Albspirit

Media/News/Publishing

Hiqmete Daja: Hija e turpit

(Fragment nga romani “Hija e turpit” e Hiqmete Dajës, Botimet Emal 2026).

Kapitulli I

O Zot, sa u frikësova, kur i pëshpërita këto fjalë që i dëgjova unë, i dëgjoi deti që po lemerisej dhe përplaste pamëshirshëm ca dallgë që rrallë ishin parë në Durrës, i dëgjonin pulëbardhat që klithnin të trembura, i dëgjonte qielli, që kishte marrë mëri me të gjithë dhe oshëtinte nga ca bubullima të frikshme, mbase i dëgjoi edhe një vetëtimë, që çau qiellin me një dritë të fortë që më mbështolli trup e zemër, por jo, oh jo nuk i dëgjoi ime bijë, që nuk kishte dashur të dëgjonte asnjëherë nënën e saj dhe që unë endesha si e marrë dhe kërkoja mëshirë nga deti, sepse ai ma kishte rrëmbyer me ato tragete të mallkuara dhe nuk dija se ku gjendej. Në fakt kisha kohë që nuk e dija ku ishte, sepse ku mbillej, nuk korrej vetëm pranë meje, jo. Sa do të doja ta kisha futur në gjirin tim, t’i përkëdhelja flokët që i kisha harruar erën dhe ta bëja njësh me veten time, t’i jepja virtytet e mia dhe të merrja gjynahet e saj, sepse unë mund t’i mbyll sytë përgjithnjë duke u larguar e lumtur nga kjo jetë, që përveç trishtimit nuk kisha provuar asgjë tjetër, sikur edhe ca thërrime gëzimi, jo kurrë! Ato çastet e lumtura të dashurisë nga hallet e mëdha i kisha harruar.
Mbase kanë qenë kaq të mëdha trishtimet dhe hidhërimet sa i kam harruar edhe ato grimca lumturie…
Epo nuk thonë kot që dielli duket që në mëngjes dhe Bruna kishte mbetur jetime që pesë vjeç dhe e kishin dërguar në shtëpinë e jetimëve që ta rriste shteti. Ajo, kur ishin prindërit gjallë kujtohej që në shtëpinë e tyre vinin herëpashere një hallë dhe një teze që më pas as u panë më dhe sikur t’i dilnin përpara ajo nuk do t’i njihte, i kishte si mjegullnajë, por sesi e seqysh, kur u rrit mësoi se halla kishte marrë edhe shtëpinë ku kishte lindur, se kishte qenë e gjyshit dhe ajo ishte e bija dhe meqë i vëllai kishte ndërruar jetë i takonte asaj duke harruar me vetëdijë se i vëllai kishte pasur një vajzë që së paku diçka duhej të kishte nga i ati.
Atje, në jetimore, kaloi fëmijërinë, por edhe një pjesë të rinisë derisa erdhën ndryshimet demokratike dhe së bashku me sistemin që u përmbys, u përmbysën edhe shumë rregulla që funksiononin e bashkë me to edhe jetimoret për të cilat nuk i ra ndërmend kurrkujt, por u vodhën e u plaçkitën pa gajlen më të vogël, pa menduar askush se ato shtëpi ishin streha e fëmijëve pa prindër e të braktisur.
Bruna kishte filluar shkollën e mesme dhe ndërsa kthehej një ditë nga shkolla në konviktin e jetimores, ku ishte e strehuar, gjeti një bokshe me nja dy rroba të saj të hedhura në korridor e të njëjtin fat kishin pësuar edhe bokshet e shoqeve të saj. E hutuar dhe e shkatërruar, pa ditur se çdo të bëhej me të e ku do të mbytej, mori bokshen në dorë dhe, ashtu e dërrmuar, zbriti shkallët e sakaq u gjend në oborrin e jetimores, ku e pa se nuk ishte e vetme në këtë hall. Shumë fëmijë si puna e saj të çoroditur se ç’do të ndodhte me to shihnin si të mpirë njëri- tjetrin.

Befas aty pranë u afrua Rajmondi:

– Bruna çfarë do të bëjmë?

