Krimet e Rënda mbyllën hetimet e dosjes korruptive ku përfshihet Ilir Meta
Një hetim është zhvilluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në lidhje me një aferë të dyshuar korruptive, gjurmët e të cilës dyshohet se çojnë te kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Hetimi është kryer pak kohë më parë dhe bëhet fjalë për tenderin e Stacionit Multimodal të Tiranës.
Një projekt që studimi i ka kushtuar të paktën 500 mijë euro për një sipërfaqe 80 mijë metra katror, i filluar në kohën e Lulzim Bashës, por një investim i pafilluar dhe problematik.
Koncesion me objekt, për hartimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e terminalit të transportit publik Tiranë, shpallur në shtator 2016 me vlerë 15.5 milionë euro, pa tvsh, rreth 20 miliardë lekë. Ky tender ka pasur një fitues në muajin nëntor, por më pas është anuluar nga KPP.
Prokuroria e Krimeve të Rënda pas tenderit mësohet se ka zhvilluar hetime, për më tepër dyshohet se ka edhe përgjime telefonike, të cilat shkojnë deri te kreu i LSI dhe i Kuvendit, Ilir Meta.
Hetimet për këtë tender dhe investimin 20 miliardë lekë pas pak kohësh janë mbyllur për mungesë provash apo për ndonjë arsye tjetër, fakti është që hetimi është ndalur. Burime i thanë Citynews se ky hetim ka çuar në zbulimin e disa telefonatave apo përgjimeve, që shkojnë te kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Ndërhyrja e prokurorit Adriatik Llalla apo ndonjë nga “ushtarët” e Ilir Metës te Krimet e Rënda kanë mbyllur çdo gjë në heshtje dhe qetësi të plotë. Ky është ndoshta një nga rastet që ka shqetësuar
ambasadën e SHBA-vë në Tiranë në akuzat ndaj Adriatik Llallës dhe Prokurorisë. Së fundi, Llalla është marrë në mbrojtje nga kreu i Kuvendit, pas përplasjes së tij me ambasadorin e SHBA, Donald Lu.
Mbyllje hetimi për Metën, përplasje me Lu, mbështetje nga Meta?!
Hetimet e vartësve të Llallës, ngrirja e dosjeve, por edhe akuzat për zgjedhjen e anëtarëve të KED përplasën ambasadorin e SHBA me kryeprokurorin e Republikës dhe çështja nuk duket të jetë kaq e thjeshtë, si disa akuza publike që hidhen për problematika të ndryshme proceduriale. Në fakt nën rrogoz luhet diçka më e madhe, dosja hetimore e mbyllur për Stacionin Multimodal është një akuzë tjetër, që ambasadori i SHBA ndoshta nuk e ka artikuluar. Ajo është një dosje që çon akuzë deri te kreu i Kuvendit, por përpara tij, është një dosje për Adriatik Llallën dhe vartësit e tij, të cilët një aferë të dyshimtë korruptive e arkivojnë për të mbrojtur Ilir Metën apo bizneset afër tij, apo për të shpëtuar lëkurën e ndonjë politikani tjetër dhe bashkëpunëtorëve të tyre të përfshira në afera korruptive./CityNews
http://www.citynews.al/2017/02/skandali-hetimor-dhe-pergjimet-krimet-e-renda-mbyllen-hetimet-e-dosjes-korruptive-ku-perfshihet-ilir-meta/1