Albspirit

Media/News/Publishing

Tuneli i Moglicës, kanceri i azbestit dhe sindikatat

Romeo Hanxhari

Ejani investoni në Shqipëri se këtu s’kemi sindikata, të cilat jua çajnë kokën atje në Itali”, më gjëmoi në vesh si gjyle sërish dje kjo deklaratë e Kryeministrit tonë para investitorëve italianë, diku nga 2014-a. Më gjëmoi në vesh sërish sepse HEC Devolli dje nxori lajmin se “tuneli i gjatë i Moglicës përfundoi pa vonesa”.

Lajm për tunelin pra. Prerje shiriti pra, për atë tunelin ku punëtorët në nëntor protestuan se ishin detyruar të gërryenin nëpër shkëmbinj azbesti pa asnjë lloj mbrojtjeje. Azbesti pra. Ai azbesti që është klasifikuar në gjithë botën moderne si “material kancerogjen i klasit të parë”, sepse u ngjitet fare kollaj mushkërive të punëtorëve fatkeqë e ua plas kancerin pas 10 a 20 vjetësh, duke ua marrë jetën pastaj brenda pak muajsh. …E pastaj çuditemi pse janë dhjetëfishuar rastet me kancer…

Pse unë e bëj këtë lidhje mes krenarisë së Kryeministrit se në Shqipëri s’ka sindikata që mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe lajmit se tuneli me azbest kancerogjen u hap? Sepse një fjalë e urtë thotë që “Nëse gjenerali këput një kokërr rrushi, ushtria pas tij shkul tërë vreshtin”. Epo, sigurisht! Sepse një Kryeministër që bën deklarata si ajo më sipër ia shkel në fakt syrin çdo investitori që të bëjë ç’të dojë me punëtorët e vet, ia jep mesazhin administratës së vet që t’i japë prioritet parasë dhe jo jetës së njerëzve të këtij vendi, ia tund grushtin çdo “sindikate” që të mos guxojë të bëjë as gëk e as mëk, ia skërmit dhëmbët çdo punëtori që të mos të pretendojë të drejta. Fatkeqësisht, Kryeministri ynë është i vetmi kryeministër në historinë e së majtës botërore që mburret që në vendin e tij s’ka sindikata të punëtorëve dhe që e paraqet si avantazh se pse investitorët duhet të vijnë.

…Por ky nuk është halli i tij: ky është halli ynë. Konkretisht, çfarë ka ndodhur me punë- torët që kanë punuar në shkëmbinj azbesti në tunelin e Moglicës? Sa punëtorë kanë rastisur të punojnë në azbest? Për sa kohë kanë punuar ata në shkëmbinj me azbest? Sa e shpeshtë ka qenë prania e shkëmbinjve prej azbesti në tërë gjatësinë e tunelit? Sa ka qenë përqendrimi i fijeve të azbestit në ajër brenda tunelit dhe jashtë tij? Kush u tallë me punëtorët, duke u thënë të vazhdojnë të punojnë sepse “janë të mbrojtur, ngaqë kanë veshur kominoshe”?

Sa punëtorë i kanë transportuar fijet e azbestit në uniformat e tyre edhe në mjedise jashtë tunelit, apo në dhomat e tyre? Ku janë hedhur inertet e azbestit që janë nxjerrë nga tuneli? Sa kontakt ka popullata lokale me këto mbetje inerte azbesti? Ka shumë e shumë pyetje, fatkeqësisht. …Por nuk ka asnjë përgjigje. Asgjë. Punë- torët protestuan disa ditë rresht në nëntor dhe disa pak televizione e pasqyruan atëherë hallin e tyre. Unë vetë isha i ftuar në njërin prej tyre për të folur.

Kontraktorët u tallën me punëtorët, duke i çuar të bëjnë grafi të mushkërive në Gramsh, ndërkohë që dihet se fibrat e azbestit janë aq super të imta, saqë në mushkëri nuk munden të shihen as me grafi e as me asgjë. Më tej, kompania bëri të ditur se “po fillonte studimet për problemin”, studime që ajo tha se do ia besonte një kompanie të huaj “të specializuar”. …E më tej? Askush s’di asgjë. Ende asgjë, ndërkohë që kanë kaluar muaj. As sot në faqen web të kompanisë nënë, apo asaj bijë, apo asaj nënkontraktore s’ka asnjë lajm për çështjen “azbesti kancerogjen në tunel”.

Por ama ka lajm për tunelin që mbaroi në afat. E dini pse? Sepse kur flitet për të drejtat e njerëzve në këtë vend, çudia nuk zgjat as 3 ditë. Sepse investitorët dhe investimet kanë prioritet mbi jetën e njerëzve tanë. Dhe sepse, shyqyr Zotit, në Shqipëri s’ka sindikata. S’ka. Dhe as do të ketë. Ju betohem! Në fjalën e nderit të zotit Kryeministër.

Please follow and like us: