Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Leskaj: In memoriam, Gjergj Hani!

Sot, datë 12.11.2026, u nda nga jeta personaliteti i qëndresës antikomuniste dhe intelektuali Gjergj Hani. Gjergj Hani, një personalitet antikomunist, një burrë me karakter të fortë, dinjitet të rrallë dhe përkushtim të palëkundur ndaj lirisë dhe vlerave demokratike.

Gjergj Hani ishte nga ata njerëz që e njohën që në moshë të mitur çmimin e lirisë. I lindur më 13 maj 1969 në Durrës, në një familje të përballur me përndjekjen politike të diktaturës komuniste, ai u përball herët me persekutimin e regjimit komunist. Në vitin 1985, vetëm 16 vjeç, tentoi të largohej nga Shqipëria, por u arrestua dhe u dënua me burg për tentativë arratisjeje.

Vuajti dënimin në burgun famëkeq të Qafë-Barit, ku u detyrua të punonte edhe në minierë. Por vuajtjet dhe persekutimi nuk përfunduan me dënimin e parë. Në vitin 1987 u arrestua përsëri dhe u dënua për motive politike. Në total, dënimet e tij arritën në 11 vite burg. Lirinë e rifitoi më 6 shkurt 1991, pas viteve të gjata të përballjes me një diktaturë që ndëshkonte edhe dëshirën për të qenë i lirë.

Pas kësaj, emigroi në Itali, ku jetoi për shumë vite, përpara se të rikthehej në Shqipëri.

Por Gjergj Hani nuk ishte thjesht një i mbijetuar i diktaturës. Ai ishte një intelektual qëndrestar që zgjodhi të mos heshtte përballë së kaluarës. E konsideronte detyrim moral dokumentimin e krimeve të komunizmit, zbardhjen e së vërtetës historike dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj. Spikati si një zë i angazhuar ne jetën politike dhe publike në kërkesën për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, për transparencë dhe drejtësi historike, si dhe për procesin e lustracionit, si një domosdoshmëri për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Me bindjet dhe angazhimin e tij, ai u bë pjesë e përpjekjeve politike pranë Partisë Demokratike, duke mbetur demokrat i lidhur me idealet antikomuniste dhe me besimin se Shqipëria duhej të ndërtohej mbi lirinë, të vërtetën dhe respektin për dinjitetin njerëzor. Gjergj Hani ishte një intelektual fisnik, që nuk i negocioi kurrë parimet dhe vlerat e tij. Një qytetar dinjitoz, i cili pavarësisht vuajtjeve, nuk u mposht dhe nuk hoqi dorë nga bindjet e veta.

Ikja e tij është një humbje për familjen, miqtë, bashkëvuajtësit dhe për të gjithë demokratët (pavarësisht se në cilin formacion politik aderojnë), ata që besojnë se e vërteta historike nuk duhet harruar dhe se krimet e diktaturës nuk duhet të mbeten kurrë pa u ndëshkuar.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë bashkëvuajtësve të tij!

12 nëntor 2026.