– Ku ta di unë? – foli ajo me sytë e përlotur përtokë.

– Shkojmë nga tezja ime, mbase na ndihmon. Unë ty po të prisja, – tha djali dhe i mori bokshen.
Ai ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, kurse Bruna vetëm gjashtëmbëdhjetë. Tezja banonte në Tiranë. Ajo nuk i ishte ndarë të nipit. Nuk kishte mundësi ta mbante në shtëpi se ekonominë e kishte për ibret, por sikur një byrek të bënte vraponte te nipi që e kishte jetim. U nisën në këmbë dhe së fundi pasi ecën gati një orë Rajmondi tha:

– Ja ky është pallati ku banon tezja ime. Jeton në katin e katërt.
Ngjitën shkallët dhe u gjendëm para një dere, që ishte e lyer me ngjyrë jeshile. Rajmondi trokiti dhe derën e hapi një vajzë rreth nëntë vjeç. Ajo u gëzua kur e pa kushëririn dhe i foli së ëmës:

– Ma, ka ardhur Rajmondi.
Një grua rreth dyzet vjeçe erdhi me vrap dhe na pa shumë çuditshëm, sidomos mua.

– Ejani,- na ftoi ajo dhe përqafoi të nipin dhe ashtu të përqafuar hynë në një kuzhinë që kutërbonte nga era e qepëve që po skuqeshin.

– Kjo është një shoqja ime e jetimores Bruna. Sot e plaçkitën jetimoren tonë dhe ne mbetëm rrugëve. Bruna nuk ka asnjë njeri të vetin dhe unë i thashë të vinim nga ti. Shpresoj se xhaxhi Bardhyli do të na ndihmojë.

Tezja tundi kokën dhe erdhi e përqafoi edhe Brunën. Asaj nuk di si iu duk ai përqafim. Kishte kohë që pas vdekjes së mamit askush nuk e kishte përqafuar.

– Bijë ne jemi të varfër, por nuk do t’ju lemë në rrugë. Edhe im shoq, Bardhyli, ka mbetur i vogël pa prindërit e tij dhe Rajmondin e ka të veçantë, ai nuk e ndan Mondin nga fëmijët tanë. Jam e bindur se ai do të bëjë diçka.
Trokiti dera dhe ajo u ngrit dhe u dëgjua mirëmbrëma e një burri që hyri në shtëpi. Ai mbeti i habitur në kuzhinë dhe përqafoi Rajmondin, ndërsa e shoqja i foli:

– Kjo vajza është Bruna, shoqja e Rajmondit dhe sot i kanë grabitur dhe shkatërruar jetimoren.

– Çfarë? – pyeti i tronditur Bardhyli. – Po me fëmijët e tjerë çfarë ka ndodhur, ku janë?

– Nuk e dimë se ç’kanë bërë. Unë mora me vete Brunën se nuk ka asnjë njeri të afërm, – tha Rajmondi

