Luan Rama: Mesazhi prometian i Bajronit në Francën e Lumièrëve

Lord Bajroni – një figurë frymëzuese dhe karizmatike për Francën e shekullit XIX e më pas
Një kumtesë për Bajronin në Akademinë e Shkencave, Tiranë.
Shfaqja e Bajronit në universin poetik e letrar të Europës në fillimet e shekullit XIX ishte një vetëtimë e shndritshme, drita e të cilit do të ngjizej në vetë kujtesën e Europës. Në fillim ishin këngët e para të Cajld Haroldit, nisur që në shtegëtimin e tij të parë nëpër Shqipëri e Greqi në vitin 1809, të cilat gjetën një jehonë të veçantë letrare së pari në Angli dhe pastaj nëpër Europë. Liberal dhe me frymëzime autentike, me një varg mjaft të fuqishëm poetik, simbolik e filozofik, ai hapi një faqe të re në letrat europiane : atë të poetit të angazhuar. Frymëzimet e tij gjatë udhëtimit në Shqipëri e Greqi sollën në Perëndim afrimin e një kohe të re të luftrave për liri e pavarësi. Ai e urrente barbarinë osmane dhe veprës së tij donte ti jepte një imazh të ri : atë të poetit që vihet në krye të një lëvizjeje popullore për liri. Në hyrje të veprës së tij “Don Zhuani”, Bajroni shkruante: “Kërkoj një hero!…”. Dhe në të vërtetë ai e gjeti dhe e mishëroi atë.
Siç kujtonte vetë Bajron, në një letër të tij të vitit 1817, “unë e doja në mënyrë pasionante Prometeun e Eskilit. Kur isha fëmijë në Harrow gjatë vitit e lexova tri herë. Prometeu ka qenë gjithnjë i pranishëm në kujtesën time aq sa ndjej ndikimin e tij në çdo gjë që shkruaj…”.
Pa hyrë në jetën e tij personale dhe libertine, me flirtet e shumta dhe dramat familjare, dashuritë e ndaluara në një Angli viktoriane e puritane, influenca e madhe e Revolucionit Francez në shkatërrimin e monarkisë franceze dhe triumfin e idesë së lirisë me devizën “Liri, barazi e vllazëri”, vajtja e tij më pas në Itali, lidhja me lëvizjen e karbonarëve kundër pushtuesve austro-hungarezë, formuan te ai një ndërgjegje të re: atë të shkrimtarit në shërbim të popujve të shtypur. Bajroni u detyrua të largohej nga monarkia angleze dhe shoqëria e vjetër koloniale ku nuk e gjente vetveten, në një kohë që dy dekada më parë kishte ndodhur revolucioni francez dhe shembja më së fundi e monarkisë. Ja pse ai udhëtoi në disa vende europiane. Duke lënë Zvicrën ai shkroi poemën “Prometeu” ku lëvdon kurajon dhe guximin që ai u solli njerëzve zjarrin e shenjtë të hyjnive. Duke iu drejtuar Prometeut, ai shkruante:
“Ti je simbol, je dhunti e vdekatarëve/forca dhe fati i tyre…” Ai e cilëson Prometeun orakull dhe fitimtar gjer në vdekje për fatin njerëzor. Bajroni dhe Shelli ishin dy kolosët anglezë që u detyruan të mërgojnë nga Anglia. Që të dy anti-monarkistë dhe ateistë, kohë kur Shelli botonte librin e parë atéist në fillimet e shekullit të tij dhe që të dy të frymëzuar nga Revolucioni Francez, të bindur se një epokë e re emancipimi shoqëror e politik fillonte në kontinentin e vjetër, Europën.
Bajronizmi si një fenomen trans-kulturor në botën frënge
Franca ishte nga vendet e para që njohu poetikën e fuqishme të Bajronit e më pas prozën apo dramat e shkruara prej tij. Që në vitin 1818, në Paris nisën të botohen në anglisht librat e Bajronit (për britanikët në Francë apo turistët anglofonë, amerikanë etj). U bënë aq shumë ribotime saqë në vitin 1842 do të kemi ribotimin e njëmbëdhjetë të veprave të plota të tij “The complete works of Lord Byron”).
Në fillimin e viteve 20 të shekullit XIX në Francë nisën të shfaqeshin portrete të Bajronit, skica apo foto tablosh siç ishin ato punuar nga miqtë e tij si piktura e Bajronit me kostum shqiptar e Thomas Phillips Westall apo portrete të piktorëve dhe miqve të tij Harrow, Richard etj. Në rrethet letrare në Francë bisedohej rreth poetit të ri dhe aventurier, për udhëtimet e “Child Harold” e më pas për “Gjauri”, “Corsaire”, “Lara”, etj. Shpejt bajronizmi u kthye në një fenomen kulturor veçanërisht në rrethet letrare e intelektuale, ku ai po shndrohej në një lloj modeli me konceptin e kampionit të lirisë, pasi Bajroni për ta ishte mbartës i shqetësimit të intelektualëve reformatorë me përpjekjen për ndryshimin e sistemeve shoqërore dhe të asaj që e quanin “la condition humaine (gjendja njerëzore). Duhet theksuar këtu se edhe pse Franca kreu revolucionin e vet për përmbyesjen e një monarkie mijravjeçare, pas luftrave napoleoniane Republika ra. Dinastia mbretërore u rishfaq sërish. Presidenti Napoleoni III e shpalli veten perandor dhe ja pse bajronizmi ishte aktual dhe frymëzues për shoqërinë franceze të shekullit XIX. Në tregimin e tij “Tudimi i Shën Antuanit”, Floberi u frymëzua nga “Kaini” i Bajronit dhe “Fausti” i Gëtes.
Që 19 vjeçar ai deklaronte se adhuronte dy shkrimtarë të mëdhenj të botës letrare: “Bajronin dhe Rabëlé”. Në një shkrim të hershëm të tij “Portreti i lord Bajronit” ai theksonte: “Për Bajronin, nuk kishte gjë më të bukur sesa liria dhe gjë më të neveritshme se paraja… Ai shkoi në Greqi për të ndihmuar në rilindjen e një vendi që po jepte shpirt nga skllavëria. Ai shkoi për të ngritur nga balta karron e lirisë që kishte rënë në baltën ku e kishin zhytur tiranët. Ajo baltë e fisnikëroi atë dhe e bëri të pavdekshëm birin e shekullit”. Poeti i madh Gérard de Nerval gjeti tek vepra dhe akti humanist i Bajronit diçka shpresëdhënëse. Në poemën e tij kushtuar Bajronit, “Mendim”, De Nerval, i cili këtë poezi e cilësonte “elegji”, shkruante: “Fryma e shpresës/kishte përshkuar zemrën time”… “Sa herë i përlotur / këndova hiret e tua hyjnore / theksimet e mia ishin plot sharm sepse ti më frymëzoje…”. Ishte e vërtetë se në këtë kohë, Bajroni u bë frymëzues për një pjesë të madhe të letrarëve të mëdhenj francezë. Më 1839, romancierja George Sand, duke shkruar një ese të rëndësishme në “La Revue des Deux Mondes”, të titulluar “Ese mbi dramën fantastike: Gëte, Bajron dhe Mickiewicz” e vlerëson në mënyrë të veçantë kontributin e Bajronit, duke shkruar se “Bajroni ishte ndoshta i vetmi bashkëkohës i Gëtes që kuptoi rëndësinë e zhanrit dramatik”. Ajo iu referua madje dhe Gëtes i cili rreth Bajronit do të shkruante: “Tragjedia e Bajronit “Manfredi” më duket një fenomen i mrekullueshëm dhe më ka prekur shumë. Ai aq shumë u frymëzua nga personazhi i Faustit sa personazhi i tij është krejt tjetër dhe më duhet veç ta admiroj gjeninë e tij…” .
Në kohën kur ishte konsull në Itali, në “La Scala” të Milanos, Stendali, pra Henri Beyle, u takua me Bajronin, takim që u pasua nga shumë të tjera. Forca poetike e veprës së tij e veçanërisht kurajo në luftën kundër sistemeve të vjetra shoqërore e politike e tërhoqën menjëherë shkrimtarin francez. Në një letër që i dërgonte një mikeje shkrimtare, Stendali shkruante se “ndjenjat e tij për Bajronin ishin shumë fisnike, bujare dhe të fuqishme, me një fjalë në nivelin e gjenisë”. Tetë vjet më vonë Stendali shkruan kujtime dhe boton librin “Kujtim egoizmi” ku pohon admirimin e pandryshueshëm të tij ndaj Bajronit. Por vepra e Bajronit ndikoi madje direkt në shkrimet e shkrimtarit francez. Në romanet “Lucien Leuven” dhe “E kuqja dhe e zeza », shumë kapituj të librit fillojnë me citime nga shkrimet e Bajronit. Po kështu, vetë i Bajroni e frymëzon në krijimin e personazhit të famshëm Fabricio del Dongo në “Kështjella e Parmës”, një personazh romantik, plot aventura, me dashuri dramatike. Ishte vetë modeli i tij.
Po kështu Balzak e pati Bajronin si model për personazhin e konsullit në librin “Honorine” botuar më 1843. Lista e admiruesve të Bajronit në skenën letrare e filozofike franceze është e gjatë. Në atë kohë Alfred de Musset u entusiazmua aq shumë pas këtij heroi të ri, siç shkruan në librin “Kujtimet e Alpeve” sa disa kritikë e tallën duke e quajtur “Mademoiselle Byron”. Në poemën e tij “Lord Bajronit” De Musset shkruante: “Ti, që bota nuk ta njeh emrin e vërtetë / shpirt misterioz, vdekatar, ëngjëll dhe demon/ sido që të jesh Bajron/ i mirë apo gjeni fatal / unë i dua koncertet e harmonisë së ashpër / siç dua zhurmën e rrufesë dhe të erërave…” Influenca ishte e madhe dhe tek Alfred de Vigny apo Prosper Merimée. De Vigny e identifikonte prurjen e tij poetike vetëm me Bajronin dhe me frymën e tij që nga libri “Ditari i një poeti. “Tek ai, – shkruan kritiku francez André Jarry në studimin “Kur De Vigny fliste si Bajron” – ndikimi i Bajronit ishte i jashtëzakonshëm”. Nuk mungon as Bodleri të shkruajë për këtë poet anglez që ai e cilësonte “poet salamandrin”, pra gjithnjë në “sprovë të zjarrit”. Në një poezi të tij të vëllimit “Lulet e së keqes”, duke u shprehur për poetët, Baudelaire do ta vendoste Bajronin midis Gëtes dhe Shekspirit e më pas do të vinin poetë të tjerë si Dante, Ariosto etj. Të tjerë vlerësonin më shumë “Prometeu”-n e tij. Nga ana e tij Prospère Merimée në veprën e tij “Studime anglosaksone” e cilësonte Bajronin “Bonapart i poezisë”. Është interesante kur mendon se Bajroni vetë e adhuronte figurën e Bonapartit, edhe pse Bonaparti donte ta shkatërronte monarkinë angleze përmes bllokimit të saj nga Europa kontinentale dhe asfiksimin e mbretërisë. Eseja e Bajronit titullohet “Bonaparti” dhe i dedikohet një akademiku francez, mikut të tij poet e dramaturg Casimir Delavigne. Duke botuar dy vite më pas librin e tij “Varri i Botzaris”, shkrimtari tjetër francez Camille Paganel shkruante se “Në ato brigje, me ballin e tij rrethuar me dafina, Bajroni u shfaq me shpatën në njërën dorë dhe lirën e tij në dorën tjetër. Kurrë nuk e harroj përshtypjen e jashtëzakonëshme që më bëri ky personazh. Në fjalët dhe gjestet e tij kishte një fatalitet të madh kundër të cilit ai shpesh donte të përballej dhe ku ndoshta ishte dhe sekreti i gjenisë së tij. Prania e tij tek luftëtarët, u bë një lloj talismani magjik. Ky anglez i mrekullueshëm u tregua atje shumë i dashur me mua. Disa herë ai më hapi zemrën. Një ditë, i pushtuar nga frymëzimet e tij sublime, duke më folur për të ardhmen e këtyre luftëtarëve ai më hapi sytë që të besoj në këtë të ardhme…”.
Studjuesi i sotëm Daniel Salvatore Schiffer në veprën e tij “Lord Byron” (Botimet Gallimard) shkruan se “Prometeu” dhe “Manfredi” janë paradigma më e mirë e Bajronit. “Ndriçimet e qenies së tij janë shkëndijëza prometeane”, – thekson ai. Edhe një studjues tjetër i sotëm Daniele Sarrat shkruan se “Bajroni i afrohet më shumë heroit prometian se atij faustian”. Ndërsa studjuesi tjetër francez Pierre Leyris e konsideron atë “një intelektual të angazhuar”.
Viktor Hygo zbulon thelbin e vërtetë të Bajronit dhe proklamon poetin liberator
Po e veçojmë këtu Viktor Hygonë nga korifejtë e tjerë të letërsisë franceze të asaj kohe pasi na duket sikur ai, më shumë se të tjerët e shoqëroi për një kohë të gjatë veprën e këngëtarit të Prometeut me “Orientalet” e tij”. Referencat janë të shumta. I frymëzuar nga “Mazzeppa” e Bajronit, kater vjet pas vdekjes së tij, Hygo boton “Mazzeppa”-n e tij duke u bashkuar frymës bajroniane dhe duke cituar që në fillim të poemës shprehjen e Bajronit “Away! Away! – Përpara! Përpara”! Edhe pse një vjershërim tjetër dy poemat duket sikur shkrihen në një. Ato kanë të njëjtën forcë, vrull, dramacitet dhe tingëllim heroik.
Është fakt që shkrimet e Bajronit të frymëzuara nga një botë në zgjim në Ballkanin e robëruar dhe obskurantist, bënë që shumë shkrimtarë e artistë francezë të mbruheshin me ide të reja. Bota duhej ndryshuar. Ja pse dhe vepra e Hygoit në vitet ’30-’40 të shekullit XIX fitoi dimensione të reja, atë të luftës për liri dhe një qytetërim të ri.
Në poezinë “Navarin” që i referohet betejës së famshme detare mes luftëtarëve të revolucionit grek dhe armadës osmane në gjirin e Patras, Viktor Hugo shkruante:
“Ngushëllohu ti Greqi e lirë, tiranë s’ka më, / Ngushëllohu ti Greqi e Bajronit dhe Homerit.
Këndoni! Nëse zëri juaj është i hidhur / ky zë nuk është shuar”!
Fryma bajroniane dhe republikanizmi i Hygoit u ngjizën mes tyre. Hygo e shkruan bukur homazhin e tij për humbjen e Bajronit:“Në kohën e revolucioneve tona të mrekullueshme dy sisteme politike luftonin mbi të njëjtën tokë, – thotë ai. – Një shoqëri e vjetër më së fundi përmbysej dhe një shoqëri e re nisi të ngrihej. Këtu rrënoja, atje përpjekje. Në këngët e tij funebre lord Bajron shprehu konvulsionet e një shoqërie që po jepte fund. Zoti Shatobrian me frymëzimet e tij sublime i shërbeu nevojave të para të një shoqërie që po gjallërohej sërish. Zëri i njërit ishte si lamtumira e mjellmës në çastin e vdekjes, zëri tjetrit (Bajronit) i ngjan këngës së feniksit që rilind nga hiri… Imagjinata e tij ngrihej në ato lartësi ku s’mund të kthehej pa krahë. Shqiponja i ka sytë e fiksuara mbi tokë dhe ka po atë vështrim sublim që poeti e shpërndau deri tek dielli. Kanë thënë se autori i “Don Zhuanit” për nga ana shpirtërore i përkiste shkollës së autorit të “Kandidit”. Gabim. Ka një ndryshim të thellë midis të qeshurës së Bajronit dhe asaj të Volterit. Volteri nuk kishte vuajtur…”.
