SHBA, sulm ajror me raketa kundër Sirisë
Zyrtarët amerikanë thanë se SHBA goditën me 59 raketa tomahok objekte të qeverisë siriane si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Siri që la dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur.
Presidenti amerikan Donald Trump mbajti mbrëmë një fjalim të shkurtër përpara mediave në Florida, ku njoftoi se kishte dhënë urdhër për goditje ushtarake kundër një baze ajrore në Siri, nga e cila ishin ndërmarrë sulme me armë kimike. Ai tha se nuk ka diskutim që Siria përdori armë kimike, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.
Presidenti tha se “është në interesin jetik kombëtar të SHBA të parandalojnë dhe të frenojnë përhapjen dhe përdorimin e armëve kimike vdekjeprurëse”.
Bashar al-Assadi, tha zoti Trump, u mori jetën njerëzve të pashpresë.
Presidenti Trump tha se u bënte thirrje vendeve të qytetëruara të bashkoheshin në përpjekjet për të ndalur gjakderdhjen në Siri dhe për t’i dhënë fund grupit Shteti Islamik.
Sulmet amerikane u ndërmorën nga dy destrojerë të Marinës amerikane në Mesdheun lindor.
Kjo është goditja e parë e drejtpërdrejtë që SHBA ndërmarrin kundër qeverisë së Assadit që nga fillimi i luftës civile në Siri gjashtë vjet më parë.
Raketat goditën bazën ajRore Shayrat dhe kishin si objektiv avionët luftarakë sirianë dhe objekte të infrastrukturës në këtë bazë. Sulmet u ndërmorën rreth orës 8:45 sipas kohës së Uashingtonit.
Sipas mediave që citonin një zyrtar të lartë ushtarak amerikan, përpara lëshimit të raketave tomahok Pentagoni kishte njoftuar zyrtarët ushtarakë rusë përmes kanaleve ekzistuese të çtensionimit.
Është e paqartë nëse sulmet kundër objektivave të Assadit do të vazhdojnë.
Përgatitjet në Pentagon
Një zyrtar i lartë ushtarak i SHBA tha të enjten se Pentagoni kishte paraqitur alternativa për një goditje në Siri, pas sulmit me armë kimike ku u vranë rreth 100 civilë dhe për të cilin është fajësuar presidenti Bashar al-Asad.
Zyrtari i tha Zërit të Amerikës se në Pentagon ishin zhvilluar takime me shefat e shtatmadhorisë lidhur me atë që ai e quajti synim verbal të Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime në Siri.
Gjatë rrugës në avion për në Florida për takimin me presidentin kinez Xi Jinping, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ajo që ndodhi në Siri ishte “një turp për njerëzimin,” dhe se me Asadin në komandë … diçka duhet të ndodhë.”
“Ajo që bëri Assadi është e tmerrshme. Unë mendoj se ajo që ndodhi në Siri është një nga krimet me të vërtetë skandaloze; kjo nuk duhet të kishte ndodhur dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë”, tha ai.
Zoti Trump shtoi se “në një moment të caktuar” ai mund të flasë për Sirinë me aleatin e saj më të madh ushtarak, presidentin rus Vladimir Putin.
Tillerson: Assadi duhet të largohet
Dje, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson bëri thirrje për rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Asad, për shkak të sulmit me armë kimike.
“Procesi me të cilin Assadi do të largohej nga pushteti është diçka që kërkon një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar, për të mundur së pari ISIS-in në Siri, për të stabilizuar vendin e për të shmangur luftën e mëtejshme civile, dhe më pas për të punuar së bashku me partnerët tanë kudo në botë përmes një procesi politik që do të çonte në largimin e Assadit,” u tha gazetarëve në Florida zoti Tillerson.
Duke sinjalizuar një ndryshim të papritur në politikën amerikane për të ardhmen e Assadit, zoti Tillerson tha se “Assadi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e popullit sirian.”
Komentet e zotit Tillerson ishin në kontrast me ato të bëra në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar nga zëdhënësi Sean Spicer, i cili tha se administrata e Presidentit Donald Trump po largohej nga qëndrimi i ish-presidentit Barak Obama, i cili kishte bërë thirrje për rrëzimin e Asadit.
“Ka një realitet politik që ne duhet ta pranojmë nga aspekti i gjendjes ku jemi tani”, tha zoti Spicer të premten e kaluar. “Ne kemi humbur shumë raste gjatë administratës së fundit, në lidhje me Asadin,” shtoi ai. Edhe zoti Tillerson kishte komentuar, se fati i Assadit duhej të vendosej nga populli sirian. Komentet u kuptuan si një sinjal se Uashingtoni nuk e shihte si përparësi të lartë heqjen e Assadit nga pushteti.
“Ne po shqyrtojmë përgjigjen e duhur” për sulmin kimik në Siri, tha të enjten zoti Tillerson. Shtetet e Bashkuara, tha ai, janë konsultuar me vendet e tjera për të përcaktuar mënyrën më të mirë për t’u kundërpërgjigjur. “Kjo është një çështje serioze, që kërkon një përgjigje serioze,” tha Sekretari i Shtetit.
SHBA hedhin poshtë pretendimin rus dhe sirian
Diplomati i lartë amerikan tha se sulmi i së martës “na ka tronditur të gjithëve. … Nuk ka asnjë dyshim në mendjet tona, dhe informacioni që kemi e mbështet këtë, se Siria, regjimi sirian nën Asadin, është përgjegjës për këtë sulm. Dhe, unë mendoj, se është shumë e rëndësishme që qeveria ruse të rishikojë me kujdes mbështetjen e saj të vazhdueshme për regjimin e Asadit.”
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se ishin avionët luftarakë sirianë që sulmuan me bomba kimike qytetin e mbajtur nga kryengritësit.
“Njerëzit në terren u panë duke reaguar ndaj një agjenti nervor dhe ndërtesa e goditur ishte pa mëdyshje një spital”, tha një zyrtar ushtarak amerikan për Zërin e Amerikës.
Zyrtari tha se sulmi u krye nga avionë sirianë me krahë fiksë dhe hodhi poshtë pretendimet ruse dhe siriane se objektivi i goditur ishte një depo e kryengritësve për grumbullimin e armëve kimike.
Kremlini tha se presidenti rus Vladimir Putin, në një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, “theksoi se është e papranueshme të bësh akuza të pabaza pa një hetim ndërkombëtar të paanshëm”. Por një zëdhënës i zotit Putin tha gjithashtu se mbështetja ruse për Assadin nuk është e pakushtëzuar.
Britania, Franca dhe SHBA e dënuan me forcë Rusinë të mërkurën gjatë një sesioni të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit të mërkurën. VOA