RUZHDI AVNI SKËNDERI FRASHËRI, EMBLEMË MIRËSIE DHE ATDHEDASHURIE
(In Memoriam për Ruzhdi Avni Skënderi–Frashëri (20.02.1942-12.11.2021), birin e Kagjinasit të Ersekës, njeriun fisnik emblemë mirësie dhe atdhedashurie, që lindi në zjarrin e Luftës së Dytë Botërore, që rezatonte mençurinë e Frashërit dhe Dangëllisë nga kishte origjinën, që e përballoi pse jo e sfidoi përballë tragjedive, që përballoi luftën e klasave, që u mbijetoi intrigave jetësore, që mbartëte tiparet më të mira të shpirtbardhësisë së trevës kolonjare. Ai ishte dhe mbeti deri në frymën e fundit njeri fisnik në shpirt, me zemër të madhe, vëllazëror, miqësor e shoqëror, ishte dhe mbeti një emër i dashur i mirësisë njerëzore, kontribues në gjallërimin e jetës me aktivitete sportive të fshatit dhe të zonës, që dinte të trashëgonte mirësinë dhe fisnikërinë e vërtetë të rrënjëve fisnike të Frashëllinjëve të mëdhenj që vunë gurë në ngritjen e ndërtgjegjes kombëtare shqiptare).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Të trashëgosh mirësinë dhe fisnikërinë e Frashëllinjve
Ruzhdi Avni Skënderi (Frashëri) kishte lindur në kohë lufte, por mbarte mbiemrin e Frashërit të Dangëllisë, mbiemrin e Frashëllinjve të mëdhenj. Frashëri ishte dera dhe ka mbetur emblemë e shqiptarizmës. Babai i Ruzhdiut, Avni Skënderi, kishte lindur në lagjen e njohur Skënderas në Frashër më vitin 1915. Koha dhe rrethanat e krijuara nuk i dhanë atij shans që të kishte bëhej një njeri i shquar, por një njeri i thjeshtë, punëtor dhe i ndershëm, që u zhvendos nga Frashëri në Kagjinas në vitin 1938, ku lidhi jetën me me një vajzë vendase që shquhej ndër të tjerat dhe ndërtoi edhe një shtëpi të re.
Rrënjët e fisit të madh Skënderi janë në Frashër, të Përmetit, të vendosur në zemër të Dangëllisë, që nuk është thjesht një fshat i bukur mes maleve, por një nga djepat më të rëndësishme të historisë, kulturës, mendimit dhe identitetit kombëtar shqiptar. Nga ky truall dolën figura të mëdha që i dhanë Shqipërisë emër, dinjitet, krenari dhe vetëdije kombëtare, si vëllezërit Frashëri: Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri. Por madhështia e Frashërit nuk qëndron vetëm te emrat e mëdhenj që i përkasin historisë, por edhe te njerëzit e thjeshtë, të cilët ndër breza kanë përcjellë traditën e punës, ndershmërisë, mikpritjes dhe fisnikërisë. Në këtë krahinë, krenaria për prejardhjen nuk ishte një fjalë e thënë, por një mënyrë jetese, një trashëgimi që ruhej në familje dhe përcillej nga prindërit te fëmijët. Të mbartje mbiemrin “Frashëri” do të thoshte të mbartje me vete një pjesë të historisë, një barrë nderi, një detyrim moral për të qenë i denjë për emrin që të kishin lënë të parët, si dhe një krenari të përligjur. Oxhaku i Skënderajve, Frashëllinjve të rinj, erdhi nga trualli i trimërisë, lavdisë dhe mençurisë në një truall të ri, nga besimi, me njerëz që ishin shquar për po kaq trimëri, lavdi e mençuri, por edhe për punën e ndershme dhe mjeshtërinë e ustallarëve, që dinin të ngrinin shtëpitë, ashtu siç dinin të ndërtonin edhe jetën dhe të ardhmen.
Historia e jetës dhe veprimtarisë së Avni Skënderit nga Frashërit, ishte e shkurtër dhe e trishtë, sepse ai përjetoi kohë lufte pikërisht kur sapo kishte ringritur jetën në fshatin Kagjinas të Ersekës. Avni Skënderi ishte i biri i Ismailit Skënderi (1875–1932). Ismaili dhe bashkëshortja e tij, Laleja, sollën në jetë tre djem: Avniun, Muharremin dhe Myslimin. Avniu, pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kohën e Mbretërisë (1933–1935), nisi një jetë të re në Kagjinas të Ersekës, ndërsa Muharremi dhe Myslimi qëndruan në Frashër. Fakt është se Muharrem Ismail Skënderi, ose “Babalja”, sikurse e thërrisnin në mbarë krahinën e Dangëllisë e më gjerë, u martua me Sanije Karafilin dhe së bashku lindën nëntë fëmijë: Ismailin, Mevlanin, Veroren, Tomorrin, Dashurinë, Diturinë, Bardhylin, Lalen dhe Mitatin. Ndërsa vëllai tjetër i Avniut, Myslim Ismail Skënderi, u martua me Sofinë dhe sollën në jetë Habibin, Nuriun, Veliun dhe Myrtezain. Muharrem Skënderi (xhaxhai i Ruzhdiut) ishte ndër mësuesit e parë të dekretuar nga regjimi i Mbretërisë Shqiptare në vitet ’30 të shekullit XX. Ai ishte një njeri shumë i respektuar për maturinë, profesionin dhe erudicionin e tij në Frashër dhe në gjithë rrethin e Përmetit, tregon në kujtimet e tij një nga nxënësit e parë të tij mësuësi dhe publicisti i njohur Dhimitër Xhoga nga Kanadaja e largët.