Kur Bajroni shkroi “Don Zhuanin” në Itali, ai hezitoi për botimin e tij. Në një nga letrat dërguar botuesit në Londër ai shkruante se “ky libër ka mjaft shakara dhe kam frikë se është shumë liberal në këtë shoqëri puritane, për çka më duhet ta botoj në mënyrë anonime”. Dhe Hygo ishte ndër të parët që kuptoi mesazhin e “Don Zhuanit”, e këtij vëllimi poetik voluminoz. Aty ishte revolta e Bajronit ndaj një shoqërie të vjetër, hipokrite, meskine dhe të pa qytetëruar. Jemi në kohën kur Franca kishte kryer revolucionin rreth dy dekada më parë ndërkohë monarkia angleze ishte mbretëria më e madhe koloniale në botë.
Delakrua dhe piktorët e tjerë francezë të kësaj kohe
Veprat e Bajronit do të gjenin një jehonë të veçantë tek artistët francezë. Delakrua ishte një nga piktorët francezë më në zë të kësaj kohe që e pati Bajronin një idhull në krijimtarinë e tij pikturale. Mjafton të lexojmë “Ditarin” e tij e padyshim të shohim morinë e veprave të tij frymëzuar nga poeti anglez për të kuptuar impaktin e madh që ai pati tek Delakrua dhe piktorët e tjerë franceze të epokës romantike të viteve 1820-1850. Ja çfarë shkruante ai në ditarin e tij: “Sa do të doja të isha poet. Të paktën të shkruaj përmes pikturës! Kujtohu që për tu frymëzuar përjetësisht do më duheshin veç disa pasazhe nga vepra e Bajronit”. Ai e lexon Bajronin me kalem në duar, mban shënime, frymëzohet, skicon dhe ndjen gëzimin e krijuesit të angazhuar brenda vetes së tij, duke iu rikthyer Bajronit përsëri e përsëri. Bajroni është shpesh në bisedat e tij me piktorë të tjerë të shquar të kohës së tij siç ishte Monsieur Auguste, Th. Géricault, etj. Nga udhëtimi i tij në Greqi, zoti August i sjell në studio kostumet shqiptare që kishte blerë që ai mund ti vizatonte. Dhe ne i kemi parë ato në etudet e tij. Në këtë frymë, Delakrua krijoi veprat më madhore të tij siç ishin “Vdekja në Sarandapale”, “Gjauri”, “E fejuara e Abidos”, “Mazeppa” apo “Greqia mbi rrënojat e Misolongjit”. Duke lexuar tregimin “E fejuara e Abidos” në ditarin e tij të datës 14 maj të vitit 1824, pra më pak se një muaj pas vdekjes së Bajronit, ai shkruan: “Fundi i tregimit dhe vdekja e Selimit, trupi i tij që merret nga valët dhe veçanërisht ajo dorë që ngrihet mbi dallgë e që vjen të vdes në breg të detit, gjithë kjo është sublime. E ndjej se piktura ime mund ta rrokë këtë gjendje. Po, kështu dhe “Gjauri” me skifterët që mprehin sqepat e tyre para dylyftimit të personazheve?…”. Madje atë pasdite, duke lexuar ditarin e tij shohim se ai nis të punojë për dyluftimin e Hasanit me të Gjaurin. “Duke lexuar këtë mëngjes shënimin e Bajronit, – shkruan Delakrua, – ndjej të zgjohet tek unë dëshira e pamatë… Krijuesi duhet të jetë i guximshëm. Pa një guxim ekstrem nuk mund të arrihet e bukura artistike”. “Një ditë më vonë, ai vazhdon me Bajronin kur shkruan: “Frymëzimi ju vjen veç duke lexuar Bajronin dhe Danten”.
Udhëtimit në det dhe fatkeqësisë së mbytjes së Don Zhuanit, ai i kushton etude në lapës si dhe një tablo të mrekullueshme me ngjyra me një barkë të humbur në mes të një deti të pafund. Lidhja e Bajronit me Boçarin, vajtja e tij në varrin e Boçarit në Misolongj, pranë heroit suljot që udhëhiqte shqiptarët kristianë, i nxit idenë për të punuar tablonë e tij të famshme “Sulmi i Marko Boçarit mbi kampin turk”… Delakrua kërkonte ti ngjante kështu idhullit të tij: të bëhej dhe ai një zëdhënës i heronjve që jepnin jetën e tyre për triumfin e lirisë. Në Kabinetin e Vizatimeve të Luvrit janë shumë vizatime, etude për kryeveprat e tij ku ndihet pesha frymëzuese e krijimeve bajroniane. Bëhet fjalë për 30 skica, vizatime, litografi, tablo të mëdha, madje piktura ku përsëritet e njëjta temë. Ai e admiron më shumë se gjithë piktorët e tjerë francezë.
Në këtë periudhë, Ary Scheffer që ishte bërë i njohur me tablonë e famshme të grave të Sulit, një nga frymëzimet e shumta për të ishte poetika dhe aksioni i vetë Bajronit. Më 1831 ai krijoi tablonë « Manfredi dhe shpirti », po kështu « Don Zhuani dhe Haideja » ku Don Zhuani apo vetë Bajroni siç identifikohej, prehej në prehërin e Hajdesë. Një tablo është frymëzuar gjithashtu nga “Gjauri” i Bajronit.
I frymëzuar nga Mazeppa e Bajronit, Theodore Géricault krijoi tablonë e tij të famshme « Mazeppa » me një forcë të jashtëzakonshme pikturale, rendjen e heroit të lidhur mbi kalë nëpër stepat e Ukrahinës, vendlindjes së tij. Është diçka që i afrohet legjendës edhe pse bëhet fjalë për një personazh historik. Géricault krijoi një portret të mrekullueshëm të poetit dhe etyde e gravura me figurën e Mazzeppa-s, heroin midis jetës dhe vdekjes, udhëtimin funebër ku trupi i tij i pambrojtur do jetë prehë e skifterëve dhe korbave. Përsëri një figurë prometeane dhe skifterët që përshpejtojnë vdekjen e tij në qiell të hapët. Këto frymëzime bajroniane e çuan drejt realizimit të një prej tablove më të fuqishme të romantizmit francez siç ishte dhe “Masakra e Hios”. Kur Géricault vdiq, Delakrua do të shkruante gjithashtu : « I mjeri Géricault! Të kujtohen ato vargje të Bajronit që të ngrinin peshë dhe të frymëzonin përjetësisht?…”.
Por krahas tyre ishin dhe piktorët e tjerë francezë si Horace Vernet që kishte pikturuar gjithashtu një portret të Mehmet Ali Pashës, Decmaps, Achille Deveria, Papety, Bida, Louis Bulanger me kompozimin e tij të madh “Vuajtja e Mazzeppas», Dupré gjithashtu, që pothuaj në të njëjtën kohë bëri udhëtimin në Shqipëri e Greqi dhe solli figurat heroike të suljotëve që pikëtakoi në Korfuz, suljotët besnikë të Bajronit, për të cilët, në një letër të 27 dhjetorit të vitit 1923, Bajroni kishte shkruar: “Thonë se influenca ime tek suljotët është shumë e madhe. Mendohet të sulmojmë Patrën dhe fortifikatat e gjirit. Grekët apo suljotët në veçanti kanë aftësinë e ‘bukës dhe kripës’ me mua e ata presin të shkoj bashkë me ta. Le të bëhet kështu”!… Skulptori David d’Angers krijoi një medalion të mrekullueshëm më portretin e Bajronit, duke iu adresuar gjithashtu dhe varrit të Boçarit, në veprën “Vajza në varrin e Marko Boçarit”. Interesant ky frymëzim i fuqishëm për Boçarin. Në kujtimet e tij, D’Angers shkruante: “Sapo dëgjova për vdekjen e tij skicova projektin për ngritjen e një monumenti mbi varr. Kërkoja në kujtimet e mia alegorike një ide që mund të ishte e denjë për admirimin tim të kësaj figure të madhe por gjithçka më dukej e zbehtë. Një ditë, duke ecur në një varrezë, pashë një vajzë të vogël në gjunjë mbi një varr duke shqiptuar dhe vënë gishtin e saj mbi gërmat e emrit të shkruar. Kështu e gjeta kompozimin për të…”.
Shumë portrete në atë periudhë i gjeje në krijimet në porcelan, në mermer, qeramikë etj. Por influenca e Bajronit ishte e fuqishme gjithashtu tek kompozitorët francezë dhe europianë. Të parët ishin kompozitorët anglezë dhe Franca zë vendin e dytë për morinë e kompozitorëve të frymëzuar nga veprat e Bajronit. Nga francezët veç Berlioz ishin kompozitorë që vunë në skenë dramat e tij apo poemat dramatike si Guno, Adolphe Adams, me “Le Corsaire”, Lacomb me operan “Manfredi”, Joncières me “Saradapale”, Benjamin Godard, Claude Delvincourt etj, siç i rradhit ata historiani i muzikës Danièle Pinstone. Po atë vit të vdekjes së tij Rossini kompozoi pjesën muzikore “Vaji i Muzës në vdekjen e lord Bajronit”. Në kujtimet e tij, kompozitori Berlioz shkruan kur ishte në bazilikën e Shën Pjetrit të Romës: “Më pëlqente kur në ditët e nxehta e të padurueshme të verës, në një nga kthinat e freskëta të rrëfimit dhe në heshtjen religjioze, lexoja me një etje të madhe ato poezi të zjarrta të Bajronit”. Ishte Bajron që e frymëzoi për kompozimin “Haroldi në Itali”.
Ishte Bajroni dhe Revolucioni Grek që e angazhuan Chateabriand-in në kauzën e revolucionit në Greqi si anëtar i Komitetit Grek të Parisit, të cilët kohë më parë kishin pritur dhe Boçarin për tu mjekuar në Paris nga plagët e luftës. Në librin e tij « Kujtime përtej varrit » ai kujton se si mori një letër që Kanaris i kishte dërguar djalit të tij në Paris ku kishte ardhur të shkollohej, letër që ia përktheu i biri.