– Mirë ke bërë bir do të gjejmë një zgjidhje, tashti të hamë se na ka marrë uria dhe teze Lushi i bën të mira groshët, më duket se kemi edhe makarona. Pra drekë mbretërish, – tha Bardhyli e ndërsa donte të hiqej si i qeshur brenda po i plaste shpirti.
Tavolina u mbush plot, fëmijët ishin të lumtur që kishin mysafirë, megjithëse grosha dukej që ishte shtuar me ujë dhe makaronat ishin përvëluar me vaj kikiriku. Të gjithë hëngrën pa u ndier dhe Bruna nuk kishte ngrënë ndonjë drekë me të shijshme se ajo e asaj dite.
Atë natë Bruna fjeti me tri vajzat e Lushit, kurse dy djemtë dhe Mondi fjetën në kuzhinë e aneks. Dhoma e Lushit e Bardhylit ishte aq e vogël saqë me zor të madh kishte zënë një krevat treçereksh, ku flinin ata të dy dhe një dollap, që ishte gjithnjë lëmsh se aty plaseshin rrobat e të gjithëve. Të nesërmen Bardhyli shkoi në punë për të marrë lejë dhe u nis direkt në jetimore. Atje ishte pa dyer e dritare, nëpër kate ishin ca rroba vjeturina të hedhura poshtë e përpjetë. U fut brenda dhe takoi një që kishte shërbyer si rojë, i cili me dy fjalë i shpjegoi që disa banditë kishin bërë batërdinë dhe deri kishin përdhunuar dy vajza e pastaj pasi çdo gjë që kishin gjetur e kishin vjedhur ia kishin mbathur. Kjo demokracia më duket se nuk qenka e mirë, përfundoi roja fjalën e tij plot mllef e frikë se humbi punën e nuk dinte se me se do t’i ushqente fëmijët.
Bardhyli doli nga jetimorja i dëshpëruar, por me një vendim të prerë vajzën do ta mbante në shtëpi, ndërsa Rajmondin do t’ia çonte të vëllait që Zoti nuk i kishte dhënë fëmijë dhe ia kishte hedhur larg e larg që ta adoptonte. Erdhi në shtëpi dhe foli me Lushin që i qeshi fytyra nga gëzimi.
Filloi një jetë e re për Brunën e po kështu edhe për Rajmondin. Ata tashti takoheshin vetëm në gjimnaz dhe përpiqeshin shumë që të studionin e mos të krijonin probleme te bamirësit e tyre. Miqësia e tyre çdo ditë rritej. Ata e dinin që njerëz me të afërm se njëri-tjetrin dhe teze Lushin nuk kishin.
Natyrisht që Rajmondi jetonte shumë më mirë se Bruna, por ajo ishte e lumtur, sepse atje e donin dhe e mbanin si vajzën e shtëpisë. Nuk i kishte provuar Bruna këto fjalë të ëmbla e këtë sjellje kaq njerëzore. Fasulet e teze Lushit ishin si të hante çdo ditë mish të pjekur.
Shpesh herë Mondi i sillte Brunës ndonjë copë byrek që e kishte gatuar mamaja e tij e re tashmë, por ajo nuk e hante kurrë. E sillte në shtëpi dhe e ndante me motrat e saj, ashtu i thoshte ajo vajzave të tezes së Mondit.
Rruga nga shkolla për në shtëpi nuk ishte fort larg, por kur bënin mësim mbasditeve ishte pak e bezdisur që të ktheheshin ndonjëherë edhe kur ishte errësuar. Shkollat kishin shumë probleme e ndërsa kur ndonjëra meremetohej nxënësit e asaj shkolle vinin në shkollën e tyre dhe bëhej mësimi mbasdite. Në dimër errësohej shpejt dhe i duhej të kthehej vonë dhe kishte frikë, por nuk ia kishte thënë edhe Mondit që heraherës kishte mësim edhe më vonë se ajo, kështu që detyrohej të kthehej vetëm.
Ishte një situatë lëmsh dhe ajo kishte frikë dhe si për inat një mbrëmje, kur po kthehej nga shkolla te cepi i pallatit e ndalën dy djem:

– Si e ke emrin?- e pyeti ai më i gjati.
Ajo nuk u përgjigj, por shpejtoi për të shpëtuar prej tyre. Tjetri u tregua me i shkathët dhe i përdrodhi dorën. Ajo bërtiti nga dhembja dhe aty pari po kalonte një burrë që jo vetëm nuk ndërhyri për ta ndihmuar, por i tha djemve duke qeshur: – Paskeni gjetur një gjah të mirë!
Bruna filloi të dridhej nga frika, ajo zuri të qante, por ata po e tërhiqnin për ta futur te një rrugicë qorre. Sesi e nxorri Zoti Bardhylin nuk u muar vesh, por ai vrapoi si i çakërdisur dhe i përplasi dy djemtë për tokë, rrëmbeu Brunën e mbështolli në krahët e veta dhe u nis drejt shtëpisë.
Lushi doli hapi deën dhe u tmerrua, kur e pa vajzën të verdhë dyllë me lot nëpër faqe, me dorën të nxirë dhe të shoqin që nuk i kishte mbetur gjak në fytyrë.

– Çfarë ka ndodhur kështu? – pyeti ajo e trembur.

– I kishin zënë rrugën dy rrugeçër dhe po e tërhiqnin zvarrë te ajo rrugicë e mallkuar që nuk po e mbyllin a të bëjnë ç’është për të bërë. Më duket se i kanë ndrydhur edhe dorën, por nesër do t’i laj hesapet unë me ata rrugeçërit e djallit. E kanë tmerruar vajzën që luftonte me dy egërsira.

Lushi e mori, e përqafoi dhe i përgatiti dushin, kurse vajzat të tria ishin mbledhur sa një grusht në dhomën e tyre dhe po e prisnin si të ngrira.
Në kohën që Bruna bënte dushin, Lushi që kishte bërë reçel kumbulle, bëri brumin dhe përgatiti ca petulla për t’i ulur të gjithë në tavolinë, sepse kishte gati një tenxhere me supë, por duhej sonte një gjë e ëmbël për t’i dhënë pak gëzim fëmijëve që ishin tulatur nga çfarë dëgjuan nga i ati. Po kështu edhe Bardhyli ndjente një boshllëk në shpirt e sikur donte t’i gëzonte fëmijët e po shtronte si rrallë herë tryezën për darkë. Sikur ta kishin bërë me fjalë erdhën edhe Sokoli me Nilën që me dorën në qafën e Mondit hynë
gjithë gëzim.

– Po hë moj kunatë, thuaj po deshe që nuk më ka dashur vjehrra edhe mua?

– Ajo e varfëra të gjithëve na donte, – tha Lushi duke i uruar mirëseardhjen.
Bardhyli shtoi edhe tri pjata supe dhe fëmijët morën dy stola plastike që i mbanin në dhomë për të mësuar.

– Reçelin po jua vë secilit në pjatat e filxhanëve të kafesë, – tha Lushi, se ua kam frikën këtyre të treve, – tha ajo duke treguar
Mondin dhe dy djemtë e saj Ninin dhe Ladin.

Qeshën. Bardhyli po i vështronte të gjithë dhe me atë darkë të varfër, ata ishin me një gëzim në shpirt. Mondi e vuri re se kishte diçka që nuk shkonte te Bruna, e pa disa herë duke e pyetur me një vështrim sikur t’i thoshte: Ç’të ka ndodhur? – por ajo ulte kokën dhe nuk reagonte fare. Më së fundi atij nuk iu durua dhe foli:

– Teze që ka ndodhur diçka, unë po e kuptoj, por se çfarë nuk po e gjej dot.

Bardhyli dhe Lushi panë njëri- tjetrin në sy. Bruna sikur u fut dhjetë pash nën dhe, kurse fëmijëve u ngeli luga në dorë.

– Dy maskarej i ishin qepur Brunës dhe po e tërhiqnin te një rrugicë qorre që është këtu anash pallatit tonë, – tha Bardhyli,- por shyqyr Zotit në atë kohë po vija në shtëpi dhe nuk di si nuk i mbyta me duart e mia. Nesër do t’i gjej e do t’i rjep të gjallë.
Mondi u ngrit dhe i shkoi Brunës pranë. Ai e përqafoi si një motër më të vogël dhe dy pika lot ranë mbi flokët e derdhur të Brunës.

– Do të vij edhe unë, – tha Sokoli, -jo për t’i rjepur, por për t’i denoncuar që t’i bëhet mësim se sot e bënë me Brunën, nesër e bëjnë me një vajzë tjetër, apo edhe mund ta kenë bërë edhe më parë.

– Do të vij edhe unë, – tha Mondi, – mendojnë se është e jetimores dhe nuk ka kush i del për zot.

– Ti do të vish mbasdite të marrësh Brunën dhe ta shoqërosh në shkollë dhe nuk do të kthehesh edhe sikur të kesh mbaruar mësimin, do ta presësh, – i tha i ati, Sokoli.

– Hajde o burra, ditë e re, nafakë e re, thonë të moçmit, – tha Lushi, – o burra se na u ftohën petullat.
Ato u mbështollën të katërta njëra me tjetrën dhe ishin të trembura si ata zogjtë pa pupla. E shtrëngonin Brunën a thua se do të vinin t’ia rrëmbenin. Ashtu të trembura i zuri gjumi.
Të nesërmen Ema, Lea dhe Vesa e puthën Brunën dhe dolën nga dhoma në majë të gishtave, sepse atë e kishte zënë gjumë afër mëngjesit.
Sokoli erdhi herët dhe të dy vëllezërit kishin dalë. Kur u zgjua Bruna, e gjeti mëngjesin mbi tavolinë. Pas pak trokiti dera. Bruna u ngrit nga tavolina e trembur dhe pyeti:

– Kush je?