*
Avni Skënderi-Frashëri, një jetë e lidhur me Frashërin, një fund tragjik në shërbim të lirisë
Avni Skënderi lindi ditën e Sulltan Nevruzit, më 22 mars 1915, në Frashër të Dangëllisë. Avniu erdhi në jetë, u rrit dhe u burrërua mes halleve të kohës, duke qenë pinjoll i një prej familjeve më të njohura të oxhakut të Frashëllinjve, me emër dhe kontribute në historinë tonë kombëtare. U rrit në një mjedis atdhetar, por në kushte të vështira ekonomike, ndërkohë që, që në moshë të vogël, u përball me punën dhe përgjegjësitë familjare.
Arsimin bazë e mori në Frashër. Si çdo moshatar, punoi për të ndihmuar sadopak familjen e tij. Në vitet 1933–1935 kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe më pas iu përkushtua punëve të bujqësisë dhe të malit. Vështirësitë ekonomike e detyruan të largohej nga vendlindja dhe të vendosej në Kagjinas të Kolonjës, ku do të ndërtonte një jetë të re. Aty bleu tokë në vendin më të mirë në fushë që kishte ujë dhe një truall pranë çezmës në qendër të fshatit dhe më pas pa humbur kohë ndërtoi shtëpinë e tij të re. Nusja e djalit të tij zonja Selvi Frashëri nuk e njohu asnjëherë vjehrin e saj, por nga kujtimet e një të afërmi të saj Bedo Banushi ajo tregon për këtë rast se Avniu ishte një djalë i pashëm, i dashur, i veshur mirë dhe inteligjent që vinte herë pas here në Novoselë dhe priste në pyll lëndën drusore për të ndërtuar shtëpinë e tij në Kagjinas.
Krijoi familjen e tij pasi u martua me Bylyre Rasip Kapo (Skënderi), një vajzë që binte në sy për edukatën, punëtore dhe serioze, që çfarë i shihte syri, ia bënte dora. Nga kjo martesë patën tre fëmijë. Vajza e madhe, Dile, lindi në vitin 1940. Djali, Ruzhdiu, kishte lindur më 20.02.1942 dhe emrin ia kishte vënë vetë Avniu, pasi dëshironte që djali të bëhej në kuptimin figurativ: “Njeri i urtë, i pjekur në mendje, i mençur dhe që ecën në rrugën e drejtë”, tipare të cilat pse jo mbarten nga teqeja e Frashërit, ku fisi Skënderi ka një kontribut eksistencial për mbarëvajtjen e saj. Ndërsa vajza e tretë, Hanëme, ishte ende në barkun e nënës kur Avniu u ekzekutua nga nazistët në derën e shtëpisë, në Kagjinas, së bashku me dy të tjerë vëllezër të gruas njëri prej tyre partizan i batalionit Hakmarrja i cili gjendej aty me lejë sepse sapo ishte martua, në masakrën e 11 korrikut 1943, vetëm pak ditë pas masakrës së Borovës. Ajo erdhi në jetë më 10 shtator 1943 dhe nuk pati mundësinë ta njihte të atin. Më 10 gusht 1943, trupat naziste gjermane hynë për herë të dytë në Kagjinas, ku kryen djegien e dytë, pas ekzekutimit të 14 mbështetësve të luftës partizane të datës 11 korrik 1943. Pas përleshjeve me forcat partizane në zonën e Borovës, pushtuesit ndërmorën aksione ndëshkuese ndaj popullsisë civile dhe në këtë masakër u ekzekutuan dhjetë bij të fshatit, mes tyre edhe Avni Ismail Skënderi. Ai u vra me breshëri plumbash, në moshën 31-vjeçare, pa qenë i përfshirë në ndonjë veprim luftarak kundër ushtrisë gjermane. Ai ishte vetëm një mbështetës i luftës antifashiste dhe ndihmonte me ushqime e veshmbathje forcat që luftonin fashizmin. Shtëpia e tij u dogj nga pushtuesit, ndërsa oborri i kësaj shtëpie u bë varreza e trupave të tre të ekzekutuarve, sepse nuk kish mbetur njeri kush ti varoste, të cilët prehen sot ende aty, në pritje të shpalljes së tyre “Dëshmorë”, sipas ligjit nr. 109/2018, “Për statusin e dëshmorit”. Dëshmia e të birit, Ruzhdiut, sjell një nga momentet më tronditëse të kësaj ngjarjeje. Ai ishte vetëm një vjeç e gjysmë kur ushtarët gjermanë e morën për pak çaste nga krahët e nënës. Një oficer madhor gjerman e përkëdheli disa herë në majë të kalit të tij dhe më pas ia ktheu nënës. Kur Bylyrja u kthye në shtëpi, gjeti jo vetëm bashkëshortin të ekzekutuar, por edhe dy vëllezërit e ekzekutuar Fejzi Rasip Kapo, Muharrem Rasip Kapo. Kështu, tre fëmijët mbetën pa baba dhe familja u përball me dhimbjen e një humbjeje të parakohshme dhe mjaft tragjike. Bylyre Rasip Skënderaj ishte zgjedhur në Qershor 1943 kryetare e Organizatës së Gruas Antifashiste të Kagjinasit, ndërsa sekretare ishte Ajdine Hajdar Nuke (Spiro Meksi, Kalendari i ngjarjeve historike të LANÇ-it në rrethin e Kolonjës, Shtypshkronja “Kotti”, Korçë, 2010, faqe 85).
