Një popull nuk njihet vetëm nga njerëzit e mëdhenj që lind, por edhe nga mënyra si di t’i nderojë kur ata nuk janë më

Besiana Kadare
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap në 6 nëntor ekspozita me dokumente nga arkivi personal i babait tim. Ishin aty dorëshkrime, artikuj dhe letra që ai i shkroi për Kosovën për gati gjashtëdhjetë vjet. Ishte një ngjarje e bukur, e menduar me kujdes dhe e bërë me dashuri.
Falënderoj Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe ambasadorin Petrit Malaj, Muzeun Studio Kadare dhe drejtoreshën e tij, Anisa Ymeri, që e bënë të mundur.
Dhe mbi të gjitha falënderoj përzemërsisht Kosovën, që na priti siç pret të vetët. Më preku salla plot, gjithë ata njerëz që erdhën për të nderuar kujtimin dhe veprën e babait, dhe ngrohtësia me të cilën na rrethuan. Në ato çaste ndjeva se fjalët që ai i kishte kushtuar Kosovës, pas gjithë atyre viteve, kishin mbërritur më në fund në shtëpi.
Një popull nuk njihet vetëm nga njerëzit e mëdhenj që lind, por edhe nga mënyra si di t’i nderojë kur ata nuk janë më. Kosova e di këtë.
Më poshtë, fjala që mbajta në emër të familjes.
Të nderuar zonja dhe zotërinj
Të dashur miq,
Në vitin 1966, një poet i ri shqiptar fluturonte mbi Kosovë. Kufiri i asaj kohe nuk e lejonte të zbriste. Kosova i takonte atëherë vetëm qiellit. Dhe ai shkroi:
“Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,
Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua…”.
Ai poet i ri ishte babai im.
Kështu nisi lidhja e tij me Kosovën: nga qielli, nga larg, si një mall që s’kishte ku të ulej.
Kadare i shkroi Kosovës me vargje. Pastaj me roman. Pastaj me letra drejtuar presidentëve dhe Papës, me artikuj në shtypin e botës, me intervista, me pyetje të dërguara përtej hekurave të një burgu. Dhe më në fund, me një ditar.
Në vjeshtën e vitit 1980, Shtepia botuese Rilindja botoi veprat e tij në dhjetë vëllime, dhe ai erdhi këtu. Prishtina e priti si birin e saj.
Pranvera që erdhi pas ishte e ftohtë. Studentët e Kosovës dolën në rrugë, dhe u shtypën egërsisht. Ai shkroi “Krushqit janë të ngrirë”. Libri u botua edhe në frëngjisht e në anglisht dhe britma e atyre studentëve kapërceu kështu kufijtë që synonin ta mbysnin.
Në shtator të vitit 1991, nga Parisi, i dergoi letra Papës Gjon Palit dhe tre presidentëve: Bush-it, Mitterrand-it, Havel-it. U shkroi se gjysma e kombit shqiptar kishte shpëtuar nga diktatura, ndërsa gjysma tjetër vazhdonte “të lëngonte nën një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota”. Dhe i paralajmëronte: “një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër shqiptarëve”.
Përgjigjet vonuan. Vitet kaluan. Masakra erdhi.
Në vitin 1998, kur Kosova po digjej, shkroi “Tri këngë zie për Kosovën”. Aty dy lahutarë, një shqiptar e një serb, i këndojnë së njëjtës betejë me fjalë të kundërta, e nuk pranojnë t’i ndërrojnë këngët. Ai nuk e shkroi atë libër për ta ushqyer mallkimin. E shkroi për ta thyer.
Pastaj erdhi viti tragjik 1999. Dhjetë muaj rresht, ditë pas dite, babai mbajti një ditar. E titulloi me një shprehje të moçme, që thuhet kur fatkeqësia bashkon ata që i kane ndarë kufijtë: “Ra ky mort e u pamë”. Një shprehje, shkruante ai, “e rëndë si gur varri”.
Sot, ne, trashëgimtarët e shkrimtarit, nëna ime Helena, motra ime Gresa dhe unë, kemi kënaqësine t’i dhurojmë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës një kopje të dorëshkrimit të atij ditari. Këto faqe u shkruan për Kosovën, në ditët e saj më të rënda. Ndaj vendi i tyre është këtu, në tokën martire që i lindi.
Në hyrje të librit, Ismaili shkroi se shënimet e tij ishin gurët e një drame dhe se i takonte lexuesit t’i bashkonte “për të ndërtuar ai vetë katedralen e një vuajtjeje”. Ato që shihni në këtë sallë janë gurët. Katedralen do ta ngrini ju.
Falënderoj Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe ambasadorin Petrit Malaj, ish-kolegun tim, si dhe Muzeun Studio Kadare dhe drejtoreshën e tij të palodhur, Anisa Ymeri, për organizimin e kësaj ekspozite. Falënderoj miqtë dhe të gjithë ju që erdhët sot për të nderuar kujtimin dhe veprën e Kadaresë.
Në vitin 2023 Kosova i dha nënshtetësinë babait tim. Njeriu që dikur e kishte parë vetëm nga qielli, u bë qytetar i saj. Kur ai u largua nga kjo botë, Kosova mbajti zi.
Për gati gjashtëdhjetë vjet Kadare i shkroi Kosovës. Sot letrat e tij kanë mbërritur në destinacionin e duhur: këtu, në shtëpinë e librit shqip.
Dikur na mblodhi një mort. Sot na mbledh vepra e tij.
Ju faleminderit.