– Hape Bruna, jam Mondi.
Ajo shpejtoi dhe hapi derën dhe sakaq pa krahët e tij të hapura që e mbështollën dhe po i puthnin kokën me dashurinë e një vëllai më të madh. Lotët e Brunës binin mbi gjoksin e djalit dhe ai ishte vetë i përlotur.

– Hajde shpirti i vëllait. Jam ende gjallë unë, nuk do të lë njeri gjallë nëse të prek ty.
Hynë brenda dhe u ulën në tavolinë dhe filluan të dy të hanin mëngjesin e varfër me gjizë, pak vaj ulliri dhe dy domate. Buka me zor kapërdihej. Bruna ishte ende e tronditur. Ajo po hante bukë dhe lot. Mondi bënte sikur nuk e vinte re dhe hiqej sikur kjo kaloi dhe ajo duhej të hante.

– Ulu tashti dhe mëso, sepse edhe unë do të mësoj se kam provim në matematikë. Harroje këtë që ndodhi. Xhaxhi Bardhyli dhe babi im do t’i gjejnë ata horra dhe do të ndëshkohen. Mbas sodit do të jem gjithnjë me ty, nuk të lë më vetëm. Ja, besoj se edhe ndonjë muaj do të bëjmë mësim mbasdite, se shkolla po përfundon së rregulluari.
Ajo vuri buzën në gaz si me pahir, por ama tepër e kënaqur që Mondi do të mësonte bashkë me të. Kur mbaruan mësimet Bruna i dha një dorë shtëpisë rregulloi dhomën e vajzave dhe filoi të bëjë gati çantën, po kështu edhe Mondi.

– Ou se desh harrova, mami sot ishte ngritur herët dhe kishte bërë një byrek me presh e me qumësht, se e kam unë shumë qejf. Më pyeti në e haje dhe ti, por unë nuk e dija, por mendoj se ne hamë çdo gjë, na kanë mësuar atje, në jetimore, se po të mos e hanim gjellën e bërë ngelshim gjithë ditën me bukë thatë, – tha ai me një të qeshur të hidhur që depërtoi edhe te Bruna. Sado vështirë jetonin këtu te teze Lushi, ajo ishte shumë e lumtur, por ja dalin ca plehra, që të shkatërrojnë shpirtin e të hidhërojnë gjakun. Ajo
mori byrekun e mbështjellë dhe e vuri në një pjatë për pesë fëmijët që do të vinin nga shkolla, megjithëse teze Lushi kishte gatuar, se mori vesh se kur, një tenxhere me fasule.
Befas trokiti dera dhe Mondi doli ta hapte, xhaxhi Bardhyli dhe i ati kishin kapur nga krahët dy rrugaçët dhe i sollën në shtëpi, nuk vonuan dhe dy policë u gjendën në apartamentin e tyre dhe pa e zgjatur i vunë prangat rrugeçërve, duke falenderuar dy burrat që nuk kishin ndyrë duart me ta, por kishin njoftuar policinë, pasi për ata kishte edhe denoncime të tjera. Kur dera u mbyll prapa tyre, Bardhyli vuri re se Bruna ishte bërë dyllë e verdhë:

– Bijë lëre atë çantë sot, nuk do të shkosh në shkollë, do t’i jap një letër justifikimi Mondit. Mblidhe veten zemra e xhaxhi Bardhylit, ja mbaroi gjithçka, ata do të marrin dënimin që meritojnë që të lenë rehat ty edhe vajzat e tjera.
Dy vëllezërit e përqafuan Brunën si ta kishin vajzën e tyre dhe Mondi ishte i përlotur. Nuk ishin mësuar ata me kaq shumë dashuri. Ai shkoi pranë tyre dhe u përqafuan të katër. Më pas Mondi u nis për në shkollë, kurse Bruna u shtri në dhomën e vet. Sokoli u nis për në shtëpinë e tij se ishte turni i dytë dhe nuk duhej të vonohej më.
Bardhyli, pasi mbylli derën nga jashtë që të mos e shqetësonte Brunën, doli edhe ai për të shkuar në punë, pasi kishte njoftuar që do të punonte mbasdite për një hall familjar.
Buna u ngrit, nuk mund të rrinte shtrirë. Ajo i hyri shtëpisë, që kur të vinte teze Lushi të çlodhej nga punët e pastrimit që bënte në shtëpitë e pasanikëve të rinj që kishin filluar të shtoheshin në Shqipëri ca nga emigracioni e ca të tjerë politikanë që u rridhnin paratë si me rubinet.
Lushi ishte një grua shumë e vuajtur. Kishin mbetur pa babanë që fëmijë të dyja motrat, por kishin pasur të ëmën që lante rroba të huaja dhe bënte gjithfarë punësh për të rritur vajzat, që ia kishte lënë i shoqi të vogla. Lushi kishte pasur fat se Bardhyli ishte një burrë familjar dhe e donte shumë të shoqen, e ndihmonte mesa mundej dhe i dhimbte në shpirt që ajo punonte në shtëpitë e të tjerëve si pastruese. Kur punonin fabrikat, Lushi ishte në Poligrafik, por më pas kur u mbyllën, ata ishin me fëmijë të vegjël, Bardhyli gjeti punë në ndërtim. Ai ishte topograf, kurse Lushi, ja kështu nëpër shtëpitë e botës. Ajo nuk ankohej kurrë. Bruna dhe Ema, që ishte vetëm trembëdhjetë vjeçe, përpiqeshin të bënin punët e shtëpisë, të lanin enët, apo ndonjë pazar, sepse fëmijët e tjerë ishin ende të vegjël. Kur flitej për Brunën, Lushi thoshte duke e përqafuar: E solli Zoti te teze Lushi! Fëmijët u kthyen nga shkolla dhe e shihnin Brunën të pikëlluar. Ata e dinin se diçka kishte ndodhur, por nuk arrinin të kuptonin se as e shihnin të
ishte vrarë gjëkundi, apo të kishte ndonjë krah a këmbë të lidhur.

– Hajdeni me motrën, lani duart, hiqni përparëset dhe në tavolinë se sot keni edhe fasule edhe byrek.

– Urra, – bërtiti Ladi që ishte më i vogli, por edhe më llupsi.- Byrekun jua ka sjellë teze Nila, – u tha ajo duke i vënë sejcilit nga një copë të vogël pasi hëngrën fasulet.

– I lumshin duart edhe mamit edhe teze Nilës, – foli Ema dhe pasi mbaroi së ngrëni u ngrit të ndihmonte Brunën, kurse fëmijët e tjerë shkuan për të sistemuar librat që do të mësonin për të nesërmen.
Kur erdhi Lushi, shtëpia ishte bërë dritë, fëmijët ishin të ngrënë, enët të lara dhe ajo sapo hyri e kuptoi që Borëbardha e saj nuk kishte shkuar në shkollë. Shkoi në dhomën e vajzave dhe ato të katërta ishin futur nën një batanie dhe po dremisnin. Kur u hap dera e dhomës, ato të tria u ngritën dhe iu hodhën Lushit në qafë.

– Zemër, pse nuk shkove sot në shkollë? – pyeti Lushi.

– Xhaxhi Bardhyli dhe xhaxhi Sokoli i gjetën ata rrugaçët dhe i sollën këtu, ku erdhi policia dhe i mori. Xhaxhi Bardhyi mendoi që unë të mos shkoja në shkollë, ndaj më sheh këtu, – tha Bruna.

– Mirë zemër, keni ngrënë se e shoh që keni larë enët, madje besoj që edhe vëllezërve u keni dhënë drekë apo jo? – i pyeti ajo, ndonëse ishte e bindur që Bruna i kishte rregulluar fëmijët.
Vajzat qeshën dhe shkuan në kuzhinë me të ëmën.