Avni Skënderi mbetet një nga 14 viktimat e Masakrës së Kagjinasit, emri i të cilit është përjetësuar në lapidarin e dëshmorëve të fshatit Kagjinas. Datat e vërteta të masakrave janë “burgosur” në arkiva ndërsa koha ka fluturuar drejt një shekulli të ri. Historia e tij është dëshmi e fatit të shumë familjeve shqiptare gjatë pushtimit nazifashist. Një jetë e ndërprerë padrejtësisht, një familje e plagosur rëndë, një kujtim që nuk duhet të shuhet kurrë. Sakrifica dhe vrasja e tij meritojnë vlerësimin e duhur historik dhe shtetëror, në përputhje me dokumentacionin dhe legjislacionin për statusin “Dëshmor i Atdheut”. Sepse Avni Skënderi nuk është vetëm një emër në historinë e Kagjinasit të Ersekës. Ai është pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe e dhimbjes së një brezi që përjetoi pushtimin, dhunën, humbjen, përgjakjen, por jo përgjunjjen. Ndërkohë, pas çlirimit, bashkëshortja e Avniut, Bylyrja, e cila ishte një grua Zonjë në kuptimin real të kësaj fjale të madhe të nënës nuk iu tremb kurrë vështirësive të jetës, u martua me Nuri Skënderin, në Frashër duke krijuar familje të re ajo solli në jetë edhe dy djem e tri vajza të tjera, Piro, Venetik, Xhane, Selvi dhe Bajame. Ndërsa të tre fëmijët e saj mbetën në Kagjinas ku u rritën derisa krijuan familjet e tyre.
*
Masakra e Kagjinasit, 11.07.1943, masakër që ende kullon gjak në pritje të drejtësisë dhe të një reagimi nga shteti. (…ishte një krim i trupave naziste gjermane dhe një plagë e pashlyer në kujtesën historike kolonjare dhe më gjerë).
Masakra e Kagjinasit përbën një nga ngjarjet tragjike të historisë së trevës kolonjare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Studiuesit dhe historianët ndahen për datën e saj: disa i referohen muajit korrik, datë që konsiderohet më e besueshme, ndërsa të tjerë muajit gusht, kur ndodhi djegia e dytë e Kagjinasit. Kjo ngjarje dëshmon dhunën e ushtruar nga trupat pushtuese gjermane ndaj popullsisë shqiptare dhe çmimin e rëndë që paguan banorët e kësaj treve në përballjen me pushtimin nazist. Vrasjet dhe ekzekutimet e njerëzve të pafajshëm, të shoqëruara me djegien e banesave, nuk ishin thjesht akte dhune, por shfaqje të një politike terrori dhe ndëshkimi kolektiv ndaj popullsisë civile.
Në këtë ngjarje tragjike, emrat e Avni Ismail Skënderi, Mehmet Halim Hamdiut, Sadik Telo Hamdiut, Safet Myrteza Amdiut, Shyqyri Sali Bahollarit, Sali Shyqyri Bahollarit, Fejzi Rasip Kapo, Muharrem Rasip Kapo, Muhamet Ali Tare dhe Teko Ramo Ferhatit mbeten pjesë e kujtesës së fshatit dhe të historisë së kësaj treve. Ata u ekzekutuan nga trupat gjermane dhe lanë pas familje të goditura, fëmijë jetimë dhe shtëpi të djegura të shndërruara në kujtime të dhimbshme të një kohe të errët. Krimi i kryer në Kagjinas duhet parë edhe në kontekstin e operacioneve ndëshkuese gjermane në zonën e Kolonjës. Pas masakrës së Borovës të 6 korrikut 1943, dhuna ndaj popullsisë vendase u shtri edhe në fshatrat e tjerë përreth. Veprimet e forcave pushtuese dëshmojnë se terrori nuk kufizohej vetëm në përballjet me formacionet e armatosura, por godiste edhe njerëzit që jetonin në shtëpitë e tyre, larg çdo fronti luftimi. Ekzekutimi i civilëve dhe djegia e banesave përbënin forma të qarta të ndëshkimit kolektiv nga nazistët.
