“MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
Ramazan Çeka
Një përjetim ku, ndonëse toka ishte greke, fryma, kënga dhe tradita ishin thellësisht shqiptare.
Grupi Polifonik “Malli i Mërgimtarit”, me drejtuesin artistik z. Polo Çipa, përbën një shembull të spikatur të përkushtimit për ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë sonë kombëtare përtej kufijve të atdheut.
Tradita është një nga themelet më të qëndrueshme të identitetit kombëtar. Ajo mbart historinë, gjuhën, zakonet, këngët dhe trashëgiminë shpirtërore të një populli, duke i përcjellë ato nga një brez te tjetri. Pikërisht këtë mision dëshmoi edhe edicioni i shtatë i Festivalit “Dasma Shqiptare në Diasporë”, organizuar në Patra të Greqisë, një veprimtari ku kultura, folklori dhe krenaria jonë kombëtare morën jetë përmes këngës, valles dhe traditave shqiptare.
Në skenën e teatrit “ROYAL PATRAS”, kënga, vallja, veshjet popullore dhe ritet e dasmës tradicionale shqiptare sollën ngjyrat dhe gjallërinë e një feste kushtuar rrënjëve tona. Përmes interpretimeve artistike, publiku përjetoi pasurinë e folklorit shqiptar dhe bukurinë e zakoneve të trashëguara ndër breza.
Festivali krijoi një atmosferë të veçantë, duke bashkuar bashkatdhetarë, ansamble folklorike dhe dashamirës të kulturës shqiptare. Ishte një dëshmi domethënëse se largësia gjeografike nuk e zbeh dashurinë për vendlindjen dhe as dëshirën për të ruajtur gjuhën, traditat dhe lidhjet me të parët.
Por, përtej emocioneve të skenës dhe duartrokitjeve të publikut, Patra na dhuroi edhe çaste të tjera të ngrohta e të paharrueshme, ku kënga dhe mikpritja shqiptare thurën miqësi, përzemërsi dhe vëllazëri.
KUR KAFJA KTHEHET NË KUVEND KËNGËSH
Pas përfundimit të festivalit, një nga surprizat më të këndshme ishte ftesa për një kafe nga miku ynë, z. Polo Çipa, këngëtar i njohur i polifonisë labe, poet dhe krijues piluriot, si dhe drejtues artistik i Grupit Polifonik “Malli i Mërgimtarit” në Patra.
Në orët e para të mëngjesit, lokali “Fasoli”, në zonën e Limanit të Patrës, u bë vendtakimi ynë me mikun Polo Çipa. Ishte një takim i mirëpritur, sepse kur artistët i bashkon pasioni për këngën dhe përkushtimi ndaj trashëgimisë kulturore, ata gjejnë gjithmonë një gjuhë të përbashkët.
Kafja, sipas zakonit tonë shqiptar, u shoqërua edhe me raki. Dhe, siç ndodh shpesh në kuvendet ku mblidhen njerëz që e kanë këngën në zemër, biseda shumë shpejt mori udhën drejt polifonisë.
Fillimisht, z. Polo Çipa na uroi mirëseardhjen, duke shprehur kënaqësinë që kishte pranë tij artistë me të cilët e bashkon jo vetëm dashuria për artin, por edhe përkushtimi ndaj trashëgimisë sonë kombëtare.
Më pas, fjalën e mori drejtori i Ansamblit Folklorik “Thesaret Labe”, z. Viktor Aliu, i cili shprehu falënderimet për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë.
E si mund të ndodhte ndryshe? Pa program, pa skenar, pa asnjë përgatitje paraprake, kënga shpërtheu vetvetiu!
Një këngë iu përgjigj tjetrës, zërat u ndërthurën dhe isoja u ngrit fuqishëm, duke krijuar atë harmoni të veçantë që karakterizon polifoninë shqiptare. “Thesaret Labe” dhe “Malli i Mërgimtarit” sikur u bënë një zë i vetëm, duke krijuar një kuvend të vërtetë polifonik.
Në ato çaste, dallimi mes të ftuarve dhe mikpritësve u shua, ashtu si edhe kufiri mes dy grupeve. Mbetën vetëm artistë shqiptarë, të lidhur në një bashkim të rrallë nga dashuria për këngën dhe nga ajo pasuri e çmuar e trashëgimisë sonë, që nuk njeh as largësi, as kufij dhe mbetet e paprekur nga kalimi i kohës.
Koha fluturoi pa u ndier, e rrëmbyer nga magjia e këngës dhe atmosfera e atij kuvendi artistik.
Ky takim mbetet ndër çastet më të bukura të qëndrimit tonë në Patra, sepse një kafe e zakonshme u kthye në një kuvend këngësh, ku arti, miqësia dhe dashuria për traditën u bënë një.
“MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
Grupi Polifonik “Malli i Mërgimtarit”, nën drejtimin artistik të z. Polo Çipa, përfaqëson një shembull të spikatur të angazhimit të bashkatdhetarëve tanë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në emigracion.
Përmes këngës polifonike, valleve tradicionale dhe pjesëmarrjes në veprimtari të ndryshme kulturore, grupi përcjell pasurinë dhe larminë e folklorit shqiptar, duke mbajtur të fortë lidhjen me vendlindjen.
Një vend të veçantë në këtë veprimtari zë përkushtimi i drejtuesit të tij, z. Polo Çipa, i cili prej vitesh angazhohet në organizimin e nismave kulturore dhe në promovimin e vlerave kombëtare. Puna e tij nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e traditës për brezin e parë të emigrantëve, por synon ta përcjellë atë edhe te fëmijët dhe të rinjtë.
Pikërisht ky është një nga misionet më të rëndësishme të grupit: t’i njohë brezat e rinj me këngët, vallet, muzikën, veshjet dhe zakonet e të parëve, duke kultivuar tek ata dashurinë për kulturën e origjinës dhe ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
Në kushtet e emigracionit, kjo merr një rëndësi të veçantë, pasi identiteti nuk ruhet vetëm duke folur për të kaluarën, por duke e njohur, jetuar dhe përcjellë trashëgiminë në jetën e përditshme.
Me jehonën e polifonisë labe dhe mallin e pashuar për atdheun, “Malli i Mërgimtarit” është kthyer në një urë bashkimi mes shqiptarëve në Greqi, duke dëshmuar se kënga dhe tradita janë ndër lidhjet më të forta që i mbajnë shqiptarët të lidhur me rrënjët e tyre.
Pjesëmarrja në veprimtari kulturore në Shqipëri, Greqi dhe më gjerë i jep këtij angazhimi një dimension më të gjerë, duke e kthyer artin tradicional në një gjuhë të përbashkët komunikimi dhe afrimi ndërmjet komuniteteve.
SPIRO HARIZAJ, MIKPRITJE QË BURON NGA ZEMRA
Një tjetër dëshmi e bukur e mikpritjes shqiptare në Patra ishte ftesa e mikut dhe artistit Spiro Harizaj, pjesëtar i Grupit “Malli i Mërgimtarit”, i cili na ftoi në lokalin e tij modern e mikpritës, “Kastraqi”.
Sigurisht, një ftesë e tillë, që buronte nga zemra e një miku të njohur për bujarinë dhe fisnikërinë e tij, nuk mund të refuzohej. Sepse mikpritja e vërtetë nuk matet vetëm me atë që ofrohet, por mbi të gjitha me ndjenjën e sinqertë dhe dashamirësinë me të cilat të hapet dera dhe të pritet miku.
Kur mbërritëm, gjithçka dëshmonte kujdesin dhe përkushtimin e tij ndaj miqve. Sofra e shtruar ishte vetëm shprehja e parë e një mikpritjeje të sinqertë, që buronte nga zemra. Mbi të gjitha, ndihej ajo ngrohtësi e rrallë njerëzore, që nuk ka nevojë për shumë fjalë, sepse shfaqet në çdo gjest, në çdo buzëqeshje dhe në atë ndjenjë të veçantë që të bën të ndihesh si në shtëpinë tënde.
Spiro Harizaj e ka mikpritjen një virtyt të rrënjosur thellë në karakterin e tij. Kjo cilësi e veçon dhe e bën të ngjashëm me mikpritësit e sofrave tradicionale shqiptare, ku miku pritet gjithmonë me nder e respekt.
Biseda dhe humori u ndërthurën natyrshëm, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore. Ishte vazhdimi i takimit artistik të nisur te “Fasoli”, një tjetër dëshmi se kënga nuk i bashkon artistët vetëm në skenë, por edhe rreth sofrës.