Bajroni dhe Misolongji në sytë e francezëve
Dihet tashmë itinerari i Bajronit kur pas dështimit të rezistencës së karbonarëve (të cilët gjetën tek Bajroni një ithtar të tyre që i frymëzonte dhe i furnizonte me armë çka u përndoq nga policia që donte ta vriste), ai u drejtua drejt Greqisë i thirrur nga Boçari dhe Mavrokordato të cilët ishin në Misolongj. Dhe ai iu përgjigj kësaj thirrje. Pasi zbarkoi në Qefalloni e pastaj në Zante, me shoqëruesit e tij ai mbërriti në Misolongjin e rrethuar nga ushtria osmane. Qëllimi i tij ishte që përmes ndihmës së Komitetit Grek të Londrës, të ndihmonte konkretisht në luftë me armatime dhe para dhe menjëherë iu vu punës për krijimin e një brigade me 500 suljotë që do ti udhëhiqte vetë në luftë kundër turqve. Ai e kishte njoftuar Boçarin për ardhjen e tij dhe donte të bashkohej me të. Dhe Boçari i ishte përgjigjur por tashmë ishte tepër vonë. Ja çfarë shkruan Bajroni rreth këtij letër-këmbimi : « Përgjigja që më dërgoi Boçari padyshim që ka qenë letra e tij e fundit që ka shkruar, pasi të nesërmen ai ra në betejë në të njëjtën ditë që e ka nënshkruar…”. Por Bajroni nuk e dinte se Misolongji ishte përreth pothuaj si kënetë dhe popullsia vuante nga malarja. Sëmundja do ta pengonte në ëndrrën e tij për të luftuar, siç e shkruan dhe në një nga poezitë atë fillim viti 1824, më 27 janar, të cilën ua lexonte miqve të tij: “Këtu është vendi i një vdekje të ndershme / – Shko në fushë betejë / Dhe jep frymën tënde të fundit!…”.
Dhe Bajroni vdiq pa mundur ta udhëhiqte ai vetë trupën e tmerrshme të suljotëve trima. “Bajroni – do të shkruante Hugo, i cili gjithashtu do të shkruante për suljotët tek “Orientalet” e tij, – i ngjante përfaqësuesit luftarak të muzës moderne në atdheun e muzave antike. Ndihmës bujar i lavdisë, i fesë dhe i lirisë, ai solli shpatën dhe lirën e tij pasardhësve të luftëtarëve dhe poetëve të hershëm. Ne i detyrohemi, veçanërisht ne, me një mirënjohje të thellë. Ai i provoi Europës se poetët e shkollës së re, edhe pse nuk i dhunojnë më hyjnitë e Greqisë pagane, i adhurojnë gjithnjë heronjtë e tyre dhe se edhe pse e kanë braktisur Olimpin, ata nuk i kanë thënë kurrë lamtumirë Termopileve. Vdekja e Bajronit u prit në gjithë kontinentin përmes një dhimbjeje universale… Duhet të lëvdohemi se një simpati na tërhiqte drejt Bajronit. Nuk ishte vetëm tërhqeja që gjeniu i bën gjenisë : ishte të paktën një ndjenjë e sinqertë admirimi, entusiazmi dhe mirënjohje, pasi duhet tu jemi mirënjohës njerëzve, veprat e aksionet e të cilëve bëjnë të na rrahë zemra.
Anglezja Lesly Marchand, një nga biografet më të mira të Bajronit, në librin e saj « Bajron – portreti i njeriut të lirë », mbështetur në dokumenta të kohës, përshkruan dhe ceremoninë funebre të Bajronit, kur arkivolin e tij e vendosën në të njëjtën kishë ku më parë kishin vendosur Marko Boçarin e vrarë. Një çarçaf i zi mbulonte arkivolin ku ishin vendosur një kaskë homerike e Bajronit, shpata dhe një kurorë dafinash pranë tij. Marchand shkruan se « aty u këndua një nga balladat e shumta nga shqiptarët hartuar ato ditë që ishte i sëmurë.
“Misolongji rënkon dhe suljotët qajnë
për lord Bajronin e ardhur nga Londra
që kleftët në një ushtri i kish mbledhur
dhe ku njeriu që adhuronin njerëzit e Rumelisë
ata i dhanë atij emrin Atë.
.
Pyjet janë në lotë, natyra qan,
kështjella e Misolongjit rënkon
pasi Bajroni dergjet i vdekur në Misolongj…”.
Këtë tekst kënge që është kënduar në shqip, biografja Marchand e ka marrë nga një burim grek i James A. Nopopoulos, të botuar më vonë. Burimet e “Fondacionit Lord Bajron” në Londër duhet të kenë informacione të shumta rreth suljotëve dhe raportit të tyre me Bajronin.
Njihet zija e madhe që mbajtën suljotët dhe grekët për poetin, heroi që i kushtoi jetën revolucionit të tyre, zija në gjithë Greqinë, veçanërisht në Peloponezin e arvanitasve. Meqë banorët e Misolongjit kërkuan që të prehej në tokën e tyre diçka nga trupi i Bajronit, atëherë një urnë me mushkrinë e tij u vendos në kishën e Spiridhonit, ndërkohë që ditë më pas, anija “Florida” dërgonte trupin e tij në Angli.
Edhe në ethet e tij të tmerrshme Bajroni kishte shkruar : « Cdo ditë një trumpetë jehon në veshët e mi / Jehona e saj më jehon në zemër… ». Ishte trumpeta që ai ëndërronte në luftë, në krye të suljotëve të tij. “Jetova, dhe nuk jetova kot/ … fryma ime mund të humbasë zjarrin e vet / trupi im mund të shuhet nga dhimbja / në veten time ka diçka që do të lodhet / tortura dhe koha / por që do të marrë frymë ende dhe kur unë të kem mbaruar…”.