Një nga dëshmitë më prekëse të kësaj tragjedie është historia e Avni Ismail Skënderi-Frashërit, i cili la pas bashkëshorten, Bylyre, dhe tre fëmijë, mes tyre një vajzë që ende nuk kishte lindur. Djali i tij, Ruzhdiu, ishte vetëm rreth një vjeç e katër muaj kur babai u vra. Sipas dëshmisë së tij, të përcjellë më vonë nga familja, Avniu nuk kishte kryer ndonjë veprim kundër ushtrisë gjermane. Por, kur nëna u kthye në shtëpi, e gjeti bashkëshortin të ekzekutuar, ndërsa banesa ishte djegur.
Kjo histori familjare e bën edhe më të prekshme përmasën njerëzore të krimit: një baba i vrarë, një nënë e mbetur e vetme dhe fëmijë të privuar përgjithmonë nga prania e të atit. Masakra e Kagjinasit nuk mund të reduktohet në një listë emrash apo në një datë kalendarike. Ajo duhet kuptuar si një tragjedi e popullsisë civile, ku dhuna e pushtuesit ndërpreu jetë, shkatërroi familje dhe la gjurmë të thella trishtimi në kujtesën kolektive. Përgjegjësia për këto ekzekutime u përket forcave pushtuese gjermane që i kryen, ndërsa përkujtimi i viktimave është detyrim moral dhe historik i shoqërisë. Sot, nderimi i të vrarëve nuk është vetëm një akt respekti ndaj së kaluarës. Është edhe një detyrim ndaj së vërtetës historike. Emrat e tyre meritojnë të ruhen, të dokumentohen dhe të trajtohen me dinjitet nga institucionet përgjegjëse. Historia nuk duhet të lejojë që viktimat e dhunës pushtuese të humbasin në harresë apo që sakrifica e tyre të mbetet e panjohur për brezat e rinj. Si i mbijetuar i L2B thotë bashkëshortja e tij Selvia, ai përgjatë gjithë jetës së tij kurrë nuk shfaqi urrejtje për çfarë ndodhi me babanë e tij, por përkundrazi di që shumë vite më parë më ka thënë se do të linte një Afidavit (Affidavit) si mirënjohje dhe dëshmie historike për atë që i shpëtoi jetën.
Kagjinasi, ashtu si Borova dhe fshatrat e tjera të Kolonjës që përjetuan dhunën e pushtimit, mbetet një dëshmi e gjallë e vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kujtimi i këtyre njerëzve kërkon jo vetëm fjalë nderimi, por edhe hulumtim, dokumentim dhe drejtësi historike. Sepse një komb që ruan kujtesën e viktimave të tij ruan edhe dinjitetin e vet. Të rënët e Kagjinasit nuk u përkasin vetëm familjeve të tyre, por janë pjesë e historisë dhe ndërgjegjes sonë kombëtare.
*
Babain që nuk e njohu, por që e mbajti në zemër gjithë jetën! (Ruzhdi Skënderi-Frashëri dhe kujtimi i pashuar për Avniun, babanë e ekzekutuar nga nazistët gjermanë)
Ruzhdi Skënderi-Frashëri ishte vetëm 16 muajsh kur trupat naziste gjermane i ekzekutuan të atin, Avni Skënderi-Frashërin, në Kagjinas të Kolonjës. Në atë moshë, një fëmijë nuk mund të ruajë kujtime të vetëdijshme për fytyrën, zërin apo përkëdheljet e babait. Por Ruzhdiu u rrit me mungesën e tij, me historinë e asaj dite tragjike dhe me dhimbjen që nëna, Bylyrja, ia përcolli brez pas brezi. Një nga kujtimet më të forta që ai rrëfente ishte çasti kur, i mbajtur në krahët e nënës pranë çezmës së fshatit, një ushtarak gjerman e mori dhe e çoi përpara një oficeri të lartë. Oficeri e vështroi çuditshëm, sikur të lexonte psikologjinë e shqiptarëve, nga foshnjat deri te më të moshuarit, dhe më pas e ktheu te nëna. Ishte një çast i pështjelluar njerëzor, përballë një tragjedie që po ndodhte në fshat. Kur Bylyrja u kthye në shtëpi, gjeti bashkëshortin e saj të vrarë me breshëri plumbash. Shtëpia ishte djegur nga pushtuesit jo një herë, por dy herë. Në dëshminë e tij të mëvonshme, Ruzhdiu shprehej me dhimbje se babai i tij ishte i pafajshëm përballë makinerisë pushtuese të bishës naziste gjermane. Nuk ishin thjesht fjalë kujtimi të një djali për të atin. Ishte zëri i një jete të nisur nën hijen e një krimi, i një fëmije që nuk pati mundësinë ta thërriste kurrë babanë, ta njihte nga afër apo të merrte prej tij dashurinë dhe përkujdesjen atërore. Avniu mbeti për Ruzhdiun një prani e munguar, por kurrë e harruar. Ai e njohu të atin përmes rrëfimeve të nënës, historisë së familjes dhe plagës së madhe që la pas ekzekutimi i tij. Kështu, edhe pse nuk pati kujtime nga jeta e përbashkët me të, Ruzhdiu e mbajti gjallë figurën e babait në ndërgjegjen e vet. Një baba që iu mor në mënyrë mizore, por që nuk iu shua kurrë nga zemra. Por maksima proverbiale popullore “Bëmë baba të të ngjaj” është më se e vërtetë, sepse Avniu jetoi brenda shpirtit të Ruzhdiut dhe të dy motrave të tij, duke u gdhendur në zemrën e tij. Sipas Ruzhdi Skënderi-Frashërit, ai e kujtonte gjithmonë babanë e tij dhe, në fakt, e kishte brenda vetes përgjatë gjithë jetës. Në një artikull të shkruar pak kohë më parë, me titull “Gjurmët naziste në memorien e një fëmije”, profesori Zotaj i referohet të birit të Avni Skënderi-Frashërit, Ruzhdi Frashërit: “I tillë është edhe një prej pinjollëve të familjes Frashëri, për të cilin meriton të shkruhet me germa të arta. Ruzhdi Frashëri (në kohën e shkrimit, Ruzhdiu ishte ende gjallë) është 80 vjeç dhe, si çdo bashkëmoshatar i tij, lufton me sëmundjet e moshës. I lindur më 20.02.1942 në Kagjinas të Kolonjës, fati i keq e solli që ai të përballej që në fëmijërinë e hershme me vështirësitë e jetës. Në gusht 1943, ai ishte vetëm një vjeç e gjysmë, kur trupat e Divizionit të Parë Malor të Ëehrmacht-it, duke udhëtuar nga Korça në drejtim të Janinës, u përballën në dalje të Barmashit me një pritë të organizuar nga njësitet partizane vendase, të udhëhequra nga Riza Kodheli dhe Petrit Dume…”.
Pas kësaj goditjeje ndaj autokolonës gjermane, forcat partizane u larguan nga zona, ndërsa gjermanët ndërmorën aksione hakmarrëse në Borovë dhe në fshatrat përreth, në kuadër të më shumë se një jave ndëshkimesh. Për këto ngjarje flitet pak. Megjithatë, masakrat në Gozhdarazhd, Kamnik, Sanjollas, Podë dhe sidomos në Kagjinas përbënin akte të ngjashme terrori ndaj popullsisë civile, me vrasje të njerëzve të pafajshëm dhe djegie shtëpish. Ndër të ekzekutuarit në Kagjinas ishte edhe Avni Frashëri, babai i Ruzhdiut. I ardhur në Kagjinas vite më parë nga Frashëri i Përmetit, nga një oxhak i njohur në mbarë trevat e Kolonjës, Përmetit dhe Skraparit, Avniu la jetim djalin, Ruzhdiun, dhe dy vajzat e tij, Adilen dhe Hanëmen, e cila ende nuk kishte lindur. Në një intervistë të dhënë sa ishte gjallë, Ruzhdi Frashëri, i pyetur nëse kujtonte diçka të veçantë nga fëmijëria dhe nga ajo ditë e përgjakshme e fillimkorrikut 1943, kur nazistët i vranë të atin, dëshmonte: “Kur erdhën gjermanët në Kagjinas, rastisa të isha me nënën, Bylyren, te çezma e fshatit, ku ajo kishte shkuar të mbushte ujë. Në atë kohë isha rreth një vjeç e gjysmë dhe nëna më mbante në krahë. Më ka treguar gjithmonë se një ushtarak nazist e mori Ruzhdiun nga krahët e nënës. Ajo më kishte shtrënguar fort pas gjoksit, e tmerruar nga ajo që po ndodhte.
Një oficer i lartë gjerman qëndronte hipur mbi kalë dhe kishte pranë ordinancën e tij. Ai urdhëroi që djalin e vogël ta sillnin pranë tij. Ushtaraku zbatoi urdhrin dhe më çoi djalin e vogël te komandanti. Oficeri e vështroi çuditshëm, e ngriti lart me të dyja duart dhe më tha diçka në gjermanisht. Ndoshta kujtoi fëmijët e tij në Gjermani. Më pas më ktheu te nëna, e cila po priste me gjakun e ngrirë. Kur nëna u kthye në shtëpi, burrin e saj e gjeti të ekzekutuar me breshëri plumbash, po ashtu edhe dy vëllezërit e saj. Babai im, Avniu, ishte i pafajshëm dhe nuk kishte kryer veprime kundër gjermanëve. Shtëpia jonë u dogj nga nazistët si hakmarrje për pritën e Borovës”. Në familjen Skënderi-Frashëri kishte ndodhur gjëma: ishte vrarë kryefamiljari, burri fisnik 28-vjeçar Avni Skënderi-Frashëri, Fejzi Rasip Kapo, ish-partizan i batalionit “Hakmarrja”, i cili kishte shkuar me leje për disa ditë në Kagjinas, dhe vëllai i tij dhe i Bylyres, Muharrem Rasip Kapo. Hakmarrja gjermane vijoi në të gjithë fshatrat e zonës, duke lënë mjaft të vrarë dhe shumë shtëpi të djegura. Nazistët nuk e njihnin dashurinë e shqiptarëve për lirinë dhe as fisnikërinë shqiptare.
*
In memoriam Ruzhdi Skënderi-Frashëri, një jetë që u mbyll, një kujtim që nuk shuhet kurrë
Ka njerëz që, edhe pasi largohen nga kjo botë, vazhdojnë të jetojnë në kujtimet, në zemrat dhe në bisedat e atyre që i njohën. I tillë ishte Ruzhdi Frashëri. Largimi i tij nga jeta lë pas dhimbje te familjarët, miqtë, të afërmit dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Me ikjen e tij është mbyllur një kapitull i një jete njerëzore, por nuk është mbyllur historia e kujtimeve që ai la pas. Ruzhdiu ishte një njeri me mirësi, thjeshtësi dhe vlera të spikatura njerëzore. Ai i përkiste atij brezi që jetën e njohu përmes vështirësive, sakrificave dhe përballjeve të shumta që kur lindi, por që nuk e humbi respektin për njerëzit dhe dashurinë për familjen. Qysh në fëmijërinë e hershme, fati e vuri përballë një dhimbjeje të rëndë. Kur ishte vetëm 16 muajsh, trupat naziste gjermane i ekzekutuan të atin, Avni Skënderi, në Kagjinas të Kolonjës. Ai nuk pati mundësinë ta njihte babanë, t’i dëgjonte zërin apo të merrte përqafimin e tij. U rrit me mungesën e një figure të pazëvendësueshme, por me kujtimin dhe respektin për të atin, të cilin e mbajti në zemër gjatë gjithë jetës. Teksa po shkruajmë për historinë e tij të një jete të mbushur me plot nder e mirësi që meriton të shkruhet me gërma të arta po mësojmë një fakt të tmershëm që në të dhënat e akteve të gjendjes civile ai dhe dy motrat e tij Dile dhe Hanëme kanë për atësi një emër tjetër të sajuar Hamdi dhe jo atë të Avniut babai i tyre biologjik. Vërtetë rrethanat e kohës së luftës botërore shoqëruar me vrasje, djegje e shkatërrim mund të kenë diktuar gjithshka deri në çlirimin e vendit dhe ndërtimin e themeleve të pushtetit të ri, ku Dile, Ruzhdiu dhe Hanëme ishin vetëm 5, 3 dhe 2 vjeç nga data e regjistrimit të parë të popullsisë më 30 shtator 1945, dhe në kohën e regjistrimit të dytë të popullsisë më 3 shtator 1950 ishin vetëm 10, 8 dhe 7 vjeç të mbetur jetimë ndaj është pa sens të mendosh se këta të mitur kishin mundësi të dinin në regjistrat apo aktet e gjendjes civile të kuptonin se çfarë bëhej/luhej me atësinë e tyre. Për fat të keq kjo situatë vijon të jetë ende dhe nga arkiva e ZGJC Kolonjë apo Përmet nuk ka asnjë dritë të dalë mbi shënimet e regjistrave të tyre, çka e bën jo vetëm të dhimbshme këtë rast, por edhe çnjerëzore ndryshimin e atësisë. Jeta i mësoi herët se dhimbja është pjesë e fatit njerëzor, por Ruzhdiu nuk u bë njeri i hidhëruar. Ai kreu detyrën ndaj shtetit, shkoi te Rrapi i Treshit në Tiranë dhe përfundoi me sukses të plotë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Edhe pse iu kërkua të qëndronte në Tiranë për shkak të aftësive të tij të rralla që u vunë re nga autoritetet e kohës, ai preferoi vendlindjen, trevën e Kolonjës. Ai mbeti një njeri i mirë, që vlerësonte familjen, miqësinë dhe lidhjet njerëzore. Pas tij mbeten gjurmët e një jete të jetuar me dinjitet, kujtimet e njerëzve që e deshën dhe mirënjohja e atyre që e patën pranë.
