Albspirit

Media/News/Publishing

Ligji sot në parlament/ Pasuria e Presidentit, Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe Kryeprokurorit do jetë online

Parlamenti Shqiptar, në seancën e sotme, pritet të miratojë disa projektligje të rëndësishme, në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.

Në agjendën e seancës së sotme janë përfshirë edhe disa ndryshime në ligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Ndryshimet parashikojnë për herë të parë publikimin on-line të deklaratave të pasurisë të rreth 6 mijë zyrtarëve, duke nisur që nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, kryeprokurori e deri tek zyrtarët e rangjeve më të ulëta, të cilët janë subjekte deklaruese, raporton shqiptarja.com.

Në kuadër të rritjes së saktësisë dhe vërtetësisë së deklarimit të pasurive dhe burimit të krijimit të tyre, është parashikuar deklarimi on-line/ elektronik i pasurisë, me disa kufizime sa i takon të dhënave personale. “Deklaratat e interesave private, janë dokumente zyrtare dhe publikohen në faqen zyrtare të internetit të Inspektoratit të Lartë, me të dhënat konfidenciale, personale të redaktuara, në përputhje me ligjin nr. 8503, date 30.06.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare” dhe me ligjin nr. 9887, date 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar”, thuhet në nenin 16 të projektligjit, i cili ndryshon nenin 34 pika 2 të ligjit në fuqi.

Masat shtesë

Po në nenin 16 të projektligjit, me propozim të deputetit Luan Rama, në Komisionin e Ligjeve është miratuar që të shtohet një paragraf i ri ku të parashikohet përgjegjësia dhe sanksionet ndaj inspektorëve dhe punonjësve të ILDKPKI, për shpërndarjen e paautorizuar të të dhënave të deklarimit. Me propozim të ILDKPIKI ky paragraf u formulua si vijon: “Të dhënat e marra nga institucionet publike dhe/ose private gjatë ushtrimit të kontrollit, rikontrollit të deklaratave të interesave private apo hetimit administrativ, përdoren vetëm për qëllime të këtij ligji, dhe nuk mund të bëhet publikimi ose shpërndarja e paautorizuar e tyre, në kundërshtim me këtë ligj dhe me legjislacionin në fuqi për publikimin dhe përpunimin e të dhënave personale”.

Diskutimet

Gjatë shqyrtimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve, diskutime pati edhe lidhur me propozimin për t’u dhënë inspektorëve të ILDKPKI-së atributet e oficerëve të policisë gjyqësore. Lidhur me këtë çështje, nga relatori Pandeli Majko u tërhoq vëmendja se dublimi i hetimit administrativ dhe atij penal është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, dhe gjithashtu do të sillte probleme gjatë zbatimit. Gjatë shqyrtimit të projektligjit, nga relatori, iu bë e ditur anëtarëve të Komisionit se për shkak të rëndësisë së veçantë që ka projektligji, janë marrë në konsideratë dhe janë vlerësuar të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e prezantuara nga ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe janë marrë parasysh edhe komentet e ardhura nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive.

Ndryshimet

Ndryshimet e propozuara synojnë nga njëra anë përforcimin e pavarësisë dhe të efikasitetit institucional të ILDKPKI-së dhe nga ana tjetër sofistikimin/përmirësimin e mjeteve ligjore për identifikimin, verifikimin e legjitimitetit të burimeve të krijimit të pasurive, në kuadër të kontrollit që ushtron ky institucion. Ato kanë si qëllim të minimizojnë mundësinë e zyrtarëve të cilët ushtrojnë funksione publike, për t’iu shmangur detyrimit ligjor për të deklaruar pasurinë apo duke fshehur atë të krijuar në mënyrë të paligjshme.

21 nene

Projektligji përmban 21 nene të cilat rregullojnë dhe përmirësojnë ligjin ekzistues për çështje të rëndësishme, si rritjen e shpeshtësisë së kalimit në kontroll të plotë të deputetëve dhe të disa funksionarëve të tjerë, publikimin e deklaratave të interesave private në faqen zyrtare të ILDKPKI-së, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, duke synuar transparencën dhe llogaridhënien e institucionit ndaj publikut, ashpërsimin e masave administrative duke i bërë ato proporcionale dhe dekurajuese, procedurën e zgjedhjes dhe shkarkimit të Inspektorit të Përgjithshëm, etj.

Subjektet e reja që mbartin detyrimin për deklarimin e pasurive

1. Mbartin detyrimin për deklarimin e pasurisë dhe të interesave private:

a) Kandidatët që shprehin interesin për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

b)Kandidatët që shprehin interesin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë si dhe kandidatët jomagjistatë për pozicionin e inspektorit në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon qeverisjen e sistemit të drejtësisë;

c)Kandidatët për pranim në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, si dhe i diplomuari që kandidon për t’u emëruar magjistrat, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ç)Kandidatët për gjyqtarë dhe nëpunës civil gjyqësorë në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe familjarët e afërm të tyre sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

d) Kandidatët për prokuror, oficer hetimi, personel administrativ i Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe familjarët e afërm të tyre sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar;

dh) Kandidatët të cilët sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkojnë ngritje në detyrë në shkallë më të larta ose të specializuara;

e)Kandidatët për anëtar të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;

ë) Kandidatët për kryetarë të gjykatës ose prokurorive të tjera, sipas parashikimeve të legjislacionit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,

f) Si dhe çdo person tjetër që ka detyrimin të deklarojë para kandidimit, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Kandidatët për pozicionet e përmendura në pikën 1 të këtij neni, që janë subjekte që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave private sipas parashikimeve të nenit 3 të këtij ligji, i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë. Nëse, gjatë 180 ditëve para paraqitjes së kërkesës, kandidati është kontrolluar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i cili nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë kontrolli konsiderohet i kryer.

Ligji i ri, funksionarët që duhet të deklarojnë pasurinë

a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;

b) Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i

Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Larte të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit;

c) Zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të pushtetit vendor;

ç) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, dhe kryetarët e bashkive;

d) Drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;

dh) Prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve;

e) Drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;

ë) Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit;

f) Drejtori i përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, atë të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Please follow and like us: