare de Lyon, kur sapo vinte nga Cepoy, pranë Montargis, ku dhe banonte. Ishim të gëzuar të dy të flisnim rreth Zhaklinës dhe aventurës së saj shqiptare, edhe pse unë doja të dija më shumë për jetën e saj. «Ah, Zhaklina ishte një njeri i mrekullueshëm, ishte një grua me një humor të jashtëzakonshëm… Jetët tona u pikëtakuan në vitin 1978, atëherë kur do të lindja. U kujdes shumë për vajzën time si një nënë e madhe. Ne jetuam bashkë me të dhe Gabrielin, që ishte nje shkencëtar me emër. Jetonim në Boulogne-Billancourt, pranë Parisit, në «Place Marcel Sembat». Ata lexonin shumë, kishin udhëtuar shumë, ishin humanistë të mëdhenj dhe kishin një bibliotekë mjaft të madhe. Ishin njohur sëbashku kur Zhaklina punonte në Musée de l’Homme dhe Gabrieli merrej me studime.

Kështu një aventurë e re filloi për ata. Bashkë shkuan në Indi, botuan dy libra së bashku, ishin intelektualë të vërtetë. Deri vonë Zhaklina priste gazetën Le Figaro në shtëpi dhe jetonte me kujtimet e udhëtimeve të saj. Kishte dëshirë ta festonim sëbashku me miq 100 vjetorin e saj. Ishte e lumturuar. Një vit më vonë ajo vdiq dhe një zbrazëtirë të madhe la në jetën tonë. Unë tashmë po merrem me studimet e saj, pasi ajo ka lënë pas shumë shënime, fletore, fotografi…»

Atë ditë Josiane më tregoi se kishte ruajtur dhe një itinerar të udhëtimit të saj në Shqipërinë e veriut. Por një nga befasitë e mia gjatë atij takimi ishte kur Josiane më tha se ata kishin qenë në Shqipëri edhe më parë, në vitin 1931. Kishin udhëtuar me makinën e tyre për të njohur Ballkanin, duke zbritur nga Mali i Zi drejt Shkodrës. Ata kishin mbërritur në Shkodër në 10 janar të vitit 1931. Në shënimet e saj, Zhaklinë shkruante se ishin pritur mjaft mirë në konsullatën franceze dhe më 12 janar kishin zbritur drejt Durrësit ku kishin takuar agjentin tregëtar të Legatës Franceze atje, zotin Stendjopulos, pasi donin të merrnin korrespondencën që u kishte ardhur nga Franca. Ishte një kohë përmbytjesh dhe Zhaklina shkruante se rrugët ishin shumë të vështira, madje dy ditë ishin të bllokuar nga ato përmbytje të mëdha. Atëherë kishin menduar të merrnin anijen për të ikur në Korfuz por meqë i njoftuan se rruga sapo ishte liruar, kishin vazhduar itinerarin drejt Tiranës ku ishin takuar me përfaqësuesin e Francës dhe arkeologun Leon Rey. Më pas ata vazhduan drejt jugut, në rrugë të vështira, duke shkuar drejt Pogradecit. Madje Rey u kishte dhënë dhe një letër për një mikun e tij, profesorin Perel në Liceun e Korçës. Më së fundi pasi kishin vizituar dhe manastirin e Shën Naumit ata kishin kaluar kufirin midis Jugosllavisë e Greqisë.

Që me kthimin e tyre ata kishin premtuar të riktheheshin në malet shqiptare, veçanërisht në veri, tek banorët e fshatrave alpine ku nuk kishin arritur të shkonin dhe ku gjeografë, kartografë apo historianë të huaj nuk kishin shkelur. Tashmë i njihnin vështirësitë, rreziqet, por njihnin gjithashtu dhe atë zemër shqiptare aq bujare e të dashur, kujtime që nuk mund të shlyheshin. Por ky premtim bërë malsorëve nuk do të realizohej dot.

Kujtimet shqiptare të Zhaklinës kishin qenë shënime të mbajtura në udhëtim e sipër, plot emocione, por lufta e gjatë, pushtimi i Shqipërisë më pas nga Gjermania naziste, vdekja e papritur e Rënesë në vitin e parë të pasluftës do sillte që Zhaklinë të largohej dalëngadalë nga ajo botë mitike që kishte përjetuar dikur në Shqipëri. Vetëm ekspozita etnografike shqiptare në mesin e viteve ’60 në Paris i dha rastin që shpirtërisht të përjetonte sërish gjithë atë udhëtim të paharrueshëm të saj, duke u përpjekur më kot të dinte se ç’ishte bërë me ata malsorë epikë e të varfër e veçanërisht me Pashkën e saj të vogël…

https://gazetadielli.com/dy-etnografe-franceze-ne-malet-shqiptare