Sot, fjalët duken të pakta përballë dhimbjes së largimit të tij. Koha do të ecë, ditët do të kalojnë, por mungesa e një njeriu të dashur nuk matet me ditë e as me vite. Ajo ndihet në vendet ku ai ishte i pranishëm, në bisedat ku përmendet emri i tij dhe në kujtimet që rikthehen sa herë familjarët e miqtë kujtojnë jetën e përbashkët. Ruzhdi Frashëri largohet nga kjo botë, por jo nga kujtesa e njerëzve. Emri i tij do të mbetet i lidhur me mirësinë, punën, ndërshmërinë, thjeshtësinë dhe dashurinë njerëzore. Është e dhimbshme të flasim për kohën e shkuar, por është ngushëllim të dimë se njerëzit e mirë nuk harrohen. Ata mbeten në kujtesën tonë për atë që ishin, për mirësinë që dhanë dhe për dashurinë që lanë pas. Kujtimi i tij do të jetojë në familjen që la pas, te miqtë dhe te të gjithë ata që e njohën dhe e çmuan. Kanë kaluar tashmë pesë vjet që nga ndarja e Lukos (Ruzhdi) Frashëri nga jeta më 12.11.2021, por ai kujtohet me mall dhe emocion për të gjitha punët që ka kryer, kudo ku ka qenë, pa shfaqur asnjë pretendim, sado e vështirë apo e rëndë të ketë qenë puna që merrte përsipër apo i ngarkohej. Prandaj, edhe sot të thonë në Ersekë se “dora e mjeshtër Ruzhdiut rron në veprat sociale të Ersekës”: në Ndërmarrjen e Ndërtimit (NSHN) në Ersekë, në ndërtesat publike që janë edhe sot në qytet, si spitali, Hotel “Borova”, godina e ish-Komitetit, në qendër të qytetit etj. Pas martesës me znj. Selvi Rakipi, edhe pse iu kërkua të qëndronte të jetonte e punonte në Ersekë për shkak të aftësive të tij, ai u zhvendos më afër familjes ku punoi në furrën e gëlqeres në Borovë. Ai punoi me përkushtim dhe energji të pashtershme për disa vjet, për të vijuar më tej punën në sektorin e transportit në Novoselë, ku punoi deri në fund të viteve 1990. Më pas, me ardhjen e demokracisë, u zhvendos në Tiranë, ku vijoi të punonte me të njëjtin përkushtim dhe cilësi, edhe pse kishte dalë në pension.
Kushdo që e ka njohur ka folur për të me fjalë të ngrohta dhe të sinqerta, me respekt që vijnë nga zemra. Luko, siç e thërrisnin në shoqëri, ishte njeri me zemër të madhe dhe zemërbardhë. Ishte mjeshtër i vërtetë i punës, i dëgjuar, që askujt nuk i hynte në hak. Ishte shpirt njeriu dhe buzëgas, njeri që e mbante fjalën dhe punëtor i madh, gjithmonë punëmbaruar. Në një shënim të lënë nga studiuesi dhe publicisti i njohur Kastriot Myftaraj, për të si «Nderim për burrin e urtë, mjeshtrër në profesionin e tij dhe njeriun zemërbardhë, që la pas emër të mirë dhe të nderuar. U kujtoftë dhe u respektoftë brez pas brezi, siç e ka merituar». Ndërsa nga Sokrat Toska jepet ky dedikim “Për këtë ëngjël nuk gjendetn dot fjalë. Kush e ka njohur ishte privilegj, ishte ëngjëll i dërguar Nga Zoti”. Nga fiziku ishte shtatmesatar, por kryente një volum pune që e dallonte nga të tjerët. Punonte dhe normohej pothuajse sa dy burra të tjerë për të mbajtur familjen e tij të madhe. Ndihmonte këdo që i kërkonte ndihmë për të ndërtuar shtëpinë apo për punë më të specializuara, të cilat në shumicën e rasteve i kryente falas, duke treguar një humanizëm të pashoq. Punëtore e madhe ishte edhe bashkëshortja e tij, e cila, ndonëse rriti shumë fëmijë, kurrë nuk iu shmang punës dhe vështirësive të jetësës. Kjo pasuri e paçmuar shpirtërore pasqyrohet sot në qindra njerëz që e kanë njohur, si mësues, profesorë, agronomë, ekonomistë, financierë, inxhinierë, doktorë, stomatologë, teknikë të ndryshëm ndërtimi, punëtorë e tregtarë, të cilët flasin me shumë respekt dhe dashuri për Lukon, mikun e të gjithëve dhe mbështetësin e tyre në ditë të mira e të vështira, po ashtu edhe për bashkëshorten e tij që kushdo që i njihte thuhej kanë gjetur njeri-tjetrin.
Por fjala popullore “Ku ka rrjedhur, do të pikojë; do të vejë soji në sojë” materializohet gjithmonë te fisnikët, sepse fisnikëria trashëgohet dhe përcillet brez pas brezi. Luko tregohej modest dhe në buzëqeshjen e tij dalloje dukshëm mirësinë. Djali i tij, Kastriot Frashëri, është një studiues, publicist dhe avokat i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, me kontribute të shquara në historinë e demokracisë shqiptare dhe në themelimin e shoqërisë civile të vendit tonë. Por Ruzhdi Frashëri dhe bashkëshortja e tij sollën në jetë një trashëgimi të shkëlqyer përmes bijve dhe bijave të tyre: Natalian, Festimin (një fëmijë inteligjent dhe me mirësi të spikatur si dhe fëmijët e tjerë i ndarë parakohe nga jeta në moshën 18 vjecare më 1990), Thanasin, Margaritën, Ilirin, Alketën dhe Alsonin. Shekspiri shprehej për njerëzit e mrekullueshëm: “Me gaz dhe me të qeshura le të vijnë rrudhat e vjetra të jetës”. Njeriut që lind me talent, mund ta hedhë fati në lloj-lloj profesionesh dhe ai do të tregojë atje aftësitë e tij. Motoja e familjes “Alis Volat Propriis” (Fluturon me krahët e veta) jo vetëm si emblemë personifikon traditën, por dhe i shkon për shtat kësaj familje. Por jeta, në fakt, nuk e përkëdheli kurrësesi Ruzhdi Frashërin, këtë hero të thjeshtë të punës, të mirësisë dhe të traditave të derës fisnike të Frashërit, që vlerësohet jo vetëm në mbarë trevën e tij, por edhe më gjerë. Bashkudhëtarët e tij flasin edhe sot me respekt për fisnikërinë, cilësitë, vlerat, punën, veprat dhe humorin e tij. Ai ishte një hero i heshtur, të cilin jeta nuk e përkëdheli kurrë. Për fisnikërinë e tij flasin me fjalë të mira të gjithë, nga Kolonja e Dangëllia deri në Tiranë. Njerëz të tillë ka nxjerrë Dangëllia e Frashëllinjve, njerëz që shkëlqejnë në heshtje me veprën e tyre, me punën e ndershme e humane dhe me emrin e mirë që lënë pas. Sot, pesë vjet pasi është ndarë nga jeta, kur Ruzhdiu nuk është më fizikisht mes nesh, kujtimet marrin një tjetër kuptim dhe një tjetër dimension, pasi na vijnë ndër mend fytyra e tij, fjala e mirë, takimet, bisedat dhe çastet e zakonshme që dikur dukeshin të përditshme, por që tani bëhen të çmuara. I biri i tij, avokati i nderuar MSC Kastriot Frashëri me të drejtë e portretizon jetën e tij, si “Kryezbatuesi i mësimeve të Naim Frashërit. Gjithë jetën me punën dhe mirësinë në gojë e ka përfunduar jetën si Moisiu tokës së të cilës iu fale, ashtu si i ka hije një kampioni të punës, një gjeniu, një humanisti dhe një prindi shëmbullor. Ti na munde të gjithëve me mirësinë dhe punën tënde”. Kështu ndodh me njerëzit që kanë lënë gjurmë në jetën tonë. Vetëm kur largohen, kuptojmë edhe më shumë se sa shumë na mungojnë. Konsiderata të miqve dhe personaliteteve për humbjen e Ruzhdi Skënderi Frashërit pesë vite më parë kanë qenë të shumta. Është një shprehje e veçantë proverbiale popullore shqiptare që thotë: “Kur gëzimet ndahen me miq, dyfishohen, ndërsa hidhërimet përgjysmohen”. Nuk është e rastësishme që kaq shumë personalitete u kanë dërguar ngushëllime familjarëve të Ruzhdi Skënderi Frashërit, sikurse janë: Prof. Skënder Kaçupi, Elizabeth Gowing, Michael Gunn, Neim Mete, Prof. Luan Malltezi, Dr. Llesh Rroku, Përparim Kolasi, Lili Banushi, Dr. Artan Canaj, Prof. Pajtim Ribaj, poeti Qazim Shehu, Harallamb Kota, Riza Merko, Prof. Dr. Hasan Hasani, Alfred Hamzallari, Prof. Assoc. Sandër Kovaçi, etj. Ngushëllimi më i madh për familjen është se Ruzhdiu la pas shumë dashuri, respekt dhe kujtime të mira. Këto janë pasuritë që nuk i merr me vete koha dhe që nuk i shuan as largimi nga kjo botë. Ai do të jetojë në zemrat e njerëzve që e deshën, në rrëfimet e familjarëve dhe në kujtimin e atyre që patën fatin ta njihnin.
Burimet e studimit: Burime nga arkivi familjar referuar Avokat MSC Kastriot Ruzhdi Frashëri; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, “Dëshmorët e Atdheut”, Publikuar nga MM me rastin e 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar (në 1000 kopje), Tiranë: Realstamp, 2012; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Dëshmorët në Rrënjët e Kombit shqiptar, Tiranë: SHB: “Emal”, 2021; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Nga Istria në Ambraki, Tiranë, 2026; Të dhëna nga AQSH (fondi 152, viti 1943, dosja 834, fleta 15), të dhëna nga fondet dokumentare të AQFA, të dhëna profesionale nga Muzeu i Ersekës nga përgjegjëses së muzeut zonja Ardiana Konini, të dhëna nga Kryetari i OKDA dega Ersekë Jani Dhimitri, të dhëna nga nga Zyra qendrore kombëtare e Organizatës kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut; të dhëna nga deklarata të ndryshme të familjarëve të të rënëve në masakrat që pushtuesit kanë organizuar në trevën e Kolonjës; Periodiku i gazetës “Ushtria” dhe revista “Mbrojtja”, të dhëna nga periodiku i revistës “Pavdekësia”, të dhëna nga dosja e 107 dëshmorëve të Borovës dhe masakrat përreth saj të përgatitura nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj dhe Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi; Gazeta “Sot”, Fisnikëria e një Frashëlliu në jetë, 22.10.2021.(https://sot.com.al/opinion-editorial/fisnikeria-e-nje-frashelliu-ne-jete-i470652/); Ruzhdi Frashëri zbatues i mirë i mësimeve të Naim Frashërit, 2.11.2021 (https://www.cna.al/2021/11/02/ruzhdi-frasheri-zbatues-i-mire-i-mesimeve-te-naim-frasherit; të dhëna nga portali i mirënjohohur “Albspirit” etj.