Vdekja e Bajronit në sytë e Francës letrare e artistike
Një nga homazhet më të fuqishme të poetëve dhe letrave franceze ishte ai i Viktor Hygo, i cili në një përgjigje të pyetjeve të shtypit të asaj kohe përgjigjet me këtë përshëndetje:
“Ai vdiq në mënyrën më fisnike. Kur na lajmëruan për vdekjen e tij na u duk se na hoqën një pjesë të ardhmërisë sonë. Në kohën e revolucioneve tona të mrekullueshme dy sisteme politike luftonin mbi të njëjtën tokë. Një shoqëri e vjetër më së fundi përmbysej dhe një shoqëri e re nisi të ngrihej. Këtu tek ne rrënoja, atje përpjekje. Në këngët e tij funebre, lord Bajroni shprehu konvulsionet e fundit të një shoqërie që po jepte shpirt…”.
Kuptohet që kur Hygo thotë se “me lajmin e vdekjes së tij na u duk se na hoqën një pjesë e ardhmërisë sonë” është e qartë se aspiratat për të ardhmen ishin të njëjta për të dy kolosët e letërsisë humaniste dhe qytetëruese. Pra Hygo e vendos figurën e Bajronit në Panteonin botëror. Lajmi i vdekjes së Bajronit kumboi fort në gjithë Europën, veçanërisht në Francën e letrave dhe të Revolucionit. La Fayette, heroi francez i Amerikës, rruges duke shkuar për në kontinentin e largët, ndaloi në Londër dhe kërkoi të shihte kufomën e Bajronit, por nuk e pati këtë privilegj.
Në librin “Kujtimet e mia” Aleksandër Dyma shkruante: “Kjo vdekje e papritur e një prej poetëve më të mëdhenj të epokës më tronditi tmerrësisht. Në mënyrë instinktive ndjeva se tek Bajroni kishte diçka më shumë se poet, se ai ishte një nga ata apostuj, goja e frymëzuar e të cilit nxorri në heshtjen e netëve dhe errësirën e artit ato klithje që janë dëgjuar në të gjitha kombet, duke sjellë një dritë të fuqishme që ndriçoi gjithë botën…”.
Dhe me të drejtë, pas gjithë këtyre dëshmive të asaj kohe rreth figurës së Bajronit, mund të pyesim: Përse Franca letrare dhe intelektuale, ajo e arteve dhe e pasardhësve të Lumièrëve e çmoi kaq shumë Lord Bajronin. Dhe ne mund të përgjigjemi: Së pari për veprën që shkroi, shqetësimin krijues, filozofinë që ajo mbarte dhe për vlerën e madhe artistike. Së dyti, për angazhimin e tij në shërbim të kauzës sublime të Revolucionit grek dhe të çlirimit të popujve të shtypur për të fituar lirinë dhe pavarësinë, duke dhënë shëmbullin se arti duhet ti shërbente ndryshimeve shoqërore dhe shkatërrimit të shoqërive të vjetra, për një sistem te ri shoqëror e politik në emër të lirisë. Veprat si “Don Zhuani”, “Manfredi”, “Cajld Haroldi”, “I burgosuri i Chillon” e veprat e tjera poetike, letrare e dramatike të tij i drejtoheshin pikërisht aspiratave popullore dhe iluministëve që donin ta ndryshonin shoqërinë njerëzore. Bajron mbetet gjithnjë në anën e të burgosurve të lirisë siç i pa në Chillon, edhe pse kishte ndodhur në një kohë tjetër. Kur Flober kishte vizituar burgun e Chillon dhe kishte parë të shkruar në një dërrasë emrin e Bajronit, ishte shprehur: “Zemra ime rrahu më fort se kurrë kur pashë emrin e tij të shkruar në kështjellën e Chillon. Gjithë kohën kisha ëndërruar për atë njeri të zbehtë që një ditë kishte ardhur këtu, kishte bredhur këtyre brigjeve, kishte shkruar emrin e tij në gur dhe kishte ikur. Emri i Bajronit është gdhendur dhe tashmë është nxirë si ti kenë vendosur sipër bojë të zezë për ta bërë më të dukshëm. Në fakt ai shkëlqen në kollonën gri dhe bie në sy sapo hyn…”.
Duke iu referuar figurave heroike për të cilët shkroi Bajroni ne menjëherë kemi dëshirën të pyesim veten: Pse pikërisht këta personazhe të pamposhtur të një historie qoftë dhe të largët apo imediate si Mazzeppa, Prometeu, i burgosuri i Chillon etj, dhe luftëtarë të tjerë të lirisë u bënë udhërrëfyes të gjithë veprës së tij. Po, përmes shëmbujsh të fuqishëm të historisë ai frymëzonte popujt e lodhur nga nënshtrimi, të mësuar nga skllavërimi i gjatë dhe të pa shpresë për të ardhmen.
