Albspirit

Media/News/Publishing

Iris Halili: HYSNIA


Fragment nga libri i autores “Eleganca e lotëve”


Motra ime në ato vite sikur u mblodh gjithnjë e më shumë rreth vetes dhe qëndisjeve të saj, që ishin një art më vete. Nëna e mbante pranë dhe e mësoi të qepte, të gatuante apo të stilonte. Shoqet e saj mbaruan shkollën e lartë, ndërsa Nila mësonte sovajkën apo mjeshtëri të tjera të qëndisjes, përpos librave që ia rekomandonte nëna. Për të asgjë nuk kishte më vlerë se edukimi. Nuk di nga i vinte ky fiksim i tejskajshëm për vlerën e shkollës. Fliste me adhurim për motrat Qiriazi që i kishte pasur mësuese në shkollën e Dakos, për profesor Meksin dhe Babamustën që i kishin dhënë mësim në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”.
Çdo gjë që lidhej me dijen e frymëzonte dhe e shihte si majën ku duhej të ngrihet çdo njeri. “Është e vetmja pasuri që e fiton dhe e ke përjetë kudo të jesh”, – na thoshte përherë. Ndërsa togfjalëshi “Mëso, Iris!” ishte bërë proverbial në shtëpinë tonë. Fakti që familja nuk e kishte lënë të shkonte në shkollën e lartë në Itali i kishte mbetur, me sa duket, peng në zemër dhe nuk donte që fati i saj të përsëritej edhe te ne.
Mes halleve të tjera, dukej se nënës i rëndonte gjithnjë e më tepër halli i së drejtës së shkollimit të Nilës. Babi, nga ana e tij, përpiqej të gjente çdo vit një “mik” të ri që do të mund të ndërhynte në komitetin ekzekutiv të lagjes. Nuk diskutohej fare se çfarë dege. Atë le ta caktonte, si gjithmonë, Partia e cila, me sa duket, kishte tjetër plan. Ajo përmes një kolegu të babit na afroi një grua që s’do ta harroj kurrë. Quhej Hysnie. Kur maturohemi dhe fillojmë të përcaktojmë veset a tiparet njerëzore, lidhjet më origjinale të këtyre tipareve i bëjmë me njerëzit që kemi njohur në fëmijëri. Hysnies kudo ku ajo është apo ka qenë as nuk do t’i shkonte në mendje që fëmija i vogël që në pjesën më të madhe të rasteve i hapte derën do të shkruante sot një histori që, më shumë se me atë, ka të bëjë me njerëzit shfrytëzues që kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë në të gjitha kohërat.
Hysnia ishte një grua tipike partiake e devotshme e atyre viteve, me përmasat trupore të bëshme, ku dallohej një bark gjithmonë i fryrë dhe për të cilin nuk kishte ndonjë kompleks. Ajo ishte e martuar, nuk kishte fëmijë dhe më duket se ishte nga Vlora. Meqenëse punonte si zyrtare e lartë në Komitetin e Partisë, u duk sikur po vinte një rreze shprese për bursën e Nilës. Të paktën ky ishte premtimi që Hysnia kishte bërë në vizitën e parë te ne. Por më pas ajo vinte disa herë në javë dhe rregullisht filloi të ushqehej nga racioni ynë me tollon dhe dukej se nuk i vinte aspak turp për këtë. Që Hysnia ishte spiune, për këtë duhej të isha porositur nga njerëzit e shtëpisë që të mos flisja, por ajo që nuk kuptonte mendja ime prej fëmije ishte se si një krejt e huaj, që nuk hynte as te familja dhe as te mikeshat apo njerëzit e dashur, të na vizitonte pa gajle, pa ftuar dhe pa njoftuar, pikërisht në kohërat kur ushqimi ishte me gramaturë dhe unë e motra shihnim me zili cila të kishte pjesën më të madhe të pakos së gjalpit që jepej vetëm një herë në muaj. Ishte koha kur pula ndahej në katër pjesë dhe këto copa llogariteshin për t’u gatuar përgjatë gjithë muajit, djathi ishte me racion dhe çdo gjë tjetër bazike me tollon apo mezi gjendej. Që doktorët edhe në atë kohë kishin një të ardhur më shumë, një domate apo ca patate më tepër, këtë nuk kam pse ta fsheh, por, me sa duket, Partia e kishte gjetur mënyrën t’i kolektivizonte edhe këto “pak më tepër” dhe kjo falë tipave si Hysnia.
Zakonisht, Hysnia vinte brenda orarit të saj zyrtar. Shpesh lajmëronte gjysmë ore më parë, duke telefonuar, me një frazë standarde: “Po vij unë.” Nëna gatuante ç’të mundte për Hysnien, e cila pa dyshim sa herë vinte e kishte përlarë edhe racionin e mamit apo babit, që vinin më vonë. Më pas e mbyllte me një kafe turke që ishte edhe ajo me racion. Nëna apo të shtëpisë kurrë nuk e përmendnin bukën që jepnin, madje nëna na pati mësuar t’i afronim mikut çdo gjë që kishim në dollap, por duket që drekat për Hysnien e kishin kaluar kufirin e sensit të mikpritjes, pasi ajo ishte e paftuar dhe dukej qartazi se nuk do ta ndihmonte Nilën – thjesht kishte gjetur një kuzhinë falas. Megjithatë, askush nga ne nuk guxonte ta refuzonte, pasi ato ishin si një urdhër që Partia ta sillte në shtëpi për survejim, duke përdorur tipat si Hysnia, e cila ne na ngopte me lugën bosh dhe vetë dilte me lugën plot. Në ato vite Hysnia u zgjerua edhe më shumë falë specialiteteve të nënës që edhe vetëm me qumësht dhe miell ishte në gjendje të gatuante mrekullia.
Sot që kanë kaluar kaq dekada dhe më vjen në mend Hysnia, më portretizohet karakteri i njeriut shfrytëzues që gjithmonë na afrohet me atë buzëqeshjen e shtirë, me lëvdatat e skajshme, premtimet e sigurta dhe shpresat në qiell dhe që në fund e gjitha mbaron me ndjenjën e mashtrimit dhe përdorimit. Çka është më e keqja, këta njerëz s’kanë kurrë pendesë. Pas rënies së diktaturës Hysnien nuk e pamë më kurrë. Asnjëri nga ne nuk kishte, sigurisht, as mall dhe as kuriozitet si i shkoi filli i jetës asaj. Nuk besoj se edhe Hysnies i ka interesuar si shkoi filli i jetës sonë.
https://onufri.com/bli/eleganca-e-loteve/
https://www.amazon.com/s…