Në fund të asaj gostie, ai u dhuroi miqve disa dhurata, duke dëshmuar edhe një herë se bujaria e vërtetë nuk matet me atë që shtrohet për miqtë, por me dashurinë dhe zemërbardhësinë që e shoqërojnë këtë mikpritje.
Kështu, një kafe u kthye në kuvend polifonik, një sofër në festë miqësie dhe një takim artistësh në një përjetim që do të mbetet gjatë në kujtimet tona.
KUR TRADITA BËHET URË MES BREZAVE DHE POPUJVE
Një vend të veçantë në këtë veprimtari zuri edhe prania e Ansamblit Folklorik “Thesaret Labe”, nën drejtimin artistik të z. Viktor Aliu. Ansambli nuk solli në Patra vetëm një program festiv, por edhe një copëz Labërie, një botë të tërë zakonesh, tingujsh, ritmesh dhe emocionesh shqiptare.
Përmes këngëve, valleve dhe riteve të dasmës tradicionale, artistët përcollën një pjesë të çmuar të trashëgimisë sonë popullore, duke u dhuruar bashkatdhetarëve një përjetim të veçantë, të pritur me duartrokitje dhe entuziazëm.
Këto takime kanë një vlerë që shkon përtej programit artistik. Ato krijojnë mundësi për njohjen e kulturave krahinore, për forcimin e miqësive dhe për përcjelljen e vlerave që kanë formësuar jetën e bashkësive shqiptare ndër shekuj.
Edhe sofra tradicionale është pjesë e kësaj pasurie. Gatimet, ritet dhe zakonet e mikpritjes kanë përcjellë brez pas brezi mënyra jetese, shije dhe vlera që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të identitetit tonë.
Për diasporën, këto sofra marrin një domethënie të veçantë. Ato u japin fëmijëve dhe të rinjve mundësinë të njohin kulturën e të parëve, ndërsa prindërve u risjellin pranë historinë, kujtimet dhe pasurinë shpirtërore të krahinave prej nga kanë ardhur.
Në këtë kuptim, mikpritja e Polo Çipës dhe e Spiro Harizajt, si dhe afrimi i dy grupeve folklorike përmes këngës, përbëjnë më shumë se një gjest miqësor. Ato janë dëshmi e një fryme bashkimi, respekti dhe solidariteti, që e shndërron kulturën në një gjuhë të përbashkët komunikimi.
Në Patra, kënga labe jehoi si zë i rrënjëve dhe si mall i kurbetit. Aty, mes këngës, valles, veshjeve dhe zakoneve tradicionale, u bashkuan zemrat shqiptare, të lidhura fort me gjuhën, historinë dhe atdheun. Ishte një përjetim ku, ndonëse toka ishte greke, fryma, kënga dhe tradita ishin thellësisht shqiptare.
Ky është edhe një mesazh i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy popujve: kultura nuk ndërton mure, por ura; nuk i largon njerëzit, por i afron përmes njohjes, respektit dhe vlerësimit të ndërsjellë.
Puna shumëvjeçare e z. Polo Çipa, përkushtimi i artistëve të “Mallit të Mërgimtarit”, bujaria e Spiro Harizajt dhe takimi artistik me Ansamblin Folklorik “Thesaret Labe” dëshmojnë se trashëgimia kulturore ruhet dhe përcillet kur ka njerëz që i përkushtohen asaj me dashuri dhe përgjegjësi.
Largësia mund t’i ndajë shqiptarët në hapësirë, por nuk mund t’i shkëpusë nga rrënjët e tyre. Kënga i afron me vendlindjen, tradita i bashkon dhe dashuria për kombin i frymëzon që këtë pasuri të çmuar t’ua përcjellin brezave të ardhshëm.
Qëndrimi ynë në Patra do të mbetet për ne jo vetëm një përjetim i bukur artistik, por edhe një dëshmi e fuqisë bashkuese të traditës dhe e vlerave njerëzore që lindin përmes saj.
Le të jehojë përherë kënga labe, le të vallëzojnë traditat tona në skenat e botës dhe le të mbetet e ndezur flaka e trashëgimisë shqiptare, kudo ku rreh një zemër shqiptare!
Aty ku këndohet shqip, ku ruhen zakonet e të parëve dhe ku përcillet dashuria për atdheun, Shqipëria jeton!