Në një letër të vitit 1816, Stendali i shkruante një mikeshës së tij letrare se “tek vepra e Bajronit ka gjetur një burim frymëzimi të pashtershëm në punën e tij si shkrimtar dhe diplomat”. Frymëzimet bajroniane ishin të panumurta. Alphonse de Lamartine do të shkruante veprën “Kënga e fundit e pelegrinazhit të Haroldit” me një përkushtim të jashtëzakonshëm për Bajronin, ku Lamartin nuk harron as besnikët e tij, “shqiptarët e rreptë me ballin e tyre të qethur”. Madje ai shkroi dhe një jetëshkrim “Jeta e Bajronit” të cilin e botoi pjesë-pjesë në gazetën “Le Constitutionel”. Lamartin imagjinonte kështu poetikisht udhëtimin e Harlodit, vetë Bajronin në vendet ku dikur kishte udhëtuar, nëpër Shqipëri e Greqi. “Si përfundim, – shkruan ai në fund të « Jeta e Bajronit”, – lord Bajroni do të mbetet në shpirtrat e njerëzve si një nga qeniet më fantastike e që ngjan se janë krijuar më shumë nga magjia sesa nga natyra njerëzore, persona që të verbojnë me imagjinatën e tyre dhe të pasionojnë zemrën…”. Në një nga poezitë e tij “Njeriu”, duke iu drejtuar Bajronit ndër të tjera ai shkruan:
“Çdokush që të shikon në sy/ pikas një rreze në eklips të mrekullisë së shekujve /… Eja, vihu në rradhë me shkëlqimin tënd epror / Midis fëmijve të pastërt të lavdisë dhe dritës”… (Les Méditations).
Gjithashtu shkrimtari dhe akademiku francez Charles Nodier do të shkruante se “shfaqja e lord Bajronit në letërsinë europiane, është një nga ato ngjarje, influenca e të cilit ndihet në të gjithë popujt dhe gjithë gjeneratat”.
Po, vepra dhe aktet e mëdha të Bajronit gjetën një jehonë mbarë europiane. Shumë artistë të mëdhenj u frymëzuan nga vepra e atij, si askush tjetër më parë: Verdi me operan e tij “Le Corsaire” apo “I due Foscari”, Schumann, Petrella (“Manfredi”), Pushkini, Cajkovski, etj.
Figura e poetit të revolucionit nuk do të shuhej me kalimin e viteve dhe shekujve. Franca, ashtu si dhe Perëndimi iu referua gjithnjë gjeniut të madh. Ashtu si me Rembonë, surrealistët franceze të viteve 20-30 te shekullit XX gjetën shumë pikëtakime të përbashkëta me Bajronin. Në botimin e letrave të Bajronit në frëngjisht, në fillimin e shekullit XX në Paris, presidenti francez Georges Clemanceau do ta përshëndeste veprën e Bajronit në parathënien e tij patetike për tribunin e lirisë. Shumë shoqata për Bajronin, “Centre Byron”, u ngritën në fillimet e shekullit XX për të promovuar veprën e tij, qëndra këto që janë dhe sot. Robert Desnos shkroi madje një poezi për të. Një nga referencat më sublime të shekullit XX është ajo e Albert Camus tek vepra e tij “Njeriu i revoltuar” i cili Bajronin dhe Shellin i cilësonte fitimtarë që luftuan me këmbëngulje për lirinë”. “Pak nga pak revolta e tyre i largohej pozës për tu dukur, për tu angazhuar plotësisht në një luftë për lirinë”. Më tej Camus vazhdon : “I revoltuar do të thotë gjithçka, pra identifikimi total me atë vlerë për të cilën ai bëhet i ndërgjegjshëm dhe që do ta mishërojë përmes vetvetes në mënyrë që të njihet dhe të pershëndetet nga të tjerët, d.m.th. ta shohë vetveten të dominuar nga kjo forcë. Në fund të fundit ai pranon gjer dhe vdekjen nëse duhet të privohet nga kurorëzimi i asaj që ai quan lirinë e tij. Më mirë të vdesësh në këmbë sesa të jetosh i gjunjëzuar!..” Nga një anë kemi kampionin e lirisë dhe nga ana tjetër ai na shfaqet si pinjoll i Prometeut modern duke u bërë simbol i poetit humanist, i angazhuar për ndërtimin e një bote të re. Ja pse vepra e tij, sot, nuk është një vepër e tejkaluar por gjithnjë e vlefshme, në një kohë kur bota e sotme është ngërthyer nga luftrat më të përgjakshme dhe dhunat më fanatike e barbare.
Libra të konsultuar
Byron et le portrait de l’homme libre, Lesly Marchand, Ed. Autrement, 1971, Paris.
Don Juan ou la vie de Byron, André Maurois, Paris. 1952.
Le dernier chant du pèlerinage d’Harold, Alphonse de Lamartine, Paris.
Lord Byron, éd. Gallimard, Daniele Salvatore Schiffer, 2015, Paris.
Don Juan, le révolté, un mythe contemporain, Frederick Tristan, éd. L’Ecriture, 2009. Paris.
Journal, Eugène Delacroix, éd. Plon, 1996, Paris.
Les études anglo-saxonnes, Prospère Mérimée, Paris.
Souvenirs sur lord Byron, Stendhal, éd. La Pléiade, Gallimard, Paris.
Mémoires, Hector Berlioz
Mémoires d’Autre Tombe, éd. Gallimard, 1951, Chateaubriand, Paris.
L’homme révolté, éd. Gallimard, Albert Camus, 1965, Paris.
Shqipëria dhe shqiptarët tek piktorët francezë të shekullit XIX, Luan Rama, Les Livres Rama
Le tombeau de Botzaris, Camille Paganel, éd. Achille Desauges, 1826, Paris.
Mes mémoires, Alexandre Dumas, éd. A. Cadot, vol. 22. Paris., éd. Garnier, 1966, Paris.
Essai sur le drame fantastique : Goethe, Byron et Mickiewicz, La Revues des Deux Mondes, George Sand, 1939
Pensée, Gerard de Nerval, Editions Garnier, 1966.
28 